– A mund të më thoni ndonjë ushtrim për heqjen e dhjamit anash vitheve? Unë kam trup të rregullt e të mirë, por vetëm aty kam kile pak më shumë seç duhet. Më shqetëson ky fakt. Cilat janë ushtrimet më të mira?
Mario, instruktor: – Së pari, do t’ju sugjeroja të bëni ushtrime kardio dhe sidomos biçikletë. Biçikleta është ushtrimi më i mirë sidomos për pjesën e dhjamit anash vitheve sepse po ta shikoni ndërkohë që ushtroheni në biçikletë, trysnia më e madhe është te barku dhe te pjesa anash vitheve, duke lënë mënjanë që edhe këmbët stërviten shumë mirë. Ushtrime të tjera për të ulur dhjamin anash vitheve janë ushtrimet aerobike me step, kërcimi, si dhe ushtrimet me ulje e ngritje në vend, por duke mbajtur pesha në duar. Ushtrimi më i mirë është ulja e ngritja siç e shikoni në figurën poshtë. Ky ushtrim ju ndihmon jo vetëm për heqjen e dhjamit anash vitheve, por edhe për tonifikimin e vitheve. Kini parasysh ta mbani shpinën në mënyrë korrekte dhe shtrëngoni mesin gjatë ekzekutimit të ushtrimit që të mos keni dhimbje më pas. Kur ngriheni, bëjeni ngadalë që të mos keni probleme me gjunjët apo mesin. Bëjini tre herë në javë këto ushtrime, me nga 15 sete çdo herë.