Rrjeta merimangash

– Mbrëmë pashë në ëndërr sikur shkova në një shtëpi që nuk e njihja fare dhe aty kishte shumë rrjeta merimangash.

Për një moment u bllokova nga rrjetat e tyre dhe i thirra një shokut tim, por ai nuk lëvizi fare dhe unë fillova ta shaja.

Kishte shumë merimanga dhe unë fillova t’i vrisja, por përsëri ndihesha e bllokuar dhe nga sikleti, u zgjova nga gjumi. Ju lutem, a mund të më thoni çfarë kuptimi ka kjo ëndërr?

– Shtëpia e panjohur ku keni shkuar, tregon që do t’i futeni një çështjeje ose një rruge shumë të panjohur që do t’ju sjellë disa probleme. Vetë rrjetat e merimangës tregojnë probleme e pengesa të mëdha dhe, për këtë arsye, do të mërziteni shumë. Në momentin që do të keni nevojë për ndihmë, nuk do të arrini ta merrni atë, sepse edhe ata që ju mendoni se i keni shumë afër, në këto momente, nuk janë afër jush. Do t’ju duhet të luftoni vetë për të arritur çfarë dëshironi, ose të dilni nga rruga që i jeni futur, pa e menduar shumë. Megjithatë, fakti që keni filluar t’i vrisni merimangat, tregon që do t’ia dilni mbanë, sepse karakterizoheni si person i/e guximshëm dhe që rrezikoni.

U putha me ish-të dashurin

U bë ca kohë që shoh në ëndërr ish-të dashurin sikur më përqafon, më ledhaton, më puth dhe ndonjëherë, kryejmë edhe marrëdhënie intime. S’e kuptoj pse e shikoj kaq shumë në ëndërr… Ju lutem, më thoni, a ka ndonjë kuptim të veçantë? Pres përgjigje këtë javë. Faleminderit.

– Ëndrra të tilla, siç edhe jam shprehur në raste të tjera, na shfaqen për disa arsye. Ndonjëherë shprehin mallin, ndjenjat që ekzistojnë akoma për atë djalë, mendimet e përditshme dhe ndonjëherë, bëjnë edhe parashikime të veçanta. Sido që të jetë, ëndrra të tilla shërbejnë për mirë dhe në shumicën e rasteve shprehin shqetësimet që ju provokojnë gjatë ditës, të cilat ju përpiqeni t’i anashkaloni. Mund të jenë mendimet që keni akoma për të që ju shtyjnë të shikoni ëndrra të tilla. Puthja në ëndërr, zakonisht, paraqet zgjimin e ndjenjave të epshit seksual ose ndonjë pjesë të personalitetit që e keni lënë pas dore, ose është thjesht një dëshirë për të jetuar të njëjtat ndjenja erotike dhe kënaqësi. Shumica e lidhjeve të dashurisë fillojnë me puthje dhe vazhdojnë me përqafime. Nëse në ëndrrën tuaj puthja ishte e zjarrtë, mund të jetë dëshira juaj ende e parealizuar ose ajo që thamë më sipër, dëshira për t’i jetuar sërish ato momente. Përgjithësisht, ëndrra juaj tregon nevojën e dashurisë, ngushëllimit, miqësisë, afeksionit nga ana e tij, ose në përgjithësi, të personave me seks të kundërt. Me një fjalë, ju kërkoni një qëndrueshmëri më të madhe. Po ashtu, dëshironi bashkimin fizik dhe shpirtëror me ish-të dashurin. Gjithsesi, nëse ju shikoni që kjo dëshirë nuk vjen në jetën reale, as nga ish-i juaj, do të thotë ta kërkoni këtë dashuri diku tjetër.

Linda fëmijë

– Para dy netësh kam parë në ëndërr sikur kisha lindur një fëmijë dhe isha vetëm fare, pa njeri pranë. Pas pak erdhi babai i fëmijës që të na shikonte se ku jetonim. Në fillim, bebushi m’u duk sikur ishte djalë, kurse më pas e pashë që ishte vajzë. Çfarë kuptimi ka kjo ëndërr, ju lutem?

Lindja e fëmijës, për një vajzë, simbolizon dëshirat e paplotësuara për të patur fëmijë. Po qe se keni patur ndjenja negative, atëhere ëndrra paralajmëron shtatzëni të mundshme, të cilën nuk e dëshironi për momentin. Në përgjithësi, lindja e fëmijës paraqet mundësi të reja, si dhe përvoja të reja në zhvillimin e personalitetit tuaj. Nga ana tjetër, mund të jenë disa plane tuajat për të ardhmen, por që ndiheni e frenuar për t’i realizuar dhe për t’i çuar përpara. Kurse babai që keni parë, po përsëri tregon dëshirën tuaj për të pasur mbështetjen mashkullore të një familjari ose dikujt që e keni, ose që do ta keni për zemër në të ardhmen. Gjithsesi, ëndrra në fund ju tregon që ju do të realizoni ato çfarë dëshironi, pavarësisht probemeve apo pengesave që mund t’ju dalin rrugës. Fati është me ju. Këtë e tregon fakti që i keni parë fëmijët në ëndërr dhe kjo është një shenjë e mirë. Çfarëdolloj gjëje që të nisni, do t’ju realizohet, edhe pse me pak mundim.

