“SOT ËSHTË DITARDHJA IME. GËZUAR!
-Medi Koxhaj “shkruan” në ditlindjen e vet, nga “Galaksia X”-
Përshëndetje miqtë e mi, që jetoni në atë cep të Ballkanit. Gëzoheni jetën, dhe mos ju trembni asnjëherë asaj që quhet vdekje. Unë ndihem shumë emocional, ndërsa, në këtë ditvdekje të Skënderbeut, kujtoj ditardhjen time. Por kështu ka qënë: Ca qeshin , ca qajnë… Ca përkujtojnë ditëlindje, ca ditëvdekje. Por unë me kranari u them: Linda kur vdiq Skënderbeu. Ika, kur iku një vit, dhe u varrosa një vit më pas, në ditën e parë të Vitit të Ri 2016. Ndaj në këtë ikje që unë e quaj “me fat” nga larg, shumë larg u them qetësisht: Festoni jetën! Gezoni gjënë më magjike: Jetën tuaj dhe të të dashurve tuaj!…
Unë nuk ndihem i vdekur, por të jem i sinqertë, as nuk jam i gjallë në tokë. Unë kam ikur në një “botë tjetër” siç thoshim kur isha i gjallë, por tani që “arropllani-raketë” ka zbarkuar tek “Galaxia X”, unë vendosa të flas, kur fjalët për mua kanë heshtur, dhe njerëzit janë bërë akull, si dimri që ka trokitur në Tiranë…
Ju “pëshpëris” nga një botë shumë, shumë e largët, aq e largët nga Toka dhe Dielli, saqë asnjë imagjinatë nuk mund ta rrokë e ta përshkruajë saktësisht. As Dante, as Kadare, as unë, as Keko…Imagjinata nuk mund ta rrokë këtë cep galaksie që unë po e quaj “Galaksia X”.
Po kjo është një galaksi,ku shpirtrat fluturojnë, dhe mendjet ndrisin si xixëllonjat aty në Tokë.Është një “tjetër botë” këtu: ka paqe, ka vetëm hapësirë e dritë, ka gjithshka që ka nevojë shpirti. Nuk ka qeveri dhe policë, nuk ka politikanë apo hajdutë.Nuk ka parlament. Ka vetëm rreze dhe fotone drite, dhe çdo foton është një shpirt “limturisht i vdekur”…
Është një Galaksi tjetër, miq ku vijnë më të mirët dhe janë të garantuar të gjithë. Nuk është “parajsa” apo “ferri” që u rrëfejnë çdo ditë, “biznesmenët” e feve. Këtu është një galaxi pafund….Shumë e shumë larg nga Toka jonë e trazuar. Dhe sepse unë isha aq i lidhur me jetën tuaj, me jetën time aty në Shqipëri, pas shumë shumë lutjesh, më dhanë “liridalje” të flas me ju në këtë ditëlindje, ose siç më pëlqen ta quaj Ditardhje. Sot unë jam 57 vjeçar burrë, baba,dajo,xhaxha që nuk u bëra dot krushk apo gjysh, si shumë që e kanë fat, në planetin që quhet Tokë!
