Po sikur ta zvogëlonit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, të ishit në formë dhe të ngadalësonit plakjen, pa përmendur këtu mbrojtjen e dhëmbëve, brenda 10 minutave? Shëndeti i mirë kërkon t’i dedikosh kohë, por jo aq sa mund të mendoni ju. Është e vërtetë që duhet të bëni 30 minuta fizkulturë në ditë dhe të flini 7-8 orë gjumë natën, por është shumë e rëndësishme edhe ajo që hani. Ja në ç’mënyrë…
1. Luftoni kancerin
Hani lëkurën e frutave dhe perimeve. Shumica e vitaminave të një molle qëndron në lëkurën e saj. Në një studim të kohëve të fundit, ka dalë se një duzinë e substancave kimike që ndodhen në lëkurën e mollëve ndihmonte në ngadalësimin e ritmit të zhvillimit të qelizave kanceroze të gjoksit, mëlçisë dhe zorrës së trashë. Tani mendohet se edhe lëkura e frutave dhe perimeve të tjera ka të njëjtin efekt. Nëse e keni problem përdorimin e pesticideve, blini produkte bio. Merrni edhe suplementet e duhura. Sipas një studimi 4 vjeçar të kohëve të fundit, marrja e vitaminës D dhe kalçiumit, ul në mënyrë të dukshme rrezikun e kancerit. Gjatë këtij studimi, gratë që e morën, e ulën rrezikun e tyre me 77%. Vitamina D nxit sistemin imunitar të trupit, që është vija e parë e mbrojtjes kundër kancerit. Lëkura jonë prodhon vitaminë D kur ekspozohet në diell, por studiuesit thonë se mënyra më e mirë e marrjes së saj janë tabletat e kalçiumit.
2. Ngadalësoni plakjen
Nuhatni aromën e lavandës ose rozmarinës. Aroma e së parës ju “dhuron” një natë të qetë gjumi, por ato ju ndihmojnë edhe gjatë ditës. Gjatë një studimi të fundit, disa njerëz dolën vullnetarë për të thithur vajrat esenciale të lavandës dhe rozmarinës për pesë minuta. Rezultati: Nivelet e kortizolit (hormonit të stresit) në pështymë, zbritën me 24%. Kjo është diçka e mirë, sepse ky hormon shton presionin e gjakut dhe pengon sistemin imunitar. Për më tepër, njerëzit që thithnin esenca me përqendrim të ulët të lavandës dhe të lartë të rozmarinës, i eliminonin më lehtë radikalet e lira, të cilat përshpejtojnë plakjen dhe sëmundjet.
3. Ulni kolesterolin
Hidhini fistikë sallatës suaj. Disa studiues të Universitetit të Pensilvanisë, SHBA, u dhanë vullnetarëve një detyrë të këndshme: Të konsumonin afro një dorë fistikë çdo ditë. Në fund të katër javëve, ata që kishin ngrënë fistikë, e kishin reduktuar kolesterolin e tyre me 6.7% dhe LDL-në (kolesterolin e keq), me 11.6%. Kjo ulje ka diçka shumë pozitive. Ulja e kolesterolit total me afro 7%, ul14% rrezikun e sëmundjeve të zemrës. Fistikët janë një nga burimet më të mira të steroleve, që janë përbërësit që thithin kolesterolin. Vetëm kini parasysh se 30 gramë, janë baraz me afro 160 kalori.
Një mënyrë tjetër për të ulur kolesterolin është ta zëvendësoni sheqerin me mjaltë hikrre (hikrra-bime bishtajore, që quhet ndryshe: grurë i zi). Kjo substancë e ëmbël është përdorur për qëllime mjekësore që në kohët e lashta. Kur aplikohet në një plagë, mjalti është një substancë antibakteriale. Tani studiuesit thonë se efektet e tij pozitive ndjehen më thellë sesa vetëm te lëkura. Disa studime kanë treguar se mjalti ngadalëson oksidimin e qelizave dhe varieteti më i mirë për këtë qëllim është ai i hikrrës.
