“Nuk më the lamtumirë” dhe “Shuje” janë dy klipe që këngëtarja Kledjona Hasani ose e njohur në muzikë si Klodiana, i ka sjellë për publikun në dy zhanre të ndryshme, një baladë dhe një ritmike, këngë të cilat kanë gjetur vend në shijet e publikut dhe janë pëlqyer mjaft. Ajo po realizon edhe xhirimet e fundit të klipit më të ri, që do ta lançojë shumë shpejt, si projektin e saj të verës dhe premisat për sukses janë po aq të mëdha sa edhe me dy këngët e sipërpërmendura. Suksese, Klodiana!
Fabjola Kuburi:- Ke sjellë klipe, foto të bukura, koncerte, ku do të arrish, cilat janë synimet e tua?
Kledjona Hasani(Klodiana):- Unë gjithmonë kam synuar për më të mirën dhe gjithmonë kam përzgjedhur edhe rrugën në të cilën të përmbushja këto synime, të punoja, të kisha përkushtim dhe të realizoja këngë sa më të bukura. Besoj se deri diku ia kam arritur. Fotot i kam pasion por edhe kërkoj një realizim dinjitoz të tyre, nuk kam qejf të përdoren programe fotoshopi apo ku di unë, më pëlqen thjesht, bukur, pa shumë ndërhyrje dhe deformime.
– Na trego pak për këngët dhe klipet e tua, cilët ke më përzemër?
– Të gjitha këngët që kam kënduar, këndoj apo do këndoj, unë ia dua shumë por dy këngë që vërtet i kam përzemër sepse janë realizuar me detaje siç i kam kërkuar unë , janë kënga e fundit “Shuje” që e kam realizuar në studion e Alandy dhe balada “Nuk më the lamtumirë”. Jam goxha e lidhur me baladat dhe i këndoj më shumë dashuri, edhe pse kënga “Shuje” u realizua në një nivel shumë të arrirë. I dua shumë të dyja këto këngë.
– A mendon se do ketë suksesin e këtyre dy këngëve, edhe kënga e re që po përgatit ta sjellësh me klip?
– Shpresoj që po, kënga e re që unë jam në punë e sipër me xhirimet e klipit, është një këngë e bukur që shpresoj të zërë vend në zemrat e publikut, kaq sa këto këngë, pse jo edhe më shumë.
– Çfarë duhet të na shkojë nëpër mendje kur përmendim emrin Klodiana Hasani?
– Duhet të keni parasysh një këngëtare por edhe një lozonjare të mirë.(Buzëqesh)
– Ti në çdo këngë sjell dashuri, por ke edhe një dozë dhimbjeje, përjetimi dhe mallëngjimi. Pse?
– Dashuria është temë universal, është ndjenjë që nuk ka njeri në botë që nuk e do dhe nuk e provon, pra është diçka rreth së cilës, vërtitet gjithçka. Pastaj, nga dashuria rrjedhin edhe ndjenja dhe emocione të tjera, përjetime, zhgënjime, mallëngjim. Është tema më aktuale dhe besoj sa të ketë njerëzim, do jetë. Jo të gjitha tekstet janë vetjake, i shkruan dikush dhe këngëtari si profesionist, duhet ta interpretojë si përjetim.
– Ke plane, udhëtime, je gjithë kohës në lëvizje, pra nuk ke monotoni. Gjithsesi, a ke çaste vetmie dhe mërzie?
-Si të gjithë njerëzit e tjerë, kam edhe unë momente të mijat të cilat më sjellin mërzi apo edhe dëshirë për të qëndruar vetëm, lodhja nëpër koncerte apo mbrëmje muzikore është është një nga faktorët që e sjell këtë, gjithsesi, kemi nje jetë me mundësi zgjedhjeje dhe udhëtimet e bëjnë më të bukur jetën.
– A mendon se gjithmonë ke fituar atë që ke merituar apo dikush është munduar të të hyjë në hak?
– Edhe nëse janë munduar, në fund të fundit secili merr atë që meriton. Ndoshta, kjo më ka bërë mua që të eci përpara.
– A ke ndonjë pasion tjetër, përveç muzikës?
– Aktrimin, interpretimin e kam shumë pasion. Jap maksimumin kur realizoj klipet, sepse edhe ato vetë kanë një dozë aktrimi në to.
– Ti dukesh femër që do të kalojë me “qetësi” në shoë-bizz, por duket sikur ajo qetesi bën goxha zhurmë, apo e kam gabim?
– Kjo ka qenë mënyra që kam dashur të vij dhe të eci në muzikë, të bëj zhurmë me qetësi.(Buzëqesh)
– Arti e gjen rrugën e vet dhe ti tashmë ti e ke gjëtur këtë rrugë. A je e kënaqur me atë që ke arritur apo pretendimet për më të mirën, nuk mbarojnë kurrë?
– Njeriu, gjithmonë ka qenë është dhe do jetë në kërkim për më të mirën. Unë, nuk kërkoj majat sepse pas majës fillon zbritja por kërkoj nivelin, të arrirën, jo perfekten.
– Klodi, cila ka qenë hera e fundit që dikush të ka thënë “sa e talentuar je”?
– E kam dëgjuar dhe jo pak herë të më thonë që jam e talentuar, por jo nga kolegët edhe pse më ka habitur gjithmonë ky fakt që nuk e thonë asnjëherë, por nga publiku dhe për mua kjo është edhe ajo që më vlerëeson më shumë punën që bëj dhe atë që I servir publikut. Hera e fundit që e kam dëgjuar ka qenë mbrëmë, në koncert.
– Si do ta quaje këtë intervistë?
– Një intervistë të këndshme, me pyetje të bukura dhe që më solli pozitivitet.