Lexonim gazeta

– Në ëndërr isha me një shoqen time që e kam pasur në klasë, por s’kisha shumë muhabet me të. Më pas pashë edhe një shokun tim. Ishim ulur në një karrige dhe kishim në dorë gazeta. I lexonim me shumë kureshtje dhe i shkëmbyem shumë herë këto gazeta. Nuk ishin as gazeta politike, as sportive, por di që po lexonim thashetheme të ndryshme nga bota e muzikës dhe e VIP-ave, kryesisht. A bën ndonjë parashikim kjo ëndërr? Faleminderit.

– Gazetat në ëndërr kanë shumë kuptime. Zakonisht, në botën e ëndrrave, gazetat kanë më tepër domethënie për lajmet që sjellin. Në themel të ëndrrës suaj qëndron dëshira për të shtuar njohuritë tuaja se nga natyra jeni mjaft kureshtar dhe i etur për njohuri të reja. Por mund të ketë dhe kuptim tjetër, që në jetën e përditshme mund të keni patur ndonjë përplasje dhe bëni thashetheme me shoqërinë tuaj pikërisht për ato çfarë kanë ndodhur. Duhet të keni njëfarë kujdesi, sepse ashtu siç ndodh, që jo gjithmonë gazetat përcjellin lajmin bruto, por edhe i zbukurojnë ose i ekzagjerojnë, edhe ju duhet të kini kujdes nga ata shokë ose shoqe që jua përcjellin mendimet apo lajmet e fundit sepse jo çdo gjë që thonë ata është e vërtetë. Varet gjithçka nga sjellja juaj. Nëse ju do të dini se si t’i menaxhoni ndjesitë tuaja, mendimet, opinionet dhe fjalët, asgjë negative nuk ka për t’ju ndodhur. Nëse i merrni të gjitha si të vërteta ato çfarë do t’ju thonë, mund të ndodhë që të zhgënjeheni, prandaj kini kujdes. Shoku që keni parë, mund të ndodhë që të jetë epiqendra e lindjes së thashethemeve. Këtë periudhë, bëni mirë të mos besoni gjithçka që ju thotë. Më shumë dëgjoni sesa veproni apo aq më tepër, të flisni.

Duke u lutur në kishë

– Dua të di çfarë do të thotë fakti që unë shoh shumë shpesh në ëndërr kisha dhe shenjtorë. Shoh sikur lutem para tyre dhe shpesh e shoh veten duke qarë, ndërkohë që lutem. Pres një shpjegim nga ana juaj. Faleminderit.

– Nuk është e thënë që dikush që shikon ëndrra të tilla me kisha apo xhami është më besimtar se të tjerët. Ëndrra të tilla mund të simbolizojnë edhe ndjesinë e fajit ose dëshirën për t’u rrëfyer apo folur me dikë pasi vuani për diçka dhe keni nevojë të luteni. Ndiheni shumë i ngarkuar psikologjikisht e shpirtërisht kohët e fundit dhe vajtja në kishë tregon pikërisht dëshirën për t’u hapur dhe folur me dikë. Mund të jetë edhe shenja e pavetëdijes tuaj, që keni nevojë të kthjelloheni, të qartësoni idetë dhe të qetësoheni. Kisha dhe shenjtorët përfaqësojnë edhe qetësinë shpirtërore. Lotët që derdhni janë ngushëllim në jetën reale. Do të ndiheni e ngushëlluar pikërisht sepse do të ndodhë ajo që keni dëshirë, do të hapeni dhe do të flisni pa asnjë lloj ndrojtjeje apo kompleksi për problemet që ju mundojnë. Lutjet, shpesh, tregojnë realizim të atyre dëshirave dhe rikthim të shpresave të humbura, por thelbi i ëndrrës qëndron në përballimin me problemin që ju shqetëson. Në momentin që do të përballeni me të dhe do ta pranoni, do të ndiheni i qetë dhe i çliruar. Si ëndërr kjo është pozitive, prandaj edhe ju duhet ta merrni si të tillë. Po qe nevoja, mund të shkoni vërtet në kishë, të luteni e të shikoni se si do të ndiheni më pas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *