Nëse dëgjoni në televizionet muzikore apo lexoni diku emrin Areva, mos mendoni se është ndonjë emër i huaj në muzikë! Ajo është një bukuroshe shqiptare që ka pasion këngën dhe që së fundmi, ka lançuar edhe klipin e saj të ri, “E imja dashuri”… Areva Gaci është vetëm 22 vjeçe, por dashuria për muzikën e ka bërë një artiste te realizuar. Në intervistën e mëposhtme, ajo ka folur për veten e saj, muzikën, pasionet, pëlqimet dhe pritshmëritë për të ardhmen!

Fabjola Kuburi: – Areva, përshëndetje! Çfarë mund të na thuash për veten?
Areva Gaci: – Unë jam Areva Gaci, jam nga Burreli, kam shumë vite që jetoj në Tiranë dhe shumë vite që këndoj. Karriera ime ka nisur që në moshën 13 vjeçare dhe kam kënduar brenda kufijve shqiptarë e jashtë tyre, në Diasporë.
– Pse zgjodhe ta realizosh karrierën tënde muzikore më shumë jashtë Shqipërisë?
– Dëshira ime ka qenë që të këndoja këtu, në vendin tim, por pamundësitë personale, nuk më lejuan ta realizoja. Me mbështetjen e familjarëve të mi, arrita të realizoj pasionin tim. Ndoshta jo në vendin tim, por të paktën bëja atë që mund të bëja më mirë, këndoja.
– Fillimet për çdo profesion janë të vështira. Kështu kanë qenë edhe për ty?
– Po, kanë qenë goxha të vështira sepse kam qenë e vogël e larg familjes, por ia dola dhe u mësova me punën e realizimin e saj sa më të mirë.
– Ke një emër të bukur dhe shumë të veçantë, Areva…
– Ah, nuk është emër i huaj, nëse mendon se është i tillë. Emri im është emri i mamit Vera, i kthyer mbrapsht. I është shtuar vetëm një “a” dhe ka dalë emri Areva.
– Klipi yt i ri titullohet “E imja dashuri”. Fabula është histori e jotja personale apo është thjesht një këngë që t’u përshtat bukur?
– Nuk ka të bëjë me jetën time e as me diçka timen personale; është një këngë me një tekst të shkruar nga kompozitori dhe që mua m’u përshtat që në momentin e parë që dëgjova demon. Lidhja e kësaj kënge me mua ishte dashuri me dëgjim të parë. (Buzëqesh)
– Tani që po të takoj, them me bindje të plotë që je shumë ndryshe nga klipi, ama je shumë herë me e bukur sesa aty. A të ka ndodhur që njerëzit mos të të njohin?
– Kjo ndodh me çdo artist, ndryshe është në televizion dhe ndryshe, live. Nga ana fizike edhe më kanë njohur, edhe nuk më kanë njohur!
– Nëse për një arsye të fortë do të të duhej ta lije këngën, do ta bëje?
– Kënga është jeta ime, pasioni im dhe e bëj me shumë dashuri. Nëse do të kisha një arsye të fortë që do të kishte të bënte vetëm me familjen time, do ta lija, përndryshe nuk do ta lija për asnjë arsye në botë.
– Kjo do të thotë që familja është pika jote e dobët?
– Familja është pika ime e dobët, sepse jetoj me mamin dhe tre motrat e mia. Babin nuk e kam, për fat të keq, dhe e vetmja gjë e vërtetë dhe e shtrenjtë është familja ime. Do bëja gjithçka për të.
– Edhe motrat kaq të bukura sa ti janë?
– Janë shumë më të bukura se unë. (Buzëqesh)
– E shikoj që je “ujë dhe sapun”… Nuk të pëlqen makiazhi në jetën e përditshme?
– Në përgjithësi, kështu jam ditën, nuk më pëlqejnë gjërat e rënda dhe pëlqej thjeshtësinë. Vishem thjesht dhe bukur. Unë jam kjo që jam, me familjen, me shoqërinë, me koleget.
– Të është dashur të sakrifikosh për muzikën?
– Të them të vërtetën, kam sakrifikuar sepse është shumë e vështirë të gjesh lidhjet e duhura në muzikë, të gjesh grupet muzikore me të cilat të punosh, të duhet mbështetje dhe e kam pasur goxha të vështirë. Tashmë, gjithçka është në rregull, por në fillim më është dashur të sakrifikoj me largësinë nga familja; kam jetuar dhe punuar larg tyre.
– Më the që do të vazhdosh me klipe e me këngë të reja. Ke ndonjë gjë konkrete në dorë?
– Po, kam në dorë bashkëpunimin me një këngëtar shumë të njohur, por për momentin nuk mund të them asgjë sepse është në punë e sipër.
– Bashkëpunimet janë në trend tani dhe zakonisht, që të bëhen hite, shohim gjithmonë një këngëtar dhe një këngëtare. Pse jo dy këngëtare?
– Ide e bukur është edhe kjo, kanë bërë bashkëpunime të tilla shumë të suksesshme, ai Miriam Cani dhe Alketa Vejsiu, për shembull, që ka qenë një bashkëpunim goxha i frytshëm, por në Shqipëri është bërë si modë të jetë një femër e një mashkull dhe është ndjekur kjo vazhdë.
– Jashtë Shqipërisë këndon live, por këngët i realizon këtu. Pse?
– Të flasim realitetin, jashtë duhet të kesh mbështetje, njohje me kompozitorë të mirë dhe unë nuk është se kam ndonjë njohje të tillë, ndërsa në Shqipëri ka më shumë mundësi sepse në mos një mik, një tjetër do të të ndihmojë të gjesh një kompozitor të mirë. Në fund të fundit, je në vendin tënd dhe nuk ka askund si toka jote.
– Përveç këngës, i dedikohesh diçkaje tjetër?
– Po, për momentin kam prioritet edhe shkollën sepse vazhdoj studimet për Juridik në një universitet privat.
– Pse Juridikun?
– Sepse e dua drejtësinë dhe urrej padrejtësitë. Jam natyrë e drejtë dhe dua që edhe njerëzve t’u dhuroj drejtësi. Ka shumë njerëz të mirë, të drejtë e të sinqertë, por përballem edhe me padrejtësi. Gjithsesi, mësoj diçka edhe prej tyre.
– Në muzikë, kush është mikesha jote më e mirë?
– Kam shumë dhe nuk dua të bëj dallime sepse nuk dua t’i ngelë hatri askujt. (Buzëqesh) Kam vërtet shumë mikesha këngëtare që i kam shumë për zemër!
– Po shoqja jote e ngushtë, kush është?
– Shoqja ime më e ngushtë, së cilës i rrëfehem çdo ditë dhe ajo mua, është motra ime. Është personi me të cilën dua të ndaj çdo veprim, çdo emocion, gjithçka.
– Je 22 vjeçe dhe ke arritur shumë; muzikën, pavarësinë ekonomike. A të ka ngelur diçka që ende e synon?
– Ndoshta edhe më ka ngelur, por deri tani më duket se jam realizuar goxha, kështu që nëse ka ngelur diçka për t’u arritur, me kalimin e kohës, do ta arrij. Synimet i kam arritur gjithmonë.
– Çfarë mban mend nga hera e parë që ke kënduar?
– Të them të vërtetën, e mbaj mend si sot kur kam kënduar për herë të parë! Unë kam një kushërirë këngëtare me emër, por nuk dua t’ia përmend emrin dhe ajo atëherë ka pasur një koncert të sajin. Unë kisha shumë dëshirë të këndoja dhe iu luta që të këndoja të paktën një këngë. Ajo kishte frikë se mos bllokohesha sepse kishte shumë njerëz dhe ishte hera e parë, por unë mora mikrofonin, këndova me zërin që më dridhej dhe publiku e pëlqeu kaq shumë performancën time, sa nuk pushonin duartokitjet. Atë ditë kam qarë. Ajo ka qenë hera e parë dhe më e bukura e jetës sime që kam kënduar me aq emocione! Aty kuptova që mund të ecja në rrugën e muzikës!
– Më pas, si vijoi kjo rrugë?
– Më pas u mora me aktivitetet muzikore të kohës, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
– Ti, ke lindur në Tiranë?
– Jo, unë kam lindur në Burrel, por kam ardhur në Tiranë në moshën 7 vjeçe dhe të gjitha aktivitet muzikore m’i ofroi Tirana, duke më hapur më pas rrugën drejt Diaporës.
– Cili është synimi i jetës tënde për të ardhmen?
– Nga muzika nuk largohem asnjëherë, sepse për mua është si fëmijët që i rrit që të vegjël dhe që nuk do të doje të të largoheshin asnjëherë. Unë e shikoj veten te kënga. Pastaj, në të ardhmen, nuk i dihet ç’mund të bëhet. Nuk mund të parashikoj çfarë mund të bëhet këtu e 10 vjet që do të vijnë.
– Kjo do të thotë që ti ecën me plane afatshkurtra?
– Po, nuk dua të planifikoj për më gjatë. Planet afatgjata zakonisht nuk realizohen, kështu që më mirë të mos bëjmë plane.
– Po ditën, e planifikon?
– Ditën e planifikoj ndonjëherë; ndonjëherë i lë gjërat të vijnë dhe bëhen spontanisht.
– Areva, shpenzon shumë?
– Shumë, jam shumë dorëlëshuar!
– A ka një dashuri në jetën e Arevës?
– Jeta ime është e mbushur me dashuri; kam mamin, motrat, muzikën. Nëse e ke në planin sentimental, jo, nuk ka ndonjë të tillë për momentin.
– Nëse do të kishe një lidhje dhe i dashuri do të të ngacmonte shoqen, si do të reagoje?
– Kjo është pika më e dobët ku femrat nxjerrin thonjtë, është e padurueshme, ama nuk do t’ia ktheja në të njëjtën monedhë, sepse nuk jam njeriu i duhur për t’u sjellë ashtu. Thjesht, do t’i tregoja rrugën ose do t’i tregoja se çfarë niveli është ai, sepse një mashkull me norma nuk do ta bënte kurrë një gjë të tillë.
– Me teknologjinë e lartë, je e lidhur?
– Po…
– Po me rrjetet sociale?
– Jam, por nuk jam shumë aktive. E di që është gabim, por premtoj që në të ardhmen do të jem më shumë.
– Ç’mendim ke për gazetën “Intervista”?
– Gazeta “Intervista” është një gazetë që u ka dhënë mundësinë, jo vetëm neve këngëtarëve të rinj, por të gjithë artistëve në përgjithësi të promovojnë veten dhe të bëhen të njohur për punën e tyre, na jep një mundësi të jashtëzakonshme.
– Na bëj një mbyllje sipas mënyrës tënde…
– Unë jam origjinale dhe fansave të mi u premtoj që do të kenë kaq shumë këngë e klipe sa të kënaqen duke kënduar dhe kërcyer. Familjes sime i premtoj që nuk do ta zhgënjej kurrë. Areva.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *