Dëshira dhe pasioni e kanë lidhur Luljetën me muzikën qëkur ishte fëmijë, por vetëm katër vjet më parë ajo mundi t’i hyjë botës së muzikës me synimin për ta bërë primare në jetën e saj. Luljeta Isha ka në plan realizimin e një klipi në bashkëpunim me një këngëtar të muzikës popullore, por për momentin, ajo nuk do të zbulojë më shumë. Atëherë, në pritje të klipit të saj, intervista…
– Ta nisim këtë intervistë me një prezantim tëndin për lexuesit…
– Përshëndetje! Unë jam Luljeta Isha, origjina ime është nga një qytet i vogël, por me kulturë e art me përmasa të mëdha, nga Kukësi. Jam shumë e apasionuar pas muzikës popullore shqiptare dhe po bëj 4 vite që këndoj.
– Si ndodhi që i hyre kësaj rruge?
– Të them të vërtetën, njohja ime me muzikën ka qenë e hershme sepse qëkur isha e vogël, këndoja shpesh në festat që organizoheshin në shkollë. Tani kam 4 vjet që këndoj në ambiente me muzikë live e në gëzime familjare dhe çdo herë përjetoj emocione të veçanta.
– Sa punë mendon se duhet për të arritur suksesin e dëshiruar?
– Normalisht, duhet shumë punë, shumë përpjekje, por asgjë nuk është e paarritshme. Unë kam besim në vullnetin dhe në aftësitë e mia. Kam një mbështetje shumë të madhe edhe nga vëllai im Fredi, i cili është gjithashtu këngëtar. Ai më ka ndihmuar shumë të eci përpara.
– Sa të ndihmon pamja e jashtme në muzikë?
– Ka të bëjë shumë sepse gërshetimi i talentit me pamjen japin një rezultat të suksesshëm.
– Muzika është po aq e bukur sa edhe e vështirë. Ti vetë, ku e sheh të bukurën dhe ku, të vështirën?
– Si çdo profesion, edhe ky ka anët e mira dhe më pak të mira, për të mos thënë negative. Ka edhe shumë lodhje, por ka edhe një anë pozitive sepse ajo lodhje shpërblehet dhe vlerësohet.
– Cila është mënyra më e mirë për të arritur nivel më të lartë në një profesion, në këngë, më konkretisht?
– Pasioni. Muzika është një pasion, një dashuri e imja që me kalimin e viteve shpresoj të bëhet një profesion që rrjedh nga pasioni.
– Je nga ato këngëtare që i zgjedhin bashkëpunëtorët apo presin të zgjidhen nga ata?
– Në të shumtën e rasteve jam këngëtare që i zgjedh bashkëpunëtorët e mi, por ndodh edhe anasjelltas.
– Sa e sigurt ndihesh në vetvete?
– Jam shumë e sigurtë në aftësitë e mia dhe kjo nuk më zhgënjen kurrë për të arritur suksesin, që gjithçka të shkojë më së miri.
– Ku dëshiron më së shumti të këndosh?
– Unë do ta ndjek gjithnjë botën e muzikës dhe më pëlqen të këndoj kudo ku ka publik shqiptar, edhe jashtë Shqipërisë.
– Me cilën rrymë muzikore je më e lidhur?
– Më pëlqen muzika popullore dhe muzika e lehtë. Nuk jam e rrymave të tjera, por kjo nuk do të thotë se nuk i pëlqej ato.
– Çfarë projektesh ka për të ardhmen Luljeta?
– Kam në plan realizimin e një klipi shumë të bukur dhe të veçantë në bashkëpunim me një këngëtar të njohur të muzikës popullore, emrin e të cilit nuk dua ta bëj publik sepse dua që gjithçka të jetë surprizë. Shpresoj ta realizoj me sukses.
– Si do ta mbyllim këtë intervistë?
– Duke të falënderuar ty dhe gazetën për mundësinë që më dhatë të flas për punën time si këngëtare, premtoj që do të punoj shumë për të arritur diçka të bukur për vete, por edhe për publikun.