Po sikur të mjaftonin disa këshilla të mira që një çift t’i rezistonte kohës? Për të njohur sekretet e një çifti që ka jetëgjatësi, ne kemi takuar seksologen Karolinë Lëru. Një lidhje mund të zgjasë edhe pa seks? A mund të falet gjithçka në një lidhje; edhe tradhtia apo xhelozia? A zgjat 3 vjet dashuria? Si ta mbash gjallë flakën edhe pasi kanë kaluar vite? Gjeni recetën magjike të një çifi që ka jetëgjatësi.
– A mund të zgjasë lidhja në çift pa seks?
– Ndryshimi mes një çifti dhe një lidhjeje miqësore është pikërisht seksi. Nëse nuk ka marrëdhënie seksuale mes dy partnerëve, a mund të flitet realisht për çift? Seksi është ai që çimenton një lidhje. Me një fjalë, në përgjithësi, pa seks, çifti është i destinuar të dështojë. Sigurisht, nuk flasim këtu për çiftet e vjetra në moshë…
– Ka të ardhme një lidhje në distancë?
– Kur flitet për dashuri në distancë, atëherë kjo nuk është më një lidhje. Në fakt, kur je në çift, duhet të banosh bashkë me tjetrin dhe ta jetosh me të jetën e përditshme. Kur përjeton një lidhje në distancë, nuk e ke më këtë gjë, pra, nuk bëhet më fjalë për një lidhje. Kjo mund të jetë një mënyrë e mirë njohjeje, por me kalimin e kohës, këto çifte nuk zgjasin. Është mirë në fillim, por është shumë më mirë nëse më pas keni mundësi të jetoni së bashku.
– Është normale në një çift të ketë periudha dyshimi?
– Normalisht, kur je në çift dhe ke besim te tjetri, nuk ke pse i bën vetes pyetje. Nëse i bën vetes pyetje të tilla, atëherë ka gjëra të vogla që nuk shkojnë në çift. Në këto raste, duhet diskutuar me partnerin/en. Nëse situata nuk rregullohet me biseda, atëherë lidhja s’e ka të gjatë…
– A mund ta falësh tjetrin kur bën një gabim?
– Kjo varet nga njeriu. Gënjeshtrat janë të vështira për t’u pranuar, sidomos tradhtia. A mund ta falësh atë? Disa arrijnë ta bëjnë, por çfarëdo që të ndodhë, dijeni se duhet kohë për të rifituar besimin te tjetri. Nëse nuk arrin ta falësh krejtësisht partnerin, do ta kesh shumë të vështirë ta vazhdosh lidhjen.
– Që një çift të zgjasë, i duhet thënë gjithçka tjetrit?
– Jo, çdo pjesëtar i çiftit duhet të ketë sekretet e tij. Sekrete quajmë gjërat që kanë ndodhur para lidhjes. Sigurisht, mund t’i thuash tjetrit që ke qenë i lidhur me filanin dhe sa kohë kanë zgjatur lidhjet e mëparshme, por duhet të mbash për vete detajet e lidhjes e duhet të evitosh krijimin e xhelozive të kota.
– Çfarë nevojitet për t’i shtuar jetëgjatësinë një çifti?
– Është shumë e vështirë t’i përgjigjesh kësaj pyetjeje sepse çdo njeri është i ndryshëm. Gjëja kryesore mbetet komunikimi, të mos e tradhtosh tjetrin dhe të përpiqesh gjithmonë ta dëgjosh atë. Por, në realitet, nuk ka një zgjidhje mrekullibërëse për ta bërë lidhjen të zgjasë.
– Si ta mbash flakën gjallë, edhe me kalimin e viteve?
– Që të zgjasë flaka, thelbësor, përveç seksit, mbetet sensualiteti. Nuk mund ta thyesh rutinën, por mund të gjesh pak kohë për ta kaluar vetëm për vetëm me partnerin. Duhet mbajtur gjallë erotizmi në lidhje, sensualiteti dhe përkujdesjet e vogla që përbëjnë ndryshimin.
– Thonë se dashuria zgjat tre vjet… Ky, është një mit, apo realitet?
– Disa thonë tre vjet, të tjerë 18 muaj, ose një vit. Në fakt, ekziston një afat, një moment në një lidhje kur ka konflikte dhe tensione të vogla. Arsyeja? Rutina. Dhe, në këtë rast, duhen bërë ca kompromise. Për fat të mirë, ka çifte që zgjasin më shumë se tre vjet.