4. Qetësoni afshet e nxehta
Merr frymë thellë. Frymëmarrja e ngadaltë, e thellë nga barku mund të përgjysmojë afshet e nxehta që kanë gratë në menopauzë. Shkaktar i tyre është pjesërisht mungesa e estrogjeneve, por studiuesit mendojnë se këtu luan rol edhe stresi, duke çaktivizuar sistemin nervor simpatik. Zgjidhja: Merrni frymë thellë për të aktivizuar sistemin nervor parasimpatik, që shkakton relaksimin e trupit. Kjo ul ritmin e rrahjeve të zemrës, relakson muskujt dhe ul presionin gjakut. Uluni në një karrige të rehatshme dhe merrni frymë thellë. Thitheni ajrin me hundë dhe nxirreni me gojë. Mbyllni sytë që të evitoni tërheqjen e vëmendjes. Relaksoni edhe barkun, në mënyrë që të fryhet e shfryhet me çdo frymëmarrje.
5. Ruani një shikim të fortë
Hani një vezë. Nuk duam t’ua marrim meritat karotave, por studimet kanë treguar se vezët janë burime edhe më të mira të substancave antioksiduese të dobishme për syrin, sesa karotenoidet. Luteina dhe zeaksanthina janë karotenoidet thelbësore për shikimin, që ndikojnë pozitivisht në beben e syrit, që është përgjegjëse për shikimin qendror. Vezët nuk kanë aq shumë luteinë dhe zeaksanthinë sa perimet me gjethe jeshile, por trupi ynë i thith më mirë këta antioksidues të vezës. Mos u shqetësoni për kolesterolin. Konsumimi i një veze në ditë e shton nivelin e luteinës në gjak me 26% dhe atë të zeaksanthinës, me 38%, pa rritur nivelin e kolesterolit ose të triglicerideve.
6. Reduktoni enjtjen e rrezikshme
Hani një tas me drithëra integrale. Drithërat integrale nuk janë të mira vetëm për të rregulluar jashtëqitjen; ato mund të të shpëtojnë jetën! Gjatë një studimi u ndoqën më shumë se 42 mijë gra në menopauzë për 15 vjet rresht dhe ato që hëngrën 11 ose më shumë vakte me drithëra integrale çdo javë, rrezikonin 1/3 më pak të vdisnin nga një çrregullim inflamator (janë sëmundjet që shkaktohen nga një inflamacion kronik, nga sëmundje si diabeti, astma dhe ato të zemrës), sesa ato që hanin pak. Të mira për këtë ishin thekra, orizi kaf, buka e zezë, drithërat integale në mëngjes, bollguri dhe kokoshkat. Drithërat integrale përmbajnë pjesët biologjikisht aktive të bimës. Ajo që e mban bimën gjallë, mban gjallë edhe atë që i konsumon.
7. Forconi muskujt
Tërhiqni muskujt e këmbëve. Nëse i keni të ngurtësuar, në këtë mënyrë nuk do të përmirësoni vetëm përkulshmërinë e tyre, por sipas një studimi të ri, edhe do t’i forconi ato. Për 6 javë, 30 të rritur me muskuj pak të ngurtë të kofshës bënë një seri ushtrimesh tërheqjeje (streçing), 5 herë në javë. Studiuesit matën përkulshmërinë e tyre dhe forcën e muskujve në fillim dhe në fund të studimit. Këto tërheqje, jo vetëm i bënë muskujt e tyre më të përkulshëm, por muskujt e përparmë dhe të pasmë të kofshës u bënë dukshëm, edhe më të fuqishëm.
