– Doktoreshë Mira, ju përshëndes! Kam një problem. Kam vazhdimisht gëlbaza dhe shije të keqe në gojë. Edhe atëherë kur nuk i kam, më vjen një lëng nga fyti me shijen e tyre. Unë nuk pi duhan, ama rri në një ambient me duhapirës. Besoj se ngaqë e pinë duhanin të tjerët, më ka bërë keq edhe mua. Ndonjëherë gëlbazën e kam në ngjyrë të kuqe. Po sikur të jetë kancer i mushkërive? Ju lutem, më thoni si të veproj? Jam shumë i shqetësuar. 25 vjeçari.
Dr. Mira Xhixha, alergologe: – I nderuar 25 vjeçar, qëndrimi në ambiente ku pihet duhan është njëlloj sikur duhanin ta pinit vetë, pra, edhe ju jeni duhanpirës, por pasiv dhe dëmtimet janë të pashmangshme. Gëlbaza krijohet si pasojë e ekspozimit ndaj duhanit dhe efekti i saj është ta mbrojë organizmin nga depërtimi i mëtejshëm i oksideve të shumta që çlirohen nga tymosja.
– Më vjen keq t’ju them se duhet të largoheni nga ky ambient (besoj, nga profesioni juaj) që të evitoni dëmtimet e mëtejshme. Po kështu, keni nevojë edhe për medikamente për një ose dy muaj që gjendja juaj të përmirësohet sa më mirë dhe sa më shpejt. Me respekt!