Ornela Ahmetaj: Dashuria ime përralloreDashuri është ndjenja që mban ekzistencën mbi sipërfaqen e tokës. Dashuri të mëdha ka, madje edhe shumë dhe një ndër to është edhe dashuria me Ornelës dhe Gentit, një çifti që e shikojnë dashurinë e tyre si përrallë të gjallë e të jetuar. Ornela Ahmetaj, është një vajzë që është rritur pranë bukurisë së detit, adhuron shëtitjet buzë tij,gatimin, leximin dhe ka një jetë sociale shumë të bukur dhe dasma e saj nuk kishte si të ishte ndryshe. Një ceremoni përkrah personit që dashuron, e rrethuar me shumë dashuri dhe vështrime që bekojnë.Për të arritur tek dasma, e nisim rrëfimin nga dita që Ornela dhe bashkëshortin e saj Gentin u njohën. Ndërkohë që pimë një çaj të ngrohtë ajo me sytë që i shkëlqejnë fillon e më tregon dashurinë e saj përrallore: “U njohëm me Gentin kur punon si kryetar i studentëve bullgarë nga Diaspora në Bullgari ndërsa unë isha një studente që vinte nga Shqipëria në Sofje. Sot Genti është avokat, ndërsa unë kam mbaruar studimet për Financë-Kontabilitet. Jemi takuar në Sofje dhe që ditën e parë që e pashë, ndjeva që do ishte burri im i ardhshëm. U pamë në aeroport në 1.10.2004 dhe më pas në dtën 08.10.2004, kur unë kisha edhe ditëlindjen ai erdhi më takoi me preteksin se kishte punë. E ndjemë për njëri-tjetrin të njëjtën gjë dhe pa kuptuar kishim nisur një histori shumë të bukur dashurie që vazhdon ende sot dhe është e kurorëzuar me martesë. Për 20 vjetorin tim të lindjes, ai më çoi në një vend të mahnitshëm për darkë dhe më kishtë përgatitur një tavolinë me petale trëndafilash, qirinj, shampanjë, një buqetë të madhe me lule dhe një orë dore që unë ende e kam dhe e mbaj si sytë e ballit, sepse ishte dhurata e parë e përvjetori të rëndësishëm që e kaloja me Gentin. Gjatë viteve të lidhjes tonë të dashurisë, por edhe kur i zyrtarizuam gjërat me familjet ai vazhdonte të më surprizonte, sepse është tip romantik në çdo aspekt. Kemi udhëtuar kudo në Europë dhe jo vetëm, si Venezia Romë, Trieste, Milano, Londër, pa përmendur Sofjen që ishte edhe qyteti I dashurisë tonë. Për Shën Valentin më priti tek dilja nga puna me makinën e mbushur me petale trëndafili të freskëta dhe një arush gjigand. Ama, jo vetëm ai më ka bërë surpriza, edhe unë nuk ia lë mëngët(Buzëqesh). Për 35 vjetorin e lindjes ia urova me një banderolë në mes të qytetit të Durrësit, tek bulevardi kryesor“<3 G <3 Edhe 100 vjeç” dhe një paketë për në Splendid Resort në Budva, I zbukurova lokalin ku festuam ditëlindjen dhe ishte një drekë e mrekullueshme mes familjarëve të të dyve Ne u fejuam pas tetë vjetësh lidhjeje dhe martesën e bëmë në 10 vjetorin e lidhjes në 17.08. 2014. Dasmën e organizuam plot një vit me rradhë dhe ishte një dasmë e organizuar me detaje. Kishim 350 të ftuar dhe ishte shumë e emocionuese sepse kishim të ftuar edhe nga ambasada bullgare dhe miq të tij nga Bullgaria. Nuk u mjaftuam me aq për detaje sepse kishim mbledhur dhe bërë montazhin e një klipi me momentet më të bukura të jetës tonë, që kur kemi qenë fëmijë dhe deri paraditës së madhe që u martuam. Shokët e Gentit ishin të veshur të gjithë me bluza të stampuara “Cun si Genti s’ke me gjet”. Emocioni I dasmës zgjati edhe dy muaj pasi u bë dasma, aq bukur ia kaluam.Unë dhe Genti kuptuam se dashuria jonë ishte shumë e fortë sepse ne të dy kemi karakter të fortë, kemi mirëkuptim dhe shumë dashuri për njëri-tjetrin. Sigurisht që nuk ka ndjenjë më të veçantë e të bukur për një vajzë, në ditën e saj të martesës, kur në krah ka njeriun që do, kur martohet atje ku do, kur ka afër njerëzit që do, kur e urojnë të gjithë për jetë të lumtur. Ishte një ditë që kurrë nuk do të harrohet, jo vetëm si ditë e shënuar, por edhe për atë realizim që bëri “Geraldia Sposa” me fustanet e saj, e cila dhe na bëri që ne të ndjeheshim si Hirushja dhe princi i saj, Do ta përkufizoja si përralla më e realizuar në historinë e martesave shqiptare, madje është vlerësuar si dasma më e bukur e vitit 2014. Detaje ka shumë, sepse e gjitha ishte një koncentrim detajesh, por do të veçoja betimin që Genti më bëri mua. Ishte shumë i sinqertë dhe me humor brenda, gjë që e karakterizon gjithnjë atë. Nëse do të kishte njësi matëse për maksimumin e dashurisë, lumturisë e ndjesive të mira, unë do të isha në pikën kulminante të të gjitha këtyre. Ia ka vlejtur një dashuri që kur ishim ende shumë të rinj. Ndihem shumë me fat dhe do të thoja që edhe e meritoj, pse jo?! Kam zgjedhur vetë njeriun e jetës, kam zgjedhur vetë profesionin tim, kam zgjedhur vetë jetën që bëj dhe njerëzit që më rrethojnë. Sinqeriteti dhe humori janë vetitë më të veçanta të Gentit që më kanë bërë të dashurohem pas tij dhe dashuria të jetojë dhe të rritet çdo ditë e më shumë. Ai di t’i vlerësojë njerezit, di të vlerësojë dhe të respektojë femrën dhe mbi të gjitha ka një zemër të madhe dhe dashuri për të gjithë. Unë nuk besoj dhe nuk mendoj të jap receta, apo këshilla se si mund të funksionojë një marrdhënie, por ajo që dihet dhe pak zbatohet është që një marrdhënie duhet të jetë e sinqertë, me larmi reciproke nga të dyja palët. Genti ka një shprehje që mua më pëlqen shumë; që dashuria të funksionojë dhe të jetë jetëgjate ujite në çdo kohë, që nga një fidan ajo të rritet dhe jetojë si një pemë e shëndetshme. Muaji I mjaltit ka qenë një mrekulli, e bëmë në Greqi, në Parga dhe në Turqi në Antalia.Të dy, edhe unë edhe Genti jemi shumë të dashuruar dhe shumë të lumtur me njeri- tjetrin. Kjo ishte dashurie ime përrallore”, përfundon rrëfimin paksa e përmalluar Ornela.
Advertisement