8. Shtoni antioksiduesit
Shtojini avokado sallatës suaj. Perimet kanë një të metë: Shumica e tyre nuk kanë pothuajse fare yndyrë dhe yndyrnat janë të mira që trupi të thithë karotenoidet. Gjatë një studimi të Universitetit të Ohajos, vullnetarëve iu dha sallatë me pak avokado të prerë në feta dhe analizat e gjakut treguan se ata që kishin ngrënë avokado kishin 5 herë më shumë luteinë, 7 herë më shumë alfa-karotenë dhe 15 herë më shumë beta-karotenë sesa ata që e kishin ngrënë sallatën pa avokado. Gjithashtu, konsumoni fiq të thatë. Frutat e thata janë të pasura me substanca antioksiduese. Vendin e parë e zënë fiqtë dhe kumbullat e thata. Një dorë fiqsh shton me 9% aftësinë e trupit për të luftuar radikalet e lira, pra, plakjen e qelizave. Ky është dyfishi i shtimit që është parë pas konsumimit të një filxhani me çaj jeshil. Mund të hani edhe një sallatë frutash, një përzierje portokallesh, mollësh, rrushi dhe boronice, të cilët të japin një fuqi antioksiduese 5 herë më të fuqishme sesa t’i hash këto veç e veç. Frutat më të mira për t’i dhënë trupit acid fenolik (i cili zvogëlon rrezikun e sëmundjeve kronike) janë: Mjedrat, mollët, rrushi i kuq, luleshtrydhet, ananasi, bananet, pjeshkët, portokallet dhe dardhët.
9. Ruani një buzëqeshje të bukur
Putheni partnerin me pasion. Ju e shijoni puthjen për arsye të tjera, por sipas zëdhënëses së një shoqate dentistësh, kjo shton pështymën në gojë, gjë që pastron dhëmbët tuaj nga bakteriet që mund të shkaktojnë karie. Nëse, për fat të keq, nuk keni askënd për të puthur, provoni çamçakëza pa sheqer, me ksilitol.
10. Mbrojeni stomakun nga bakteriet
Ulni temperaturën e frigoriferit. Nëse ajo është mbi 4 gradë celcius, ushqimi juaj rrezikon të prishet, pasi është temperatura në të cilën bakteriet fillojnë të shumëfishohen. Në SHBA, çdo vit, më shumë se 75 milionë njerëz sëmuren nga ushqimet dhe 5 mijë prej tyre vdesin. Kështu, përdorni një termometër për t’u siguruar se temperatura është aq e ulët sa duhet.
11. Parandaloni dhimbjet e kokës
Mbajeni kokën lart. Pozicioni i kokës është një nga faktorët më pak të kuptuar dhe vlerësuar në dhimbjen e kokës. Një nga pozicionet problematike të mbajtjes së kokës: Koka e varur para. Kur qafa juaj është para, duhet të ngresh kokën lart për të parë dhe kjo mund të shtypë nervat e muskujt në bazë të kafkës. Një fizioterapist ofron këto këshilla për ta mbajtur kokën si duhet:
Imagjinoni një litar të lidhur në majë të kokës, që e tërheq kokën në drejtim të tavanit.
Kontrollojeni veten periodikisht që të siguroheni se veshi është në të njëjtën linjë me supin.
Vëreni kompjuterin t’ju kujtojë çdo gjysëm ore për të përsëritur dy veprimet e para.
12. Ruani mendjemprehtësinë
Pini 2 filxhanë çaji jeshil në ditë. Studimet kanë treguar se çaji jeshil ndihmon në kontrollin e kolesterolit dhe mund të ulë rrezikun e kancerit. Tani studiuesit thonë se çaji ndihmon edhe për të pasur një mendje të mprehtë. Një studim japonez me 1000 njerëz mbi moshën 70 vjeçare zbuloi se ata që pinin 2 filxhanë çaji jeshil në ditë kishin më shumë aftësi mendore (përfshi edhe kujtesën) dhe kjo ishte në përpjestim të drejtë me çajin që pinin. Ka mundësi që te mendjekthjelltësia të ndikojnë edhe faktorë të tjerë, si për shembull, tendenca e japonezëve për të biseduar me një filxhan kafe në dorë. Këto rezuktate mund të shpjegojnë pjesërisht pse nivelet e demencias, përfshi këtu edhe sëmundjen e Alzhaimerit, janë më të ulëta në Japoni.