Miqtë e mi të mirë, që gëzoni jetën në Tokë. Hiç mos u shqetësoni që unë kam vdekur, sëpse me gjithjë dëshirën time për të qënë “përjetë me ju”, ika edhe unë si gjithë të tjerët. Dhe ju nuk e keni idenë se ku jam. Shumë nga ju mbajnë mend vetëm një gjë “Mediu vdiq…”! Shumë nga ju kujtojnë vetëm funeralin tim, ku unë ju “pashë” të gjithëve të qanit dhimbshëm në ditikjen time. U “vështroja” një nga një, “ledhatova” me duart a mia fytyrat e tua të përlotura, ndërsa unë ikja dhe nuk mund të flisja. E pashë me sytë e mi tmerrin tuaj, dhe përpiqesha të çohesha dhe tu thosha: “Mos më qani…Unë po ik. Nuk po vdes…” Por unë muk mundesha, sepse arkivoli im ishte “kopsitur” mirë, dukë mos më lënë asnjë mundësia të “arratisesha” nga “qelia” pa drita dhe ujë. Edhe “shakatë e kripura të Duçes” që u tregonte Artan Kristo nga Athina, nuk ishin shaka, por përpjekje të vërteta, por unë nuk mund të dilja nga arkivoli, se do ta kisha bërë atë copë rrugë deri në Tufinë si shofer, sepse unë “vdisja të udhëtoja me makinë”. Ku nuk kam shkuar me makinë, cep më cep të Europës, me fëmijët e mi dhe me Mirën-Fatin tim të madh… Sepse jeta ime në timon, ishte një vetëqënie dhe vëmendje kujdesplot, që askush mos “lëndohej” nga soditja ime mbi timon… Dhe në gjithë këto udhëtime, pranë meje qëndrontë vigjilente -Mira- “policja” që më shpëtoi nga gjobat dhe aksidentet e mundshme… Unë isha “dashnor” i jetës dhe udhëtimeve me makinë… Ndaj i kam treguar shumë shaka Tan Kristos të “Intervistës” në Athinë…
Kur viti i ri ka kaluar, dhe gjithsecili tashmë është futur në “rutinën e ditës” shqiptare, unë “kthehem” tek ju, jo si “lugat” që unë nuk i besoj, por vij tek ju për tu zgjuar nga “gjumi i së përditshmës” e për tu thënë: Ju dua o miq të mirë. Sot është ditlindja ime, dhe ëndrra ime imagjinare është që këtë diltlindje në ditvjedkjen e Skënderbeut, ta festoja me të gjithë ju që erdhët në ditvdekjen time. Ardhja juaj në atë ditë të parë Janari 2016, ishe një “cynam” për familjen time, që unë edhe sikur të shkoj në dhjetë galaxi të tjera, nuk mund ta harroj. Ishte fuqia e shpirtit tuaj, që u bë një “motor” më shumë në fluturimin tim drejt galaxisë sime. Unë nuk di si tua shpejgoj se ku jam dhe si ndiej diellin dhe dritën, si ndiej jetën që iku, dhe jetën që vjen, si ndiej çdo dridhërimë të shpirtit tuaj për ikjen time. Unë jam në një univers tjetër miq, është galaksi tjetër…Shumë, shumë larg. Shumë ,shumë e ndritshme. Shumë, shumë pa dhimbje dhe halle.Është “galaxia ime” . Të fluturosh deri këtu, nuk është e lehtë. Së pari, të nisësh fluturimin drejt “galaksisë sime” duhet të pranosh “divorcin” me trupin tënd. Unë jam martuar vetëm një herë , dhe puthja ime e parë dhe e fundit, është vetëm Mira…Ndaj fjala “divorc” më ka rrëngjethur shpirtin për secilin që kam dëgjuar. Unë i përulem nga kjo Galaxi, vajzës nga Pogradeci që ma bëri jetën dritë në atë cep të Tokës. Mira ime e dashur. Më fal për dhimbjet që të dhashë. Më fal për mundimet, “udhëtimet e pa dëshiruara” drejt Stambollit apo Minneapolisit të Amerikës… Unë më mirë se askush në atë rruzull toke, njoh mundin dhe dashurinë tënde diamant. Njoh dhe çmoj qëndresën ndaj fatkeqsisë që na ra në “short” ndaj quhemi bashkëshortë. Në këtë bashkëshortësi, ti ishe dhurata më e mirë për mua, ishe Mira si Maro Mokra… Isha Mira Poradeci që më fale dashuri, dritë, jetë e trashëgimi…Më fal që ika, por nuk mundej të qëndroja më. Ti, Mira ime, ishe për mua universi që më mungon këtu,e nuk dëshiroj të vish kurrë, edhe pse të dua… E bukur, shpirtçelur, e dashur, e dëgjuar, e durueshme, grua dhe nënë, shoqe dhe kolege, debatuese dhe dëgjuese, nevrike dhe “pulkë”, udhëtare dhe “vigjilente” në çdo kthesë që unë merrja me Lexusin … Unë gabova vetëm një herë në timon, Mirë e dashur, dekada më parë kur ramë të gjithë në një kanal me Audin-Askona, kur shkonim në Durrës. (Si thotë populli flajëmençur “Jetëgjati nuk bëhët jetëshkurtër”)… Qysh asaj dite-shpëtimi të madh, thashë: Nuk gaboj më kurrë. Dhe kurrë nuk e gërvishta Lexusin tim që e lashë aty…
Të “divorcohesh” me trupin tënd, është detyrimi dhe heroizmi më i madh që të gjithë të gjallët një ditë do ta bëjnë. Herët ose vonë. Vjen një ditë dhe “dorëzohesh” ndaj një “divorci” të trishmshëm që nuk ka nevojë për “nënshkrimin” tënd. Kur vjen, vjen dhe s’ka krijesë t’i rezistojë më burrërisht se unë…Besomëni është një “divorc diktatorial” që askush s’ka guxuar ta denoncojë, as diktatorët më të tmerrshëm në botë… Është vërtet “lufta finale”, është vërtet “vendimtare” siç thonë proletarët e botës, por është e pamundur ta përshkruash dhe të bësh secilin të të besojë…Është dhimbje dhe triumf “divorci” me trupin tënd ku është amëshura: një shpirt dhe plot ëndërra, një zemër dhe dy duar, dy sy dhe një mendje, dy veshë dhe një hundë, një stomak dhe dy hyrje-dalje, dy palë zorrë dhe një mëlçi, dy “laboratorë kimik” (veshkat) që zbrazen tek një “rezervuar uji” prej ku derdhen “ujart” drejt piles, ku dy kokrra pranë njëra tjetrës, “vigjilojnë”” përherë derdhjen e “Vjosës” në det……” Mos më qeshni. Më tregoni ku gënjej. Të vërtetat duhen thënë edhe kur të bëjnë për të qeshur, edhe kur të bëjnë “si të marrë” siç thonë shkodranët. Sepse askush si unë nuk lexoi më shumë mbi “Trupin dhe shëndetin” e Flamur Topit të famshëm, rreth “betejës për jetën”.. Kur ika, disa më quajtën “dashnor i madh” i jetë në tokë, si Gëllçi, apo Zoto. E vërtëtë kolegët e mi. Falë këtij përshkrimi të karakterit tim nga “Jeta në Tokë”,më është dhënë mundësia dhe “liridlalja” që të “flas” me ju, dhe tu tregoj pikëvështrimin tim për jetën atje dhe këtu. Besomëni: Njeriu nuk vdes. Njeriu ik diku. Kjo ikje, që aq dramatikisht jetohet në Ballkan dhe përtej atij gadishulli, është në të vërtetë “Rilindje në një tjetër Galaksi”. Ju lutem mos ngatërroni këtë që u them, me ato “profka politikanësh”. Sepse kudo dhe gjithnjë, ata që duhan “ofiqe” në emrin tuaj, Obama i Amerikës,apo Edi i Shqipërisë janë njësoj në “premtimet për popullin”. Ata llafosin bukur para turmave…
