BUJAR NISHANI
Presidentin tonë të nderuar, zotin Bujar Nishani, këtë javë donim ta intervistonim si Kryetar të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Na shtyu për këtë, vendimi i fundit i KLD-së për të mos votuar shkarkimin e gjykatësit Gjin Gjoni, kërkuar nga Ministri i Drejtësisë Nasip Naço, për shkak të fshehjes dhe deklarimit të rremë të pasurisë së tij. Nuk deshëm ta pyesnim për votën “pro”, sepse mendojmë se një gjingjon më shumë e një gjingjon më pak, është njësoj për ne, por deshëm të na thoshte se ç’do të bëhet më këtë drejtësinë tonë, a do të kemi ndonjëherë gjyqtarë e prokurorë si në Europë, edhe ne? Por, Presidenti ynë i nderuar që prononcohet për çdo gjë, për çudi, kur vjen puna për reformën në drejtësi, nuk prononcohet fare. Mos mendon se drejtësia është mirë, se nuk duhet ndryshuar asgjë, apo edhe ai ka hequr dorë nga mendimi se këtu mund të rregullohet diçka?
GENT STRAZIMIRI
Përsëri plasi grushti këtë javë në Parlament e përsëri, ai që e pësoi ishte deputeti i PD-së, Gent Strazimiri. Pse e “ha” gjithmonë ky i “shkreti”? Mos vallë ngaqë është më “mistreci” nga goja, apo është më “qullaci” nga muskujt? Nuk e dimë këtë, ndaj deshëm ta pyesnim vetë drejtpërsëdrejti zotin Strazimiri, por nuk mundëm ta takonim. Nuk e pamë as në kafenenë e tij të preferuar. Mos vallë i beson ato që deklaroi që pas kërcënimeve, së shpejti do të fillohet me likujdim fizik të kundërshtarëve politikë dhe ka filluar të marrë masat e ruajtjes?! Nuk e besojmë këtë, se, po të ishte kështu, do ishte vrarë gjysma e deputetëve socialistë që zoti Berisha ka kërcënuar në legjislaturën e kaluar. Nuk na duket se vetëm të djathtët kanë fjalë kur vjen puna për vrasje se vrasje kanë ndodhur edhe te të majtët… Nejse, shpresojmë që në javët e ardhshme zoti Strazimiri të na e sqarojë këtë. Të na sqarojë gjithashtu edhe diçka që në bëri kuriozë: Deklarata e tij në Facebook pas rrahjes në Parlament, ku ai theksonte se edhe Musolini, edhe Hitleri, kështu i dhunonin kundërshtarët e tyre politikë. Po pse nuk përmendte edhe Enverin ai? Apo sepse ai nuk të dhunonte, por të vriste?!
SALI BERISHA
Deshëm të intervistojmë këtë javë edhe ish-Kryeministrin Berisha. Deshëm ta pyesnim për vendimin e marrë nga grupi parlamentar demokrat për të ndërprerë çdo marrëdhënie me “parlamentin e krimit”, domethënë, për të bojkotuar seancën plenare të Parlamentit, vendim për të cilin u tha se ishte marrë me iniciativën e tij personale. E kishte me gjithë mend këtë vendim zoti Berisha, apo bëri shaka? Pyesim kështu sepse, duan s’duan ata, javën e ardhshme, deputetët demokratë do të jenë të detyruar të braktisin Parlamentin sepse fillojnë lejen e zakonshme. Apo “ikim që ikim me leje, të bëjmë edhe pak zhurmë”?! Kush ta hajë, le ta hajë?
GJIN GJONI
Gjin Gjoni, gjyqtari i Apelit e njëherësh anëtari i KLD-së, ishte në qendër të lajmeve të masmedias këtë javë, ndaj ne kërkuam të bënim një intervistë me të, por nuk mundëm. Deshëm ta pyesnim zotin Gjoni për shumë gjëra, por në veçanti, për një fakt që kishte zbuluar shtypi këto ditë, se ai rezulton të ketë bërë vetëm 1 vit shkollë të lartë në vitet 1993-1994! Kjo rezulton nga ajo çka ka deklaruar vetë Gjoni dhe që publikohet në faqen zyrtare të KLD-së. Dhe, jo vetëm kaq. Gjin Gjoni, pasi ka mbaruar këtë shkollë 1-vjeçare, që ai e quan “Fakultet të Drejtësisë”, vite më pas ka kryer edhe master, po në këtë fakultet! Si qëndron e vërteta? Është gabim i faqes zyrtare të KLD-së, apo zoti Gjoni e quan universitet “Kursin e Plepave”?
PJERIN NDREU
Deshëm të takonim këtë javë edhe deputetin e PS-së, Pjerin Ndreu, por nuk mundëm. Deshëm ta pyesnim zotin Ndreu për konfliktin e tij me deputetin PD-ist Strazimiri dhe në veçanti, për gjuhën e përdorur nga ai në Parlament ndaj kolegut të tij demokrat, kur i tha: “Do bëje mirë ta kafshoje atë gjuhën! Nuk të paska mjaftuar ai rripi i parë, e paske të nevojshme edhe një krefje tjetër. Mbaje gojën, o legen!”. I duket normale zotit Nrdreu kjo mënyrë të foluri? A do t’i vinte turp atij që deputeti të cilit ai i ka dhënë votën, të fliste me këtë gjuhë? Vërtet zoti Ndreu, deputeti përfaqëson popullin, por jo i gjithë populli flet me atë gjuhë. Shyqyr që nuk je ne zonën time, se mua do më vinte turp të më përfaqësonte një deputet i tillë. Unë nuk e jap votën time e as paguaj taksat e mia për t’i dhënë rrogën një deputeti, as që të zihet me grushta e as që të rrihet. Nuk e di nëse zoti Ndreu do të ishte krenar po t’i kishte dhënë votën një deputeti të tillë? Ja, këtë pyetje deshëm t’i bënim zotit Ndreu…