Quhem Ana dhe sapo jam ndarë nga i dashuri im.

E kisha takuar përpara dy vjetësh, rastësisht.

Ai në atë kohë ishte i lidhur me dikë tjetër, por ne u dashuruam me njëri-tjetrin, kështu që ai u nda nga e dashura e tij dhe ne menjëherë vendosëm të bashkëjetonim.

Isha rrëmbyer nga gjithë ai entuziazëm dhe dashuri që nisa të ndieja papritur për të.

Filluam të bënim së bashku një jetë të qetë, por të bukur. Shkonim bashkë në shumë vende, nuk linim teatër apo film pa parë, kafene, restorant apo pab pa shijuar. Jeta me të ishte e bukur, fantastike, deri një ditë, kur atij iu desh të nisej për një udhëtim pune. Para se të largohej disa ditë, vendosëm të festonim në një restorant ku ne shkojmë shpesh.

Aty Sokoli takoi një shoqen e tij të vjetër me burrin. Ata u bashkuan me ne. Ishte një grua e re, e këndshme në bisedë dhe në paraqitje. Ia kalova vërtet mirë. Në darkë, kur shkuam në shtëpi, nisëm të bënim shaka për shoqen e tij dhe burrin e saj. Më tha që kishte kohë pa i parë dhe se ajo kishte ndryshuar.

“Për mirë?”, e pyeta unë.

“Jo, po! S’e di! Kishte ndryshuar!”.

E pashë që ishte zhytur në mendime dhe mendova se me siguri po kujtonte se si kishte qenë edhe ai vetë në të kaluarën.

Të nesërmen Sokoli u largua për disa ditë. Kur u kthye e kuptova që më kishte marrë malli tmerrësisht për të. Edhe atë për mua. E kaluam javën si njerëz që s’janë parë prej vitesh. I qëndroja gjatë gjithë kohës afër dhe ndjeja se e doja shumë. Ato ditë kishin qenë periudha më e gjatë që qëndruam të ndarë.

Që nga ajo kohë kaloi një vit. Unë vazhdoja të isha e lumtur. Sokolin vazhdoja ta dashuroja po aq fort sa ditën e parë.

Ditët tona vazhdonin të ishin të bukura. Paraditen e kalonim që të dy në punë. Unë kthehesha më herët në shtëpi. Gatuaja kur mundesha dhe prisja që të kthehej edhe ai. Më pas bënim planin e mbrëmjes.

Atë ditë, Sokoli u vonua më shumë se zakonisht. Kur erdhi më tha se kishte qenë në pab duke pirë birra me shokët e zyrës.

“Do dalim?”, e pyeta.

“Jo, unë dua që ti të ulesh në divan dhe të më dëgjosh me vëmendje!”.

Nuk po kuptoja asgjë.

“Nuk e kam të lehtë të ta them këtë!”, nisi ai. “Të kujtohet ajo shoqja ime që takuam në restorant?”.

Unë pohova me kokë.

“…Si të ta them… Unë e dua!”.

Kjo fjali aq e shkurtër më ra si bombë.

“Po ajo është e martuar!”, i thashë, megjithëse e kuptoja që nuk kishte lidhje… Nisa të qaja. Nuk dija çfarë t’i thosha.

“Kur? Sa kohë ka kjo histori?”, e pyeta.

“…Një vit!”.

Pastaj ai nisi të më thoshte se e donte atë, por edhe për mua ushqente ndjenja, se ishte pikërisht fakti që shoqja e tij nuk e dëshironte aq sa unë që e bënte atë të tërhiqej drejt saj. Mua më dukeshin të tëra idiotësira.

Nuk po kuptoja se përse ky njeri që po më tregonte se do të bëhej xheloz nëse do të më shihte me një tjetër, po më thoshte që në fakt dashuronte shoqen e tij. Isha konfuze. Më kërkoi që të rrija, sepse edhe ai kishte dyshime. Atë natë qëndrova, por nuk më zuri gjumi pothuajse fare. Koli më kishte hedhur krahët rreth mesit, si për t’u siguruar që unë nuk do të ikja, por unë në fakt e bëra.

Prita derisa nisi të zbardhte dita dhe u ngrita nga krevati. Sokoli lëvizi pak.

“Fli!”, i thashë. “Po shkoj të bëj gati mëngjesin!”.

Por në fakt u vesha dhe ika. Nuk e di si është ndjerë ai kur e ka parë që unë nuk isha aty. Nuk e di, pasi ende nuk e kam takuar dhe nuk mendoj se do ta takoj.

Tek unë ishte thyer diçka në momentin që ai më tregoi për tradhtinë. Nëse e dua? Oh, e dua aq shumë sa mund të vdisja për të pa e menduar dy herë, por nuk e di a do t’i besoja dot më! Kjo është më e keqja!

Ai mëkatoi sepse e donte pranë atë femër, e cila nuk e dëshironte aq shumë sa unë. Dhe me gjithë ndjenjat që kishte për mua, shkoi me të. Është e çuditshme! Po a nuk mjafton dashuria në një çift? Me sa duket, jo!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *