Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

A mund të hapet gjyq ndaj meje dhe unë të mos jem në dijeni?

 

– Jam A. nga Tirana dhe kam një shqetësim të cilit nuk po i jap dot zgjidhje. Kam patur një numër me kontratë në kompaninë celulare AMC të cilin vendosa të mos e përdor më pasi në atë kohë isha ngushtë ekonomikisht. Në fakt, unë nuk shkova ta mbyllja tek AMC-ja, por thjesht e fika dhe nuk e përdora më. Kështu, unë nuk pagova dy muajt e fundit për arsyen se s’kisha lekë. Kjo ka ndodhur në vitin 2009. Gjithmonë kam dashur të shkoj ta paguaj detyrimin që kisha në AMC mirëpo, hë sot, hë nesër dhe harrova derisa shkova në shtator të këtij viti. Pasi bëra pagesën, punonjësja e dyqanit më tha se emri im ishte në listën e emrave që AMC-ja i kishte kaluar në një zyrë përmbarimi për të mbledhur paratë e prapambetura. Njëkohësisht më tha që në emrin tim ishte hapur edhe gjyq dhe se unë duhet të shkoja të paguaja, përveç faturës që e pagova, edhe studion përmbarimore. U interesova te zyra përmbarimore dhe përgjigjja e tyre ishte se duhet të paguaja detyrimin ndaj AMC-së, detyrimin ndaj zyrës përmbarimore, si dhe detyrimin ndaj një avokati që gjykata më kishte caktuar për në gjyq, gjyq për të cilin unë nuk kam patur asnjëherë dijeni. Njëkohësisht më thanë që kishin bllokuar dokumentet e makinës që e kam në emrin tim. A ka mundësi të ndodhë gjithë kjo situatë e cila mua më duket absurde? A mund të hapet gjyq dhe unë të mos kem dijeni? A duhet të shkoj unë të paguaj në zyrën e përmbarimit? A është shkelur ndonjë e drejtë e imja në këtë rast?

Av. Vera Xhafaj “Elite Lavv Office” Cel. +355 69 81 81 801: – Përshëndetje i nderuar zonjë/zotëri A. Për arsye të ndryshme, gjithkujt mund t’i ndodhë të mos i paguajë detyrimet në kohë, por i rëndësishëm është ndërgjegjësimi që në një nga ditët sa më afër të jetë e mundur, të shlyhen këto detyrime të prapambetura. Për neglizhencën, harresën apo pamundësinë tuaj financiare (argument i cili sido që të jetë, nuk bën ndonjë ndryshim për çështjen) ju jeni ndodhur në një situatë e cila ju ka sjellë pasoja financiare akoma më të mëdha sesa thjesht një faturë telefonike. Arsyetimi për çështjen tuaj fillon që nga momenti që ju keni firmosur një kontratë për përdorimin e numrit celular me ish-kompaninë telefonike AMC (tani T Mobile), kontratë e cila i ka dhënë të drejtën kompanisë celulare të kërkojë përmbushjen e detyrimit nga ana juaj kundrejt saj. Kjo e drejtë është ushtruar nga AMC-ja, e cila bazuar në Ligjin “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë” si dhe në Ligjin “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ka kontaktuar Zyrën Përmbarimore. Detyrë e kësaj të fundit është mbledhja e debive nga debitorët e kreditorit i cili i vë në lëvizje këto zyra. Zyra Përmbarimore, me të marrë kërkesën nga kreditori (konkretisht, AMC) ka nisur procedurat përmbarimore. Ka filluar me “Lajmërimin për ekzekutimin vullnetar” sipas të cilit debitorit (konkretisht juve) i lihet një afat prej 10 ditësh për ta shlyer detyrimin në mënyrë vullnetare. Në këtë rast, debitori paguan vetëm shumën që ka konkretisht e cila nuk e përfshin tarifën e zyrës përmbarimore, pasi në këtë fazë të procedurës e paguan kreditori. Në rast se debitori nuk e paguan detyrimin vullnetarisht brenda afatit, atëherë zyra përmbarimore del me “Vendimin për ekzekutimin e detyrueshëm”, pas të cilit ligjërisht, zyra e përmbarimit ka të drejtë të bllokojë të gjitha llogaritë që disponon debitori, duke ekzekutuar vetëm shumën sa është detyrimi dhe në këtë fazë të procedurës, shumës i shtohet edhe tarifa përmbarimore. Njëkohësisht, Zyra e Përmbarimit ka të drejtën ligjore të bllokojë çdo pasuri tjetër e cila është në emër të debitorit e cila më mbrapa del në ankand në mënyrë që nga shitja e saj të paguhet detyrimi i debitorit ndaj kreditorit. Me sa më thatë më sipër, juve ju kanë bllokuar dokumentet e makinës. Më lejoni t’ju them se ky bllokim është totalisht ligjor, mirëpo, duke qenë se ju po më thoni që nuk keni patur dijeni për asnjë gjyq që është hapur në emrin tuaj, atëherë unë kuptoj që diçka nuk ka shkuar mirë në procedurat e zyrës përmbarimore.

Advertisement

– Sipas Kodit të Procedurës Civile të Republikës së Shqipërisë, zyra e përmbarimit e ka patur detyrim ligjor të gjejë adresën tuaj në mënyrë që t’ju vinte në dijeni për faktin se ndaj jush po fillojnë disa procedura përmbarimore. Ata duhet t’i kishin ezauruar të gjitha etapat e gjetjes së adresës tuaj. Duhet të kishin nisur shkresë zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë, e cila ka kompetencën që nëpërmjet Regjistrit Elektronik të Gjendjes Civile të gjejë adresën e secilit shtetas shqiptar. Në rast se edhe adresa e gjetur nga policia ka rezultuar e gabuar, atëherë zyra përmbarimore duhet të gjejë adresën e punës së fundit të debitorit. Në rast se edhe këtu ka përgjigje negative, atëherë duhet të kërkojë edhe një herë ndihmën e Policisë së Shtetit për të verifikuar në sistemin TIMS (sistemi i cili tregon hyrje-daljet e shtetasve shqiptarë në kufi) për të vërtetuar nëse debitori ndodhet në Republikën e Shqipërisë apo jashtë saj. Në rast se debitori ndodhet jashtë saj, atëhere zyra përmbarimore, bazuar në nenin 525 të Kodit të Procedurës Civile mund të hapë proces gjyqësor për të kërkuar caktimin e një Përfaqësuesi Ligjor për debitorin në mënyrë që çështja konkrete të ketë një përfundim. Por në rast se debitori nuk është larguar nga Shqipëria, pra, ndodhet brenda kufijve të saj, atëherë zyra përmbarimore duhet të vazhdojë kërkimet së bashku me Policinë e Shtetit për gjetjen e debitorit, në mënyrë që këtij të fundit t’i përmbushet e drejta kushtetuese e informimit për të gjitha procedurat që po ndërmerren ndaj tij.

– Nga çfarë ju shpjegova më sipër, më lejoni t’ju them se situata juaj, duke mos llogaritur disa detaje të vogla, është një rast që ndodh rëndom dhe zyra e përmbarimit e ka detyrim ligjor t’i respektojë në mënyrë rigoroze të gjitha fazat e procedurave të ngarkuara nga ligji. Sa i takon faktit nëse në rastin tuaj duhet të ishte hapur gjyq apo jo, këtë nuk mund t’jua them dot konkretisht pasi kam nevojë të shikoj shkresat, procedurën dhe hapat që ka ndërmarrë konkretisht Zyra e Përmbarimit, të cilat vërtetohen nga dokumentet që përmban dosja juaj te zyra përmbarimore. Për t’i kthyer përgjigje pyetjes tuaj nëse duhet ta paguani ose jo zyrën e përmbarimit, unë mendoj se, pa u verifikuar mirë procedurat e ndjekura nga ajo zyrë, të mos kryeni asnjë pagesë. Pas verifikimit, nëse rezulton se zyra përmbarimore nuk e ka ushtruar siç duhet detyrën e saj duke shmangur procedurat, rrjedhimisht duke shkelur ligjin, atëherë do t’ju sugjeroja t’i drejtoheshit gjykatës me një padi me objekt “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”. Duke shpresuar se ju kam ndihmuar, ju uroj gjithë të mirat!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

A përfitoj pagesë sociale në Itali?

Next Post

Zbulohet në Kinë kërmilli më i vogël i tokës

Advertisement