Miq të gazetës “Intervista”! Dua t’ju tregoj se si jam zhytur në mëkat dhe nuk po di si të dal prej tij. Ndoshta dikush prej jush më ndihmon, me një mendim, një sugjerim… ndonëse i kam humbur shpresat se do të ndryshoj ndonjëherë. Po jetoj një jetë që ma ka mbushur zemrën me hidhërim e nuk po më lë as të fle, as të jetoj normalisht, si çdo njeri tjetër. Dikur u lidha me një djalë të cilin e doja shumë, por më shumë sesa e ndjeja shpirtërisht, e ndjeja fizikisht. Nuk di si ta them… ai nuk ishte i pari për mua, se kisha patur edhe nja dy lidhje të tjera, por kur Marini hyri në jetën time, une isha vetëm. Nuk më tërhiqte askush dhe nuk isha e dashuruar me askënd. Marini ishte një djalë i gjatë e muskuloz, që sapo e pashë, më bëri për vete dhe ndryshe nga çdo herë tjetër që kisha rënë në dashuri me njeriun, këtë herë u marrosa fare pas fizikut. Marini më bëri për vete menjëherë dhe ne, po atë ditë që dolëm bashkë për një drekë, përfunduam në krevat. Nuk di sa e papritur ishte për të, por për mua qe shumë e papritur dhe nuk po i besoja vetes se si kisha arritur në atë pikë. Në çdo rast tjetër, më ishin dashur të paktën gjashtë muaj me një njeri që t’i jepja puthjen e parë e jo më të shkoja në krevat, që as që bëhej fjalë.

Nejse. Kështu vazhdoi historia jonë; ne takoheshim thuajse përditë dhe mendjen që të dy e kishim te krevati. Mezi prisnim sa të mbeteshim pak vetëm dhe nuk kemi lënë motel pa bredhur, derisa gjetëm një motel që me shaka, e quanim “shtëpia jonë”. Isha marrosur fare pas tij, madje aq shumë sa nuk më bënte aspak përshtypje që ai ishte një njeri fare i rëndomtë, që nuk përshtatej me mua as sa i përket familjes dhe as shkollimit. Ai punonte në ndërtim, kurse unë isha me shkollë të lartë dhe në atë kohë, kisha hapur zyrën time të avokatisë. Ai kishte një familje për faqe të zezë, një nënë që e njihte i gjithë qyteti për imoralitet dhe një baba që gjithë kohës ishte tapë. Për të mos folur pastaj për motrat që i kishte të dyja jashtë dhe që nuk dihej se çfarë bënin andej e nuk kishin nam të mirë as ato. Ja që mua më kishte mbyllur Zoti sytë, kur i thonë, dhe e vetmja gjë që doja, ishte të rrija me Marinin tim.

Kështu zgjati lidhja jonë për më shumë se një vit, deri kur nisi të shuhej disi pasioni dhe dolën në pah hendeqet e mëdha që na ndanin nga njëri-tjetri. Ai nuk i honepste dot kolegët e mi, më rrinte një javë me turinj nëse më duhej të shkoja në ndonjë takim për punë, por gjendja arriti kulmin një herë kur m’u desh të shkoja për një trajnim në Gjermani. Ai bëri namin dhe më tha se, nëse shkoja, do të më linte. U përpoqa ta bindja se ishte një budallallëk nga ana e tij kjo që po më thonte dhe se trajnimi më duhej për punën, po a kuptonte ai? Ai dinte atë që i thoshte koka e vet dhe, në fund të fundit, ç’faj kishte? Ai aq mund të kuptonte… në jetën e tij dinte vetëm si të bënte tulla e llaç.

Kur më tha se nëse ikja, lidhjes sonë i kishte ardhur fundi, më kapi inati dhe i thashë: “Okej, në rregull, siç thua ti, u bëftë!” dhe ika. Atë ditë nuk i telefonova dhe as në ditët në vazhdim. As ai nuk e bëri, madje nuk e shihja më as vërdallë; ishte zhdukur si me magji. E kuptova se ishte shumë i zemëruar me mua, por mendova se me siguri, kur të kthehesha, inati do t’i kishte ikur dhe ne sërish do të ishim bashkë. U ktheva pas tre muajsh të gjatë, që i kalova nën një dhimbje të madhe, pasi më kishte marrë malli shumë për të dhe, sa më shumë kalonte koha, aq më shumë më përforcohej parandjenja se e kisha humbur të dashurin tim. Në çaste zemërimi mendoja se ndoshta ishte më mirë kështu, pasi në fund të fundit, çfarë të ardhmeje do të kishim ne të dy? Nejse, po jua pranoj juve, megjithëse vetes nuk ia pranoja në atë kohë se, kur u ktheva, bëra të pamundurën që atij t’i shkonte në vesh lajmi se në cilën ditë dhe në cilën orë do të zbrisja në Rinas. Gjatë gjithë udhëtimit qëndrova me shpresë se atë do ta shihja në aeroport, por nuk e pashë.

U ktheva në shtëpi sikur të më kishin vrarë dhe rezistova pa e kontaktuar vetëm dy orë pas mbërritjes. Më pas e pata të pamundur të rrija e heshtur. Po çmendesha nga dëshira për ta parë. I çova një mesazh, ku i shkruaja se më kishte marrë malli për trupin e tij dhe se mezi prisja ta përqafoja. Për çudi, pesë minuta pasi e nisa mesazhin, më erdhi një mesazh nga një numër tjetër, me këtë tekst: “Harroji përqafimet e puthjet dhe zhduku, po nuk deshe të ta nxjerr bojën, k… Ah, nëse do ta dish kush jam, ta dish se jam e fejuara e Marinit dhe, po nuk besove, hajde në shtëpi se ta tregoj unë në çfarë mënyre të duash”.

Ky mesazh më la pa fjalë dhe pa frymë. Marini ishte fejuar?! Në tre muaj kishte gjetur një vajzë dhe ishte fejuar me të? Një vit i yni nuk do të thoshte asgjë për të? E tronditur nuk dija ç’të bëja dhe bëra atë që s’duhej. I shkova vërtet në shtëpi dhe e gjeta me të fejuarën e tij, që nuk besoj t’i kishte lënë gjë mangut nënës së tij dhe që, me pafytyrësinë më të madhe, sapo më pa në derë, u sul të rrihej me mua. Por e ndali Marini. Ai e mori dhe, duke e parë sa e inatosur ishte, e futi në dhomë dhe i mbylli derën. Në shtëpi nuk ishte askush tjetër, veç nesh… asaj që ulërinte prapa derës së dhomës dhe që i kërkonte ta hapte, unë, që kisha mbetur thuajse pa frymë në atë shtëpi të mjerë dhe ai… që më shihte me një vështrim që më çarmatoste fare. Kur e shihja ashtu përballë meje, nuk kisha asnjë dëshirë tjetër përveçse ta përqafoja e të bëja dashuri me të. Asgjë tjetër nuk kishte më rëndësi…

Çfarë ndodhi? Marini nisi të bërtiste sa për sy e faqe, që ta dëgjonte e fejuara e tij e mbyllur në dhomë, ndërkohë që në të vërtetë ai më puthte e përqafonte si i marrë dhe me zë të ulët, më thoshte se e kishte marrë shumë malli për mua. Fatmirësisht, arritëm ta frenonim veten e të mos bënim dashuri në ato kushte, pavarësisht se sa ishim të dehur nga pasioni e të përmalluar pas njëri-tjetrit. Ai më tha të ikja dhe do të më telefononte ai… nuk shkova në shtëpi, por u enda rrugëve deri vonë në mbrëmje. Pastaj u shtriva, por nuk munda të flija gjithë natën. Sa më shumë e kuptoja se ai më kishte fshirë nga jeta e tij, aq më shumë e doja. Sa më shumë mendoja se ai ishte një maskara që nuk kishte pritur rastin për të më lënë, aq më shumë më kujtoheshin puthjet dhe pasioni i tij, ndërkohë që e fejuara i kërkonte të hapte derën e dhomës. Ai më telefonoi pas tre ditësh të gjata, të gjata, nga një numër i ri telefoni. Më tha se do të më takonte te moteli ku shiheshim zakonisht. Shkova me vrap atje. Atë ditë bëmë dashuri si të ishte hera e parë për ne. As diskutuam asgjë nga jetët tona, thjesht iu dhamë pasionit. Pasi mbaruam, ai u vesh dhe më tha se mund ta paguaja unë faturën e motelit. Nuk i thashë asgjë. E pagova dhe kur dola, ai më priste në makinën time. Donte që ta çoja në punë…

Që nga ajo ditë, kështu vazhdojmë. Ai më telefonon kur do, pasi numrin e telefonit e ka vazhdimisht të mbyllur, ngaqë i trembet të fejuarës. Takohemi, bëjmë dashuri, unë paguaj, e çoj me makinë atje ku do dhe vazhdoj jetën time… ashtu si mundem ta vazhdoj. Ndihem e dërrmuar, e shfrytëzuar, e poshtëruar dhe çdo herë që ndahem prej tij vendos të mos e takoj më, por më mjafton zëri i tij në telefon, për t’ua vënë vizën vendimeve të mia të arsyeshme dhe për t’iu dhënë kësaj dashurie që as dashuri nuk mund të quhet më. Ndihem si e vdekur e prapë nuk heq dot dorë prej tij, megjithëse ai po vazhdon jetën e tij dhe, shumë shpejt, do të bëhet baba i një djali me atë që dikur e kishte të fejuar e që tashmë është bërë gruaja e tij…

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *