Eshtë vetëm 23 vjeç, por ka vite që është lidhur me ekranin, që, siç thotë ai, është dashuria e tij e madhe. Sezoni i ri televiziv e ka gjetur Klintonin moderator të emisionit “Mess”. Në këtë intervistë, Klinton Zeqiraj tregon për eksperiencën e tij të re në “Mess”, si ka ndryshuar nga dalja e parë në ekran dhe se ku do ta shohim në sezone të tjera…

– Klinton, ky është sezoni i parë në “Mess”. Si ndihesh si moderator i këtij emisioni?
– Po, ky është sezoni i parë për mua në këtë program. Ndihem shumë mirë, pasi është një punë që e bëj me dashuri dhe me pasion. Televizioni është primar për mua dhe mendoj se është puna që di të bëj më mirë, përveç të tjerave. (Qesh)
– Ç’do të thotë të punosh në një emision të tillë?
– Do të thotë të jesh gjatë gjithë kohës në lëvizje. Ky emision, përveç muzikës më të mirë dhe të fundit, përmban shumë rubrika të ndryshme, shoubiz, lifestyle, kuriozitete etj. Unë aty përgatis tematikat e ndryshme dhe intervistoj shumë personazhe të njohura të artit, kryesisht këngëtarë. Në intervistat që zhvilloj me ta, flasim rreth karrierës artistike, jetës së tyre private e të tjera, madje pyetjet kalojnë deri aty, sa ka raste që personazhet vihen në siklet… Mendoj se më përshtatet shumë ky format.
– Cili personazh, nga ata që ke pasur të ftuar, ka qenë më këndshmi?
– Në fakt, kanë qenë shumë personazhe dhe secili prej tyre në llojin e vet është interesant, pasi i zhvilloj intervistat në atë mënyrë që personazhi të ndihet sa më rehat dhe të shfaqet pa komplekse, por do të veçoja, për shembull, aktoren e humorit, Rita Lati. Me të kemi bërë gallatë gjatë gjithë intervistës duke kujtuar batutat e saj dhe, realisht, kemi qeshur pa fund. Me këtë rast, gjej mundësinë t’i falënderoj të gjitha personazhet që kanë qenë deri tani pjesë e emisionit dhe t’u them: të gjithë keni qenë fantastikë!
– Nuk ka pasur ndonjë që ta ka sjellë në majë të hundës?
– Nuk do ta thoja këtë për personazhet që kam intervistuar, pasi të gjithë janë treguar shumë të gatshëm dhe të sjellshëm me mua, por ndoshta mund të përmendja një pjesë tjetër të vogël të VIP-ave që kohët e fundit janë bërë me menaxherë dhe thonë: “Me gjithë qejf do vija në emision, por s’më lë menaxheri”. S’duhet të harrojmë që është media ajo që të rrit artistikisht dhe të bën me famë, sigurisht, përveç talentit dhe suksesit. Njeriu, në radhë të parë, duhet të jetë i thjeshtë dhe popullor, pavarësisht se çfarë mund të jetë në jetën artistike.
– Do të ketë sezone të tjera “Mess” për Klintonin?
– Besoj se po!
– Pse i keni vënë këtë titull emisionit?
– ”Mess” ka kuptimin e mirëfilltë të fjalës në anglisht, pra, rrëmujë. Këtë rrëmujë e bëjmë ne çdo ditë nga ora 15:30 deri 17:00 në ekranin e Channel One. Aty, në studio, është edhe kolegia ime, Rudina, e cila publikon muzikën më të mirë dhe jep informacion për çdo gjë që ka të bëjë me botën e shoubizit. Gjithashtu, edhe pse “Mess” është një emision rinor, ne trajtojmë tematika të ndryshme aktuale, që i shqetësojnë të gjithë. Edhe personazhet që vijnë në emision janë shumë të njohur për publikun, ndaj kemi audiencë të të gjitha moshave.
– Klinton, nëse nuk do të ishe gazetar kulture, çfarë rubrikash do të preferoje?
– Hëm, s’e di, ndoshta do të mbuloja kronikën e zezë. (Qesh) Bëj shaka, në fakt, arti dhe kultura më përshtaten më shumë.
– Pse u bëre gazetar?
– Ky profesion më përshtatet. Që i vogël kam qenë shumë orator dhe llafazan, madje më kujtohet që drejtoja shpesh edhe festivalet e lagjes…
– Si i ke marrëdhëniet me kamerën?
– Çuditërisht, me kamerat kam një marrëdhënie shumë të mirë. Asnjëherë s’kam patur komplekse, ndoshta nga dëshira e madhe që kam patur për ekranin. Edhe pjesëmarja ime nëpër emisione dhe aktivitete te ndryshme më ka bërë që të mos kem emocione. Pastaj, përveç televizionit, një tjetër hobi që unë kam është dhe modelingu, pra, jam mësuar me aparatin fotografik dhe me kamerat…
– Ti je vetë gazetar. Si ndihesh kur të intervistojnë gazetarët e tjerë?
– Përgjithësisht, në intervista jam vetvetja, por e vërteta është që ka shumë rëndësi edhe se kush të interviston.
– Cilat vlerësime dhe kritika për emisionin të kanë mbetur në mendje?
– Kam marrë shumë vlerësime për emisionin, madje edhe nga njerëz shumë profesionistë në fushën e gazetarisë dhe të medias, të cilët më kanë uruar dhe më kanë komplimentuar! Përsa u përket kritikave, të drejtpërdrejta nuk kam patur deri tani, por këshilla e rekomandime të ndryshme, po…
– Çfarë këshillash do t’u jepje atyre që duan të punojnë në televizion?
– Do t’u rekomandoja të gjithë atyre që kanë dëshirë të shfaqen në ekran, se kryesorja është ta duan atë që bëjnë, të jenë këmbëngulës dhe të kenë besim në vetvete.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *