1. Zemra rreh, në saje të impulseve elektrike:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër

2. Aritminë e veshores së zemrës e shkakton stresi:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër

3. Në gjendje të qetë, një zemër normale rreh:
a. 60-100 herë/minutë
b. 120-150 herë/minutë
c. 150-200 herë/minutë

4. Njeriu e kupton vetë kur ka aritmi:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër

5. Cila grupmoshë ka më shumë gjasa të vuajë nga një aritmi e tillë?
a. Njerëzit në të 30-tat
b. Në të 40-tat
c. Mbi të 60-tat

6. Aritmia shton rrezikun e:
a. Goditjes në tru
b. Diabetit
c. Verbimit

7. Cila është analiza më e mirë për të diagnostikuar një aritmi?
a. Testi i stresit
b. Rezonanca magnetike
c. EKG (elektrokardiograma)

8. Pirja me tepri e alkoolit shton rrezikun për aritmi:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër

9. Nëse i jep një goditje elektrike zemrës, kjo mund t’ju ndihmojë me aritminë:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër

10. Nëse ke aritmi, ke nevojë për pacemaker (aparat që vihet në zemër për të rregulluar rrahjet e saj):
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër

11. Nëse trajtoni apnenë e gjumit, aritmia mund të largohet:
a. E vërtetë
b. Gënjeshtër

Përgjigjet
1. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Një zemër e shëndetshme ka një rrahje të rregullt dhe të qëndrueshme si sahat. Për ta bërë zemrën të rrahë, sinjalet elektrike udhëtojnë nga maja e zemrës në fund të saj. Kjo e bën zemrën të pompojë gjak. Një mosfunksionim në këtë sistem elektrik mund të shkaktojë aritminë e veshores, tipin më të zakonshëm të rrahjeve jonormale të zemrës. Nëse keni këtë lloj aritmie, dy dhomat e sipërme të zemrës, që në gjuhën shkencore quhen atria, apo veshore, nuk rrahin normalisht ose rregullisht, por rrahin shumë shpejt, ose dridhen si një tas me xhelatinë.
2. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Zemra juaj mund të rrahë më shpejt kur ju jeni të stresuar, apo bëni fizkulturë, por kjo është diçka normale. Është dëmtimi i sistemit elektrik të zemrës dhe jo ajo që ndjeni apo bëni, që e shkakton këtë lloj aritmie. Ndër arsyet që e shkaktojnë këtë janë sëmundjet e zemrës dhe presioni i lartë i gjakut. Inflamacioni i zemrës gjithashtu luan një rol. Nganjëherë, doktorët nuk e gjejnë shkakun se pse pacienti e ka këtë lloj aritmie.
3. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Zemra është një muskul i mrekullueshëm. Ajo pompon gjak në trup me një ritëm 60-100 herë/minutë. Këto janë rrahjet normale të zemrës. Kur vuan nga aritmia e veshores, atëherë ajo rreh me një ritëm 80-160 rrahje/minutë.
4. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Njeriu nuk e kupton gjithmonë vetë se ka probleme me rrahjen e zemrës. Shumë njerëz nuk kanë simptoma, por shenjat më të zakonshme të aritmisë përfshijnë fërgëllimin e kraharorit, një ndjesi sikur zemra është duke rrahur shumë shpejt, ose fort, marrje mendsh, dhimbje gjoksi dhe lodhje të shpejtë kur bën fizkulturë.
5. Përgjigjja e saktë është c-ja.
Rreziku për të pasur aritmi rritet me kalimin e moshës, sidomos kur je mbi 60 vjeç. Kur plakesh, shtohet rreziku për sëmundjet e zemrës dhe probleme të tjera të shëndetit. Rol mund të luajë edhe trashëgimia; afro 1/3 e njerëzve që vuajnë nga aritmia, kanë një të afërm që vuan prej saj.
6. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Njerëzit me aritmi rrezikohen 5-7 herë më shumë që të kenë goditje në tru. Kur vuan nga aritmia, zemra nuk e pompon gjakun në trup ashtu si duhet. Nganjëherë, gjaku grumbullohet në veshore dhe formon droçka. Nëse njëra prej tyre shkon në tru, mund të shkaktojë një goditje, por edhe në pjesë të tjera të trupit mund të shkaktojë probleme. Trajtimi me ilaçe mund ta pakësojë në njëfarë mase këtë rrezik.
7. Përgjigjja e saktë është c-ja.
Nëse doktori juaj mendon se keni aritmi, ai do t’ju bëjë një analizë që quhet EKG. Kjo është një analizë e thjeshtë që nuk shkakton dhimbje dhe më e dobishmja, në rast se keni aritmi. EKG-ja regjistron sa shpejt rreh zemra juaj dhe nëse rrahjet janë normale. Megjithatë, EKG-ja i mat rrahjet vetëm për disa sekonda, ndaj doktori mund t’ju kërkojë të vini një aparat që i monitoron rrahjet e zemrës për një kohë më të gjatë.
8. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Disa njerëz kanë aritmi pas një operacioni zemre apo pas një infarkti. Juve, gjithashtu, mund t’ju vënë në rrezik probleme të tjera shëndeti si, sasia e lartë e hormoneve të tiroides në trup, diabeti dhe sëmundjet e zemrës. Edhe pirja e alkoolit me tepri mund të dëmtojë zemrën, duke shkaktuar aritmi.
9. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Kjo mund të duket shokuese, por mund ta kthejë zemrën në ritmin e saj normal. Procedura quhet kardioversioni elektrik dhe vepron duke përdorur një rrymë të dobët, për një fragment të shkurtër kohe, që ta ndihmojë zemrën të rrahë normalisht. Për ta bërë këtë, doktori ju jep një ilaç që ju vë në gjumë dhe pastaj, përdor dy paleta me elektricitet (si ato që shohim nëpër filma) për të rregulluar ritmin e zemrës.
10. Përgjigjja e saktë është b-ja.
Aritmia te disa njerëz mund të kontrollohet vetëm me ilaçe, ndërsa të tjerë kanë nevojë për procedura për shkatërrimin e indeve që shkaktojnë ritmin jonormal të zemrës. Vetëm në disa raste, doktori vendos se ju keni nevojë për pacemaker.
11. Përgjigjja e saktë është a-ja.
Njerëzit me apne gjumi e ndërpresin frymëmarrjen kur flenë gjumë. Kjo gjendje e rrezikshme mund të shkaktojë aritmi. Doktori mund t’ju bëjë një studim të gjumit nëse keni aritmi, gërhisni apo jeni mbipeshë. Aritmia nganjëherë largohet kur trajtohet apnea.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *