– Ju lutem më jepni një këshillë për situatën në të cilën ndodhem. Jam e lidhur me një djalë prej një viti tashmë. Me thënë të drejtën, unë nuk i jam dhënë në marrëdhënie seksuale sepse më ka gënjyer disa herë përsa u përket hapave seriozë që duhet të hedhim, pasi më pati thënë që do të fejoheshim brenda vitit dhe nuk bë u asgjë. Unë i thashë: “pasi të bëhen gjërat serioze, kur ta ndjej që ti më do vërtet”. Pastaj më tha: “Nuk e di sa do ta zgjatësh këtë lojë”… S’e kuptoj sjelljen e tij, sinqerisht… Nga njëra anë them t’i jepem se nuk dua ta humbas, por përsëri nuk ndihem e sigurt me të. Ai, veç kësaj, më paragjykon si e prapambetur. Ju, çfarë më këshilloni?
Borana Marku, psikologe – E nderuar lexuese, e kuptoj shqetësimin tuaj dhe mendoj se duhet të jeni e bindur dhe e gatshme kur të hidhni hapin për të cilin flisni. Ju keni të drejtë në atë çfarë mendoni, por edhe ai që është mashkull, ka nevojat e veta fiziologjike dhe dihet që meshkujt janë më të ndjeshëm në këtë pikë. Por, në qoftë se ju nuk e ndjeni të hidhni një hap të tillë, nuk keni pse ta bëni nga frika se mos e humbisni. Në fillim duhet të kuptoni nëse gjithçka që ju thotë djali është serioze. Ai ju ka gënjyer përsa i përket fejesës! Çfarë e ndalon atë t’i bëjë gjërat serioze me ju dhe më pas të shkoni drejt një hapi më të avancuar siç është intimiteti dhe ju të jeni më e qetë. Ka vajza që nuk e kanë problem këtë pjesë të marrëdhënies në çift dhe bëjnë marrëdhënie seksuale edhe pa u fejuar, gjë që nuk kemi pse ta gjykojmë, por ka dhe vajza të tilla si puna juaj që janë të ndjeshme në këtë pikë. Pra, çdonjëri prej nesh është i lirë të bëjë ç’të dojë dhe ta mendojë marrëdhënien në çift si të dojë; askush nuk duhet paragjykuar. Ju duket që e doni vërtet këtë djalë, por keni shumë frikë dhe kjo, për shkak të një gënjeshtre nga ana e tij. Duhet t’i besoni intuitës tuaj. Nëse ai ju dashuron vërtet, do të dijë t’i bëjë gjërat e duhura si për ju, ashtu edhe për veten. Duhet t’i shpjegoni se nuk është lojë, por pasiguri. Gjithashtu, duhet të keni parasysh që të mos ia lejoni t’ju bëjë presion psikologjik. Një person që ju do vërtet, nuk ju bën presion, por gjen zgjidhjen e përbashkët që të dy të jeni të kënaqur. Uroj të merrni vendimin e duhur.