– Kam një problem. Nuk mbushem dot me frymë, më shtrëngon gjoksi dhe më duket sikur do të vdes. Jam vizituar te patologia që më ka thënë se jam tip që stresohem për pak gjë, prandaj e kam këtë gjendje. Theksoj se nuk kam kaluar asgjë që të më bëjë të ndihem keq. Jam 21 vjeç, student dhe bëj jetë normale, por sinqerisht, më merret fryma kohët e fundit. Vërtet mund ta kem nga stresi, por çfarë stresi, sepse thashë që s’kam asnjë problem konkret?
Bora Marku, psikologe: – Nga shenjat që jepni do t’ju këshilloja të bëni një vizitë dhe te doktori i tiroideve ose alergologu sepse shpeshherë ndodh që pas shenjave të tilla, të ketë ndonjë problem tiroidja juaj ose keni alergji pranverore në këtë periudhë dhe ju duket sikur e keni psikologjike. Ju vetë shpreheni se nuk keni asgjë konkrete, nuk po kaloni ndonjë stres, atëherë vizitohuni te këta dy doktorë që ju thashë dhe bëni disa analiza për të parë gjendjen tuaj shëndetësore. Në të kundërt, pra, nëse nuk keni probleme të tilla, do t’ju sugjeroja të regjistroheshit në ndonjë aktivitet sportiv, palestër, vrap në natyrë apo edhe not në ndonjë pishinë. Këto do t’ju ndihmojnë të çliroheni nga gjendje të tilla ankthi. E fundit fare që do t’ju sugjeroja është një psikiatër i cili do t’ju japë ndonjë mjekim bimor që ta kaloni këtë gjendje. Ndoshta keni mungesa gjumi dhe ju s’e kuptoni, pasi edhe kjo e fundit shkakton gjendje të tilla. Gjumi është shumë i rëndësishëm, siç është edhe shëndeti në përgjithësi. Të shkuara dhe mos u frikësoni, sepse çdo gjë rregullohet, mjafton të vizitoheni dhe të gjendet shkaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *