Anila përshëndetje! Çfarë të frymëzoi të specializohesh në dizajnin e brendshëm të ambjenteve?
Rrugëtimi im drejt fushës magjepsëse të artit ka qenë i gjatë dhe i vështirë, dhe tashmë i jam përkushtuar prej shumë vitesh, saqë dëshira e madhe për të krijuar dhe për të bërë art, ka bërë të mundur që formimin tim të parë universitar si ekonomiste ta kaloj në plan të dytë dhe ti përkushtohem më shumë arkitekturës së brendshme dhe  pikturës. Shpeshherë kam ndjesinë se dashuria ime për artin ka lindur me mua, aq sa mendoj se arti është ajo që dua më shumë si profesion dhe ku ndjehem më shumë e përfshirë dhe e angazhuar. Po me vjen në mendje një shprehje ku thuhej “Gjëja më e rëndësishme nga të gjitha në jetë është zgjedhja e profesionit”. Pas përfundimit të studimeve në fushën e artit pamor në Akademinë e Arteve të Universitetit Yorville në Toronto, u ktheva në Shqipëri ku m’u desh të përballesha me vështirësitë e një profesioni/tregu në zhvillim e sipër, që ishte kaotik, me mungesë transparence e konkurrence të pandershme. Profesioni që kisha zgjedhur dhe isha shkolluar, ende në Shqipëri nuk ushtrohej mirëfilltasi, dhe klientët nuk kishin mundësi për zgjedhje të informuara. Megjithatë, nuk u dekurajova kurrë, përkundrazi këmbëngulja dhe më shumë dhe në sajë të kësaj këmbënguljeje dhe pune të palodhurpër të krijuar diçka ndryshe nga të tjerët, që të kisha identitetin tim krijues në një profesion/treg në zhvillim, kam arritur disa rezultate inkurajuese dhe të kam arritur të kem një tipologji artdashësi të caktuar. Tashmë profesioni si Interior Design po ushtrohet gjithnjë e më shumë dhe më me përkujdesje, madje është një degë e veçantë që po ofrohet në universitetet private. Profesion i vështirë, por shumë i bukur. Them shpesh që arti lind me njeriun dhe njeriu frymëzohet nga mjedisi që e rrethon dhe energjia që përcjell. Është kënaqësi dhe ndjesi e veçantë kur ëndrrat e tua bëhen realitet dhe veçanërisht kur ke punuar shumë për t’i arritur ato.  

Si i qasesh krijimit të dizajneve unike dhe të personalizuara për shtëpitë e atyre që duan që banesat, rezidencat apo edhe ambjente të tjera të realizohen nga mendja dhe dora jote?
Në shumë projekte që unë kam realizuar jam frymëzuar nga elemetët artistikë që janë ngulitur në kujtesën time. Kam kamufluar edhe dëshirat e klientëve, pasi për të realizuar një projekt nuk mjaftojnë vetëm idetë, materialet, stilimi, por sa jep nga vetja dhe sa origjinal je në mënyrën si e koncepton një design dhe si e përshtat me nevojat dhe dëshirat e klientit. Për të lënë gjurmë në një projekt dhe për të qenë sa më i veçantë, kam parasysh tre elementë: ndriçimin (rrezatimin e dritës), pikturat, dhe përfshirjen e natyrës dhe peisazhit natyral në ambjentin e brendshëm. Gjithnjë përpiqem t’i jap jetë një ambienti dhe ta bëj atë sa më të veçantë nëpërmjet kombinimit të ngjyrave me ndriçimin dhe natyrën, dhe njëkohësisht sa më qetësues.

Si qëndron e përditësuar me tendencat dhe risitë më të fundit në industrinë e dizajnit të brendshëm?
Tendencat dhe risitë në fushën e arredimit në këtë sezon mbështeten gjerësisht në atë që ofron mjedisi që na rrethon, duke përfshirë materiale, ngjyra dhe tekstura që mund të gjenden në natyrë. Klientëve dhe shumë miqve të mi u rekomandoj që të përfshijnë në dekorimin e hapsirave të brendshme paletat e toneve të kaltra, ngjyrave të tokës dhe materiale të tilla si druri, guri, xhami etj. Këto materiale dhe ngjyra vijnë me emërtimin ”koncept i natyrës”, dekor që arrihet duke krijuar një oaz të vogël të bimëve të llojeve dhe madhësive të ndryshme. Gjithashtu vlen për t’u përmendur edhe tualeti, pasi për shumë njerëz tualeti është dhoma e parapëlqyer e apartamentit, pasi lidhet me çastepërkujdesjeje për veten, njëkohësisht me relaksin pas një dite të lodhshme. Dizenjimi i brendshëm i përket nje diapazoni mjaft të gjerë dhe shtrihet mes thjeshtësisë e luksit. Megjithëse tendencat ndryshojnë herë pas here, që do të thotë se ato ndryshojnë nga tonet neutrale dhe natyrale, deri tek motivet tradicionale, tropical design (me lule apo hijeni të ndritshme). Sidoqoftë, nuk duhet të ngurroni të jeni origjinalë dhe t’i kombinoni këto tendenca në mënyrën tuaj.

Cilat janë disa sfida të zakonshme me të cilat përballen pronarët e shtëpive kur ridizenjojnë hapësirat e tyre të jetesës?
Në rrugëtimin tim prej më se një dekade, kam patur projekte të cilat kanë ngelur në mendjen time. Më pëlqejnë sfidat, ku pothuajse në cdo projekt bie ndesh me to. Sfidat në të cilat edhe pronarët e objekteve përballen, janë hapësirat e brendëshme, kolonat, tubacionet, kabllimet elektrike, nivelimi i hapësirës, lartësia e tavaneve, e shumë probleme që hasim gjatë punës. 

Cilat tendenca kyçe parashikon në formësimin e dizajnit të brendshëm të ambjenteve rezidencale në Shqipëri për 2024-2025?
Trendi i 2024-2025, janë ngjyrat e bronzit, argjendi ose shkëlqimi i artë, blu. Gjithashtu janë një risi patinimet dekorative të ciat realizojnë pamje 3D. Disa nga stilet më trend në këtë periudhë janë stili industrial, bashkëkohor, klasik e ndërthurur me tradicionalen. Stili industrial i  referohet një tendence estetike në dizajnin e brendshëm që merr gjurmë nga fabrikat e vjetra dhe hapësira industriale. Elementet e stilit industrial jane hekuri, druri, ngjyrat e tokës, etj. Në verë mund të përdorim një larmi ngjyrash, si e kuqe në portokalli, e verdhe në ar, blu saks e kaltër. Këto ngjyra më së miri përdoren si pikat kryesore kundër një sfondi neutral në kontrast me ngjyrat e ftohta. Të mundohemi të krijojmë një mjedis me sa më shumë dritë. Kjo është shumë e rëndësishme pasi, theksoj gjithmonë,lejon dritën natyrale të përshkojë hapsirën e brendshme. Gjithashtu sjell natyrën brenda nëpërmjet luleve, të cilat sjellin shumë freski në këto ditë të nxehta.

A mund të japësh disa këshilla se si ata që kanë në zotërim një ambjent apo shtëpi mund të përfshijnë praktika të qëndrueshme të projektimit të brendshëm në ambientet e tyre? 
Mund të keni mundësi shumë të kufizuara kur nuk keni shumë para për të shpenzuar në një projekt rinovimi, por me përgatitje të mjaftueshme, sigurisht që mund të bëni një punë të shkëlqyer. Çfarë ju duhet të bëni është t’u jepni përparësi pjesëve të mjedisit që janë më të rëndësishmet për ju, bashkë me aksesorët që do të kenë më shumë kuptim ose do të përdoren më shumë. Kur dizenjojnë një hapësirë të brendëshme, njerëzit shpesh fillojnë me mobiljet si divanët, kuzhina etj, të cilat do të përdoren çdo ditë pothuajse nga e gjithë familja. Ndaj është shumë e rendësishme t’i kushtoni më shumë nga buxheti juaj, që të keni një cilësi të mirë dhe të zgjasin shumë. Kjo do të thotë që një pjesë do të jetë gjithashtu më e shtrenjtë. Si përfundim, ju do të doni të ndani nevojat tuaja për të përcaktuar se në cilin aspekt duhet të shpenzoni më shumë dhe ato që do të kushtojnë më pak. Kur vendosni të rinovoni shtëpinë tuaj, mund të ketë disa ide për të personalizuar ambientet tuaja të brendshme. Fatkeqësisht, nëse kjo është hera e parë që po trajtoni një rinovim ose një rinovim të brendshëm, mund të hasni disa pengesa që e bëjnë të vështirë zbatimin e ideve tuaja. Për t’ju lehtësuar punën tuaj, ju mund të filloni me veprën tuaj të preferuar të artit në atë dhomë dhe të përgatisni një skemë ngjyrash që është frymëzuar prej saj. Nëse vepra e artit është moderne dhe shumëngjyrëshe, mund të merrni parasysh mobilje moderne dhe me ngjyrat monokrom, në mënyrë që syri të tërhiqet nga arti. Sa më thjesht, dhe të përdorni një stil. Mos e ngarkoni shumë hapësirën tuaj! Dizenjimi i thjeshtë është më i pranuar për syrin tuaj, që do të thotë se nuk do t’ju mërzitet mjedisi ku jetoni, si dhe është shumë më praktik në mirëmbajtje. 

Çfarë këshille do t’u jepnit dizajnerëve të brendshëm aspirantë që kërkojnë të krijojnë një karrierë të suksesshme në industrinë e dizajnit në Shqipëri?
Nga përvoja, them se për të patur një karrierë të sukseshme, në rradhë të parë duhet të jeni vetvetja, të punoni fort për të realizuar ëndrrat tuaja. Kjo është një arsye për të qenë entuziastë në atë që bëni. Mos ndiqni paratë dhe mos lini që financat të bëhen motivimi kryesor. Fillimi i karrierës do të jetë i vështirë për portofolin tuaj dhe do të mbijetojë me sukses në fillim, vetëm nëse ju keni mjaftueshëm besim. Studioni sa më shumë, njihuni me trendet e reja, jini mendjehapur, dhe çelësi i suksesit është të mësoni të punoni në grup, të ndani idetë tuaja me grupin e punës, por jo me individë që synojnë të “vjedhin” idenë tënde dhe ta tregtojnë si idenë e tyre. Idetë janë rrënja e krijimit dhë fryma e inovacionit. 

Mes pikturës dhe disajnit të brendshëm, si i balancon përkushtimin e kohës dhe angazhimin tënd, duke pasur parasysh se të dyja duan mjaft kohë fizike për t’i realizuar me sukses?
Të merresh me art është investim i materializuar nëpotencialin e krijimtarisë artistike, por edhe në kohën fizike që i kushton, siç ju parashtruat. Pavarësisht se janë dy fusha të ndryshme të të shprehurit të artit pamor, secila kërkon kohën e vet. Më të vështirë e ka arti pamor pikturën, pasi është krijimtari, dhe si e tillë kërkon frymëzimin e duhur për të realizuar një vepër, ndërsa profesioni si Interior Designer ka fushë më të gjerë veprimi, ku imagjinata nuk ka kufij, dhe sfida ngelet realizimi i të imagjinueshmes. Kjo është e bukura e të qenit Interior Designer, dhe mbase duke qenë njëkohësisht dhe piktore, e kam më të lehtë për të realizuar çdo projekt dhe për të ekuilibruar këto dy displina të artit pamor.

Në fund, një ekspozitë në ardhje, një projekt që pret të jetësohet…çfarë ka në planet e tua afatshkurtra?
Jemi në sezonin e verës, është mëse normale që në punën tonë të kemi ngarkesë, pasi stina e verës është përgjithësisht koha kur klientët duan të bëjnë ndryshime në ambientet rezidenciale (vila apo apartamente) dhe ato tregtare (bujtina apo hotele). Mendoj se pas një periudhe pushimesh me familjen,  do rinis ku e kam lënë, pranë projekteve që duhen mbyllur në kohë. Nuk kam ndonjë plan për një ekspozitë vetjake, por ftesave për pjesëmarrje në aktiviteteve të ndryshme u jam përgjigjur pozitivisht. Jam duke përfunduar një kolazh me punime, që mezi pres t’i ndaj me artdashësit e mi që më kanë mbështetur në vijimësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *