– Jam një vajzë 28 vjeçe që kam rënie të madhe të flokëve. Kam marrë mjekime të ndryshme, kryesisht vitamina, por flokët vazhdojnë të më bien akoma. Ju lutem, çfarë më rekomandoni të bëj? Rëniet e flokëve janë të formave të ndryshme. Pres një përgjigje nga ju. Faleminderit.
Dr. Albana Lufi, Ph.D në Dermatologji: – E nderuar 28 vjeçare, rënia mund të jetë e njëtrajtshme në të gjithë kokën ose mund të kemi rrallim të flokëve në zonën e kurorës dhe në këtë rast mund të bëhet fjalë për rënie të flokëve me bazë gjenetike ose e quajtur ndryshe, alopecia androgjenike. Ka edhe forma të tjera të rënies së flokëve në formë vatrash. Shkaktarët kryesorë të rënies së flokëve janë: rënia e flokëve pas lindjes, çrregullimet e tiroides, sindromi i Ovarit Policistik (PCO); mungesa e hekurit; infeksionet e shoqëruara me temperaturë të lartë; stresi emocional i rëndësishëm, stadet e hershme të alopecisë androgjenike; fillimi dhe ndërprerja e kontraceptivëve oralë; sëmundjet akute psikiatrike; sëmundjet kronike, eritrodermia, dermatomioziti, lupusi, diabeti melitus, sëmundje që çojnë në kaheksi, AIDS, tumore, sëmundjet hepatike, mungesa e zinkut, ndërhyrjet kirurgjikale, medikamentet; dietat e theksuara dhe uljet e mëdha në peshë për një kohë të shkurtër; hemorragjitë; seborrea; dëmtimet ekzogjene të flokut, si dekolorimet, permanenti etj.
– Përpara fillimit të terapisë së rënies së flokëve duhen bërë ekzaminime të ndryshme për të përjashtuar shkaktarët. Pra, si fillim, bëhet konsulta me mjekun dermatolog për të përcaktuar formën e rënies së flokëve duke dhënë analizat e nevojshme dhe terapinë e duhur.
Advertisement