Përshëndetje gazeta Intervista . Këtu në Kavajë, gazeta juaj pëlqehet shumë dhe ju falendërojmë që keni shkrime për të gjitha moshat. Më pëlqen shumë që i keni kushtuar hapsirë edhe kuzhinës në gazetën tuaj. Kam një pyetje për shefin e kuzhinës. Kam gatuar sallatë të ftohtë me fruta deti dhe më doli goxha e shijshme, por doja të dija si gatuhet kjo sallatë me avokado. Kam përshtypjen që duhet të jetë akoma më shumë e shijshme. Faleminderit. Ada Kavajë.
Përgjigjet Shef Miri, restorant “Il Tipico”: Ada, përshëndetje. Sallata e ftohtë me fruta deti, është një gatim që pëlqehet dhe është e shijshme dhe me vlera ushqyese për trupin e njeriut,sidomos kur shoqërohet me avokado. Është një gatim i thjeshtë por shumë I mirë dhe një shoqërues I mirë për verën. Për të gatuar këtë sallatë duhen:
Karkaleca 100 gr
Oktapod 100 gr
Kallamar 100 gr
Sepie 100 gr
Midhje 100 gr
Karrota 1
Avokado 1 kokërr
Kripë
Piper
Vaj ulliri
Limon
Përgatitja:
Vendosim një tenxhere me ujë në zjarr dhe njëkohësisht fillojmë me pastrimin e frutave të detit. Pasi I kemi pastruar hedhim në tenxhere oktapodin të parin ,duke qenë se do goxha kohë që të përgatitet. Pas 10-15 minutash hedhim kallamarët, sepiet, karkalecat, midhjet dhe karrotën e prerë në formë kubike. I lëmë të ziejnë për afro 15 minuta. Më pas i marrim, i kullojmë dhe I ftohim në ujë dhe i presim në forma të vogla. I marinojmë me vaj, kripë, piper dhe limon. I lëmë për dy orë në frigorifer . Në fund i shtojmë edhe avokadon të prerë në formë kubike. Ju bëftë mirë.