Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Pa dënime, ky vend nuk do të ketë qetësi!

Kryetari i PUK-ut, avokat Idajet Beqiri, në intervistën për gazetën “Intervista” vlerëson se akuza politike e PD-së për avionin e drogës është një strategji antishqiptare që bëhet nga Berisha për të penguar marrjen e statusit kandidat, sepse prodhimin dhe trafikimin e drogës në Shqipëri, pohon avokat Beqiri, e ka ideuar dhe frymëzuar Berisha, qëkur erdhi për herë të parë në pushtet, në vitin 1993. Zoti Beqiri argumenton se nuk mund të ketë reformë në drejtësi, pa vënë në bankën e të akuzuarve politikanët që shkaktuan Gërdecin e që vranë më 21 janar 2011. Gjithashtu, për grevën e urisë së ish-punonjësve të administratës publike, zoti Beqiri shton se ata janë disa militantë të Berishës, që u punësuan nga Berisha pa kurrfarë merite. Zoti Beqiri mbron idenë e deputetit Braho, që presidenti aktual Nishani duhet shkarkuar, pasi ai nuk e ka dinjitetin dhe personalitetin që të përfaqësojë shqiptarët. Drejtësia shqiptare, sipas zotit Beqiri, është peng i Nishanit dhe i Çefës, ndaj, shton se duhet të riformohet rrënjësisht KLD-ja, Prokuroria dhe gjithë gjyqësori në tërësi…

Petraq Bajrami: – Zoti Beqiri, së pari, një pyetje si avokat: Sipas jush, avioni me drogë, është akuzë penale, apo akuzë politike?
Av. Idajet Beqiri: Është një akuzë politike. Madje, është një strategji antishqiptare e radhës që ka hartuar dhe ka vënë në zbatim dhëndrri i Beogradit, Berisha, me efekte dyplanëshe. Nga njëra anë, ajo drejtohet drejtpërdrejt kundër interesave tona kombëtare shqiptare në përgjithësi, kundër moralit, dinjitetit dhe prestigjit ndërkombëtar të vendit, kombit e popullit tonë dhe nga ana tjetër, kjo bëhet për të penguar me çdo mjet kriminal, marrjen e Statusit të Shqipërisë për në BE, në qershor 2014.
– Ka ndonjë detaj juridik, që ta ngarkojë Kryeministrin me përgjegjësi penale në çështjen e avionit të drogës?
– Po çfarë lidhjeje ka Kryeministri i vendit me çështjen e avionit të drogës? Kjo është një vepër penale konkrete, si shumë vepra penale të tjera që kryhen në vend. Mjetet me anë të të cilave kryhen veprat penale janë të ndryshme. Kushtetuta e Shqipërisë, ligji themelor i shtetit, kompetencat hetimore dhe dërgimin e çështjeve kriminale në gjyq ia ka dhënë organit të prokurorisë. Prokuroria ka për detyrë të zbardhë ngjarjen, të bëjë hetimin dhe të dërgojë në gjyq çështjen dhe autorët e saj. Gjykata do vlerësojë fajësinë apo pafajësinë e gjithësecilit të implikuar në këtë vepër penale dhe do të japë vendimin e saj. Kështu funksionojnë gjërat në një shtet serioz ku sundon ligji. Ndërsa në rastin konkret, të gjitha rolet i ka marrë në dorë qesharaku Berisha. Ai e dinte se do të vinte një avion “i mbaruar”, se do të ndryshonte drejtimin e udhëtimit në Divjakë, se do t’i prishej rrota në rërën e detit, se do të transportonte drogë… Ai e di se kush janë fajtorët, cilat janë provat, ai bën pretencën e prokurorit, ai jep vendimin gjyqësor… Një banalitet i vërtetë nga një mendje e sëmurë!
– A mundet imuniteti politik t’u japë të drejtën deputetëve që të akuzojnë drejtpërdrejt me akuza penale Kryeministrin, si trafikant i drogës?
– Varet për kë deputet e keni fjalën sepse në Kuvendin e Shqipërisë ka shumë pak deputetë. Ata numërohen me gishtat e të dy duarve. Të tjerët, nën drejtimin e Berishës, janë një bandë kriminale, të cilët jo vetëm që janë gojështhurur, sikur të mos kishin në familje as gra, as vajza dhe as mbesa e nipër, por gjithë veprimtarinë e tyre e kanë ndërtuar mbi krim dhe mbi shkelje të ligjit. Me gojëneverinë e tyre, me gjestet e tyre, me veprimet e tyre, këta banditë “deputetë”, me kryebanditin Berisha në krye, stimulojnë, shtyjnë dhe nxisin me këmbëngulje çdo ditë krimin dhe kriminelët, me synimin e vetëm që në këtë vend të sundojë anarkia banale në të cilën shqiptarët e gjorë e kanë të pamundur të jetojnë.
– A mund të përbëjë çështja e avionit të drogës një argument kaq të fortë politik, sa të kërkohet nga opozita, dorëheqja e Kryeministrit?
– Opozita dhe personalisht, Berisha, ka marrë një mësim historik prej shqiptarëve më 23 qershor 2013. Populli votoi aq qartas, sa i dha “dërrmën” për të mos u kthyer më në qeverisje kjo bandë makabre që e ka bërë Shqipërinë dhe shqiptarët turpin më të madh të botës. Në këtë situatë, opozita po përjeton një shok të paimagjinuar dhe e ka humbur torruan. Në vend që të stimulojë reformatorët që t’i japin përfundimisht “dërrmën” kryebanditit dhe të ndërtojnë një opozitë shqiptare për të mirën e Shqipërisë, e lënë përsëri “qyqen” e Serbisë që ta bëjë më keq PD-në dhe Shqipërinë një “shesh-besh”, të denjë për të jetuar në të vetëm llumi i shkijeve! Kjo është edhe arsyeja që bëjnë “kauzë” të tyre “stuhinë në gotën e ujit” me të ashtuquajturin “avion i drogës”.
– Sasitë e mëdha të lëndëve narkotike të trafikuara që kapen nga policia e shtetit në Shqipëri, por edhe në vendet e tjera evropiane, tregojnë se këto sasi janë prodhuar në vite të mëparshme në Shqipëri, kur ka qeverisur opozita e sotme. A duhet që sot kjo opozitë të mbajë përgjegjësi për mosluftimin e lëndëve narkotike, kur ajo qeveriste?
– Prodhimin dhe trafikimin e drogës e nisi, e frymëzoi, e organizoi dhe e bëri qysh nga viti 1992, kur u bë President i Republikës, Berisha dhe banda e tij kriminale. Kjo bandë e futi masivisht këtë trafik në Lazarat, të cilin e kishin dhe vazhdojnë ta mbajnë si “bastionin” e tyre “demokrat”! Edhe këtë drogë që do të transportonte “avioni i rrotës së thyer”, apo sasirat e tjera që kapen çdo ditë, po kjo bandë kriminale e ka mbjellë, e ka korrur, e ka shitur dhe ende vazhdon ta shesë, si mjetin dhe burimin kryesor për të bërë “orgji” pa fund, si dhe për ta mbajtur në vazhdimësi të destabilizuar këtë vend. Madje, edhe atë sasi droge që kanë qenë të detyruar ta sekuestrojnë kur ishin në qeverisje nga kapja në flagrancë e trafikantëve, e kanë rishitur po këta banditë, me ndihmën e policisë së shtetit, kur ishin në qeverisje.
– Si e shpjegoni ju, që opozita nuk ka kërkuar dorëheqjen e qeverisë, apo të kërkojë mocion votëbesimi në Kuvend për qeverinë, apo në rastin më të mirë, të kërkojë zgjedhje të parakohshme, me argumentin e çështjes së avionit të drogës, por kërkon vetëm largimin e Ramës?
– Opozita e sotme nuk di ku ka kokën dhe këmbët. Është çoroditur në shkallën më të keqe të mundshme. Por, në një pikë janë shumë “të kthjellët”; nuk e zënë kurrë me gojë opsionin e zgjedhjeve të parakohshme. Sepse, nëse do të bëheshin sot zgjedhje të parakohshme, më shumë se gjysma e deputetëve të PD-së do t’i humbisnin mandatet dhe kjo opozitë do të dilte përfundimisht nga “loja”, sepse nuk do “hanin” vetëm “një milion shuplaka”, sa në 23 qershor 2013, por shumë më shumë, e madje edhe gratë e tyre do t’u japin shuplaka të rënda, sepse këta vandalë u kanë nxirë jetën edhe fëmijëve të tyre!
– Këtë javë filloi një grevë urie e ish-punonjësve të administratës publike. A mund të ketë të drejtë politike, juridike dhe morale PD-ja që t’i mbështetë ata sot, ndërsa në 8 vjetët e qeverisjes së saj, spastroi tërë administratën publike mbështetur pikërisht në përkatësinë partiake dhe punësoi vetëm militantët e saj?
– Grevistët nuk i përkasin ish-administratës publike, por janë disa fanatikë të sëmurë të Saliut, të cilët kishin zënë vendet e njerëzve të aftë në administratën publike, kur bëri spastrimet radikale Berisha në vitin 2005 kur erdhi në qeverisje përmes vjedhjes së hapur të vullnetit të popullit. Ata janë thjesht dhe vetëm disa militantë, të cilët Berisha kërkon t’i bëjë “mish për top” të strategjisë së tij antishqiptare për sabotimin e marrjes së statusit nga BE-ja në muajin qershor të këtij viti. Kam frikë se Berisha, me provat e shumta që ka dhënë deri më sot, sidomos më 2 prill 1991, në shkurt-mars 1997, me vrasjen e Azem Hajdarit në vitin 1998, me vrasjet e 26 shqiptarëve në Gërdec, me vrasjet e 4 protestuesve në 21 janar 2011, do të bëjë ndonjë “kurban” aty te çadrat që ngriti me dorën e tij. Kam vërtet shumë frikë, sepse të njëjtën gjë bëri më 14 shtator 1998 me arkivolin e Azem Hajdarit ky bandit!
– Cilës force politike në Shqipëri nuk i intereson marrja e statusit kandidat nga Shqipëria? Kam parasysh se edhe opozita e djeshme, sot maxhorancë, u bë pengesë politike në procesin e marrjes së statusit me qëndrimin e saj në mosnënshkrimin e 3 kushteve të BE-së për statusin…
– Nuk mund të vendosen paralelizma të tilla. Janë diametralisht të kundërta opozita e djeshme, që është në qeverisje sot, me opozitën e sotme, që ishte në qeverisje dje. Nuk ishin tre ligjet shkaku i vërtetë i mosmarrjes së statusit në vitin 2012-2013. Të interesuar për mosmarrjen e statusit kandidat për në BE kanë qenë dje dhe janë sot pikërisht Berisha me bandën e tij. Synimi i tyre, së paku qysh kur u formuan si opozitë në vitin 1991, ka qenë dhe ka mbetur destabilizimi i vazhdueshëm i Shqipërisë, në interes të Serbisë. Dhe, me ndihmën e pakursyer të Serbisë, vendi ynë u bë dhe ka mbetur vendi më fatkeq e më i destabilizuar i Evropës e më gjerë. Shqiptarët e mbajnë mend deklaratën e Sllobodan Millosheviçit në Parlamentin e Serbisë, i cili kur u pyet se ku i kishte çuar 20 milion dollarë që nuk i gjenin në buxhetin e shtetit, u përgjigj: “Shikoni Shqipërinë dhe më kërkoni mua pastaj llogari se ku i kam çuar 20 milion dollarët!”. Ngjarjet e Gërdecit, të 21 janarit, si dhe destabilitetin e paimagjinuar politik etj., të cilat ishin shkaku kryesor dhe i vetëm i refuzimit të statusit, nuk i bëri opozita që është sot në qeverisje, por Berisha me qeverisjen e tij, në emër dhe për llogari të të integruarit të Serbisë, në vend të Shqipërisë.
– Derisa kjo maxhorancë ka një shumicë absolute në Kuvend, përse ende nuk i ka duart e zgjidhura që të ndërmarrë sa më shpejt reformat që ka premtuar?
– Në sistemet demokratike luhet me dy porta, sepse ka dy ekipe, njëra quhet shumica qeverisje dhe tjetra quhet opozitë. Nëse ke të bësh me një opozitë destruktive, e cila i ka tradhtuar interesat kombëtare qysh kur është krijuar, sepse erdhi në skenën politike me ndihmën dhe investimin e qarqeve më raksionare antishqiptare të rajonit, “duart i ke të lidhura” në njëfarë mase. Por, në njëfarë mase, gjithsesi, sepse me situatën që po përjetojmë, në kushtet kur në vend nuk kemi një opozitë, por një bandë kriminale që komandon për 24 vjet Sali Berisha, një qeveri serioze, e përgjegjshme, e mençur dhe “me zemër”, ia gjen ilaçin sëmundjes! Qeveria Rama duhet të veprojë urgjentisht me standardet e një shteti ligjor europerëndimor, pasi kështu dhe vetëm kështu do ta kapërcejmë përfundimisht plagën gangrenizuese që ka krijuar Berisha dhe klani i tij antishqiptar në këtë vend.
– Mendimi që shprehu kryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare Spartak Braho, për fillimin e procedurave të shkarkimit të Presidentit, nga ana kushtetuese, ju mendoni se ka argumente, është i mbështetur?
– Më bëri përshtypje deklarata e Kryetarit të Kuvendit, Meta, lidhur me këtë mendim të shprehur nga zoti Braho. Meta e konsideroi këtë mendim dhe vlerësim të Brahos “si shpërthim të tij djaloshar”! Vendi është “de fakto” pa President të Republikës. Presidenti aktual është turpi i shtetit aktual shqiptar. Ai erdhi thjesht dhe vetëm si “marionetë” e Berishës dhe e ka bërë këtë institucion të rëndësishëm të shtetit një strofull turpi ku zhvillohen, pasurohen dhe mbrohen vetëm idetë dhe veprimet banditeske të Berishës, kundër Shqipërisë dhe shqiptarëve.
– A duhet ta mbështetë këtë mendim edhe maxhoranca? Domethënë, a është momenti i duhur politik që të shkarkohet Presidenti?
– Kur them se kjo maxhorancë duhet të veprojë me mendje dhe me zemër, kam parasysh faktin se vendit duhet t’i jepet urgjentisht kryetari i shtetit. Nishani është nga të gjitha pikëpamjet dhe këndvështrimet, përfaqësimi më invalid i vendit të kryetarit të shtetit gjatë gjithë historisë së shtetit tonë kombëtar.
– Derisa ju, aleatët, ende nuk jeni bërë pjesëmarrës në qeverisje, sipas marrëvëshjes që keni nënshkruar me Edi Ramën, sot ju a jeni pjesë e qeverisjes, apo thjesht jeni aleatë të së Majtës?
– Qeverisja e një vendi nuk është thjesht dhe vetëm një post qeverisës. Qeverisja janë edhe idetë që prodhohen dhe i jepen qeverisjes, janë edhe përkrahja me të gjitha forcat e mjetet, janë edhe rreshtimi pas saj, janë edhe lufta pa kompromis që u bëhet të gjithë atyre që me dashje, apo nga mendjeshkurtësia pengojnë dhe sabotojnë të ardhmen e ndritur evropiane të Shqipërisë dhe të shqiptarëve.
– Mospjesëmarrja juaj në qeverisje, do të ndikojë në marrëdhëniet që ju, si aleatë, do të keni në të ardhmen me PS-në?
– Sa të kemi përballë në llogoren antishqiptare Berishën dhe shpurën e tij, asgjë nuk do t’i prekë dhe cënojë marrëdhëniet tona me PS-në dhe gjithë aleatët e tjerë të “Aleancës për Shqipërinë Evropiane”.
– A mund të ketë reforma efiçente në Drejtësi, pa çuar në bankën e të akuzuarve politikanë dhe zyrtarë të lartë, të cilët kanë korruptuar gjithçka?
– Pa dënuar krimin dhe kriminelët politikë që i ideuan, i prodhuan dhe u korrën frytet krimeve makabër të vrasjes së 2 prillit 1991, të vrasjes së zgjedhjeve të lira në maj 1995, të vrasjeve makabër të shkurt-marsit e më pas, me ngjarjet tragjike të vitit 1997 kur u rrëzua shteti shqiptar, pa dënuar kriminelët politikë që vranë Azem Hajdarin për të bërë grushtshtetin e 14 shtatorit 1998, pa dënuar kriminelët politik të Gërdecit, të grabitjes së parave të shqiptarëve në Rrugën e Kombit, të shitjes Greqisë të 354 km2 det dhe atdhe shqiptar, pa ndëshkuar rëndë vrasësit politikë që urdhëruan nga Kryeministria dhe Ministria e Brendshme të vriten 4 protestuesit e pafajshëm në 21 janar 2011, pa vënë në bankën e të akuzuarve këta kriminelë politikë që duan ta bëjnë me zor dhe për interesa të mirëfillta antishqiptare Shqipërinë, si “Kolumbia”, pa bërë deri në qindarkën e fundit revizionimin e të gjitha pasurive që u kanë grabitur Shqipërisë dhe shqiptarëve këta banditë, ky vend nuk do të ketë as qetësi, as stabilitet, as shtet ligjor dhe as prosperitet.
– Sa i besueshëm politik është argumenti i maxhorancës se Prokuroria dhe Gjyqësori pengojnë përpjekjet e saj që të luftojë korrupsionin në Shqipëri?
– Po, Prokuroria dhe Gjykatat janë pengesa më serioze që ky vend është i korruptuar, që kriminelët politikë nuk ndëshkohen, që populli është në këtë varfëri të patreguar, që shqiptarët vuajnë ditët më të zeza të mosmarrjes së drejtësisë në dyert e gjykatave. Por, vonesa e qeverisë në reformimin e sistemit të drejtësisë, posaçërisht të sistemit gjyqësor, është e pajustifikueshme.
– Vërtet, duhet të besojmë se në këto kushte, qeveria nuk ka instrumentet e duhura që të luftojë korrupsionin, duke patur kundër Prokurorinë dhe Gjyqësorin?
– Qeveria i ka të gjitha instrumentet e nevojshme për ta bërë reformën e thellë në sistemin e drejtësisë. Këto instrumente duhen përdorur “hap pas hapi”, nga e vogla, deri tek e madhja, por në këtë drejtim duhet të mendohet, të konceptohet, të formulohen, të miratohen dhe të ekzekutohen ditë për ditë ato gjëra të domosdoshme të cilat do e duhet t’i bëjë pikërisht kjo Qeveri dhe askush tjetër.
– Kur Ministri i Drejtësisë, më 10 Maj, në ditën e Drejtësisë, pohoi se duhet të reformohet KLD-ja, Prokuroria e Gjyqësori, sipas jush, çfarë duhet të përbajë kjo reformë? Përbërjen e këtyre institucioneve apo përmbajtjen e tyre kushtetuese?
– Reforma në KLD, në Prokurori e në Gjykata, duhet e thellë. Në radhë të parë, duhet të shkulim nga këto organe sistemin që vendosi Berisha në vitin 1992, sipas mendësisë së “plepaxhinjve”. Pa çrrënjosur psikologjinë dhe mënyrën e veprimit sipas mendësisë së “plepaxhinjve”, në këtë vend nuk do të ketë drejtësi, nuk do të ketë një organ akuze dhe sistem gjyqësor efikas, nuk do të ketë gjyqtarë me integritet, me profesionalizëm dhe të ndershëm, që t’i ndryshojnë faqen e nxirë gjithë sistemit të drejtësisë, por edhe vendit në përgjithësi. Parë nga ky këndvështrim, kërkohet ndërhyrje në legjislacion, deri në Kushtetutë, kërkohen rikonceptime e formulime, deri në vendosje të institucioneve të reja.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Disa surpriza të sikletshme gjatë seksit

Next Post

Florjan Binaj:Kush është ndryshe, nuk është i zoti!

Advertisement