Miqtë e mi që jeni aty! Jeta në tokë është shumë kompekse. Jeta në Shqipëri ështe tejet e vështirë. Duke reflektuar në jetën timë, sërish kujtoj Migjenin e madh: “Përherë shoh qartë e më qartë, dhe vuaj thellë e më thellë…” Ai ishte djaloshi i madh që u tregoi shqiptarëve poetikisht kuptimin e jetë. Por askush nuk e kuptoi, askush nuk e ndoqi, askush nuk zbërtheu sentencën poetike e filozofike të këtij talenti shqiptar, që vdiq gati një herë më i ri se unë. Kam kërkuar në “galaxinë time” nëse një foton migjenian mund të ndodhet gjëkundi diku, por ende nuk kam mundur. Mos harroni unë jam një “emigrant i ri” ndaj më duhet kohë të njoh universin e galaxisë sime…
Ju nuk kuptoni një gjë në atë rruzull: Jeta aty është potencialisht e bukur. Jeta aty është ndryshe në të gjitha ndjesitë dhe dimensionet e veta: sfiduese, e befasishme, intriguese, lënduese, ëndërruese, zhgënjyese… Jeta aty të bën të gëzosh lindjen dhe vdekjen, besën dhe tradhëtinë, dashurinë dhe pabesinë, sinqeritetin dhe kurthin, mikun dhe shtirmikun, të vërtetën dhe gënjeshtrën, dhimbjen dhe qetësinë, fantazinë dhe çmendurinë, servilizmin dhe burrërinë, paranë dhe varfërinë…Jeta në tokë është një “univers i të gjithave”…Këtu është selekionuar më e mira. Jeta aty në tokë vjen nga hici dhe shkon diku, këtu në galaxinë time jeta është “Konstant e bukur”. Nuk e di pse unë sërish jam nostalgjik për atë “jetë furtunë” në Ballkanin tim. Ndaj edhe në këto pak orë “liridalje” dua të shprehem aq sa mundem që ju të më kuptoni se “Jeni me fat të jetoni”. Duke thënë këtë, nuk më vjen keq që kam vdekur. Më vjen keq se nuk mund të kthehem. Këtu ligjet janë ligje, jo si “llapaqenet” e pafundme shqiptare…. Këtu e bardha është e bardhë dhe e zeza e zezë, jo si paravdekja ime ku krahas dhimbjeve fizike, kam përjetuar edhe “kakofoninë” e shekullit të një kombi që flet për lashtësi dhe shekuj mbijetese, por që nuk di të vendosë ende pikat mbi “i” dhe t’i bashkohet vullnetit për të bërë shtet…Jemi fatkeqë apo dashakeqë?.. Nuk e di. Është pyetje për të gjallët… Ndaj flas me ju o njerëz të gjallë. Dua të sjell tek ju shembullin tim, jo si lavdi që ju në Tiranë jeni aq të thekur, por si eksperiencë the realitet të jetuar: E vetmja “pronë private” që duhet të kujdeseni është trupi juaj. Sa më të shëndetshëm e keni trupin tuaj, aq të pasur jeni…
Jam përleshur “dhëmb më dhemb” me vdekjen, sepse e kam dashur jetën. Ndaj edhe për ju miqtë e mi jam vetme një këshillë: Guxoni jetën. Mos e kini frikë vdekjen. Përherë të gjallët kanë qarë të vdekurit, por unë dua të vij me nje mesazh tjetër: kur dikush vdes, këndoni rreth jetës që ai jetoi, jo të vini kujat rreth trupit të pajetë….
Në dekadat që mu dhanë të jetoja në Tiranën time të dashur, unë bëra të pamundurën që jeta ime t’i vlente dikujt. Kjo është kryesore: Kujt i vlen jeta jote? Së pari familjes, trashëgimtarëve, të afërmve, njerëzve që njeh… Unë kapërceva kufijtë. Ndërtova biznese që punësuan njerëz në nevojë. Unë mora njerëz nga rruga “duke shitur paketa cigaresh” dhe i mësova si të bëjnë miliona. Nuk jam pishman. Ata thellë-thellë e dinë sa shumë kam bërë, por nuk kanë guxim ta pranojnë. As në varrimin tim nuk i pashë “milionerët” që krijova, por ska gjë. Së paku ata nuk do të mund të vijnë në galaxinë time. Sepse të vish deri këtu, duhen “motorrë specialë” mirësie, që fatkeqësisht shumë njerëz nuk i kanë. Ndaj ndërsa përditë zgjoheni dhe i thoni njëri tjetrit mirëmëngjez, “zgjoni” edhe një mirësi në shpirt, zgjoni një ëndërr dhe krijoni diçka që ndikon në jetën e dikujt.Krijoni diçka që mbetet, që zhvillohet, trashëgohet… Numuroni paret në xhepin tuaj, mos hamendësoni sa fitojnë të tjerët. Investoni kur mundeni, dhe ndihmoni kur ndihma varet në dorën tuaj. Mos prisni mirënjohjen nga ata që ndihmoni, as ndonjë të mirë dirket prej tyre. Të mirat do u vojnë befasisht nga ata që nuk i keni njohur kurrë… Është një aksiomë jete kjo. Krijoni vlera që ngelen mbi tokë, sepse nëse keni fat të merrni “Arropllanin-raketë” për të ardhur në Galaxintë e pafund të Universit , (kur tu vijë koha), asnjë bagazh nuk lejohet. Siç e dini , kockat dhe arkivoli ngelen në tokë… Mua kjo më kujton në këtë rast “Gozhdën e Nastradinit”, që në vite e vite do të “ndryshket” pa parë kurrë “pallton” e Nastradinit. Ç’ti bësh. Është ligj universal…
Por mos u dëshpëroni nga gjynahqarët, që thonë “s’marrim gjë me vete”. Këtu nuk të duhet gjë… Këtu të duhet vetëm shpirti kristal. Çdo gjë e krijuar mbetet aty, sepse aty është “jetë me kërkesa”…
Sodisni vetëm një shembull të njerëzimit: Amerikën. Ajo “nuk ra nga qielli”, atë nuk krijuan as mbretërit, as perandorët e Europës apo Azisë. Amerika u krijua nga “të dëshpëruarit” dhe të “dështuarit” në vendlindjet e tyre… Shikoni madhështinë që është krijuar. Sepse tek ai kontinent njerëzit krijojnë që të ngelë, dhe nuk merakosen “ç’marrin me vete”… Po qe se cinizmi i shpirtit varfanjak do të dominonte botën, njerëzimi mund të jetonte ende në shpella… Vështroni Amerikën, jo si politikë dhe aventure politikanësh, por si një shembull të njeriut të lirë dhe ëndërrimtar, si model i “jetës që krijon” dhe ikën…
Kam qënë dy herë aty. Në vitin 1995, bashkë me një mikun tim dhe fëmijët tanë, i ramë cep më cep. Nga Minneapolis në Hollivud, Sandiego,Arizona, Çicago, Detroid, Columbus… etj. Kudo madhështi dhe hapësirë. Kudo punë dhe vepër njeriu… Aty njeriu punon të krijojë. Ky është edhe misioni i jetës, miqtë e mi…
Më falni se u zgjata me Amerikën, por unë kam parë me sytë e mi edhe sa e sa shqiptarë, që aty kanë mundur “të jetojnë ndryshe”. “Liridaljes” sime po i ikën koha. Le te ndaj një kujtim të fundit:
Tre vjet më parë unë u riktheva në Minneapolis, SHBA, jo si turist, por si pacient. Aty në Piper Institute më bënë të gjitha analizat, dhe më nxorrën “të lirë nga sëmundja” (Cancer free)… Kjo ndodhi 3 vjet më parë. Aty festova bashkë me miq të familjes, “triumfin” tim mbi sëmundjen… Ishte ditlindja më ngazëlluese në jetën time. Ishte tiumf i jetës. Aty në Mall Of America, (MOA) të Minesotës, nëse ju bie rasti të shëtisni, apo darkoni diku në të ardhmen tuaj, në ato llamburitje dritash dhe ballona ditlindjesh, diku, diku nëpër drita-yje, apo të qeshura fëmijësh në park, është “fotografuar” gëzimi im i triumfit mbi vdekjen, edhe pse nuk zgjati shumë… Minneapolis i Minesotës në Amerikë, më dha gezimin më të madh në festimin e ditlindjes sime 3 vjet më parë: shpresën e triumfit. Aty miqtë e mi shqiptaro-amerikanë më dhuruan një telefon intelegjen(Iphone si i thonë) të Steve Jobs, për atë ditlindje-simbol… Është një dhuratë që edhe këtu më ngazëllejnë sytë kur e kujtoj. Fjala dhe gëzimi i përcjellë përmes saj, bisedat e shakatë tona, janë thelbi i jetës… Sepse ajo që u bën të qani më shumë rreth një trupi të pajetë, është pikërisht: Mungesa e fjalës dhe e të qeshurës…
Ndaj flisni dhe qeshni. Bëni shaka pa fund..Tregoni histori, qyfyre, humor, shaka, aventura rinie, flisni për ëndrrat si “tharmi” më i qëndrueshëm i jetës. Lereni vdekjen në të vetën. Duheni njëri tjetrin sa jeni gjallë. Kot kujtoheni të vizitoni dikë që ka vdekur, ndërsa kur ishte gjallë, kurrë nuk bëtë një telefon…
Nuk më besoni që u “flas” nga Galaksia X në këtë ditlindje? Kujtoni se kam vdekur përgjithmonë? Besoni se, pas vdekjes, unë nuk ekzistoj aspak në tjetër Galaksi? Ju duken këto shënime “përrallë dhe fantazi”? Mbase… Edhe unë po të isha në Tokë si ju, mbase ashtu do të mendoja… Por kam guximin tu them sërish se unë kam ikur, por nuk jam zhdukur…Shpirti im jeton. Por unë nuk qaj dot, as nuk qesh, nuk ju shoh, dhe as më shihni, nuk flas dot më shqip, as nuk kuptoj më, nuk dashuroj dot si dikur, por mendoj çdo çast për jetën në Tokë. Dua të buçasë mesazhi im: Njeriu ik, por nuk vdes. Njeriu ik diku, shumë, shumë larg në “destinacion të paditur”… Shumë, shumë vite larg në universin pa anë e fund…Aty si shpirt e dritë, je dikush tjetër, dhe nuk e di se kush… E dhimbshme? Me siguri. Por unë e përsëris: Çdo vdekje, është edhe një ikje në drejtime tepër enigmatike dhe rastësore, në pafundësinë e Universit. Në këtë ikje miq, vetëm një në 500 trilion njerëz mund tu bjerë rasti të “dislokohen” në të njëjtën Galaxi. Ndaj ai këngëtari i anës tjetër të liqenit të Poradecit, i këndon bukur jetës: “Jeta është e shkurtër, vdekja është e gjatë…”
Nëse një njeri 75 vjet më parë do t’u thoshte njerëzve se do vijë një ditë që fjala të “fluturojë” rreth Globit e do të ndihet kudo, aq shpejt sa ndihet pickimi në trupin tënd, tamam siç ju përditë e jetoni në telefona pa tel dhe internet këto ditë, ai do tregohej me gisht si “i marrë, që s’di ç’flet”… Mendoni vetëm pak sa shumë gjëra ka ndryshuar njeriu 50 vjetët e fundit.
Ju mbase kështu do më quani edhe mua në këto të thëna “pas vdekjes”. Jo, unë nuk jam i tillë. Unë sapo kam zbuluar një dukuri universi, që askush nuk e ka treguar si unë. Unë thjesht mora guximin t’u tregoj juve “sekrete” që Qeveritë dhe Fetë aty në Tokë,nuk duan t’i dini. Unë kam zbuluar pavdëkësinë në Universin e pafund, me të vërtetën e hidhur që ne nuk takohemi më kurrë, si dikur në Tokë. Kurrë! Kurrë! Ky është i vetmi “ferr” në Univers.
Unë thjesht rastësisht mu dha rasti të bëj këtë “zbulim”, për të cilën nuk kam nevojë as për dekoratë nga Nishani, as për çmim Nobël nga ai komisioni i famshëm në Tokë.
Ju flet Medi Koxhaj nga një Galaxi në univers, në ditardhjen e vet në tokë 57 vjet më parë:
Njerëz të asaj Toke! Njerëz të asaj Shqipërie: Gëzohuni jetës. Duhuni me njëri tjetrin! Mos u bëni hipokritë… Shënoni edhe dy fjalë të fundit:
“Kush jeton, do vdesë një ditë,
Ndaj krijo…, të lesh pas dritë…”
**************************************************************
–Shënime të “diktofonuara” nga Medi Koxhaj, pas vdekjes-
I hodhi në letër
Shefqet Meko,
Minneapolis, SHBA.
Minneapolis, 17 Janar 2016