Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use

Kam frikë ta nis insulinën

– Jam Naimi 44 vjeç. Prej tetë vjetësh vuaj me diabet tip 2. Kohët e fundit nuk ndihem mirë, kam rënë shumë në peshë dhe shifrat e sheqerit janë rritur shumë. Mjeku i familjes më ka thënë të filloj insulinën, por unë e kam refuzuar dhe realisht, kam shumë frikë ta filloj se mos më krijon varësi apo më dëmton. Ajo çfarë dua të di është: a mund ta vazhdoj mjekimin me ilaçet siç i kam gjer tani? Pres përgjigje.
Dr. Dashamir Gjergji endokrinolog-diabetolog: – I nderuar Naim, duke ju falënderuar për pyetjen interesante që bëni, gjej momentin gjithashtu që nëpërmjet përgjigjes për ju, të trajtojmë një temë dhe problematikë interesante në diabetologji. Tematika që do të shtjelloj më poshtë ka lidhje me mjekimin e diabetit me insulinë dhe konkretisht, për rolin dhe rëndësinë që ka insulina te të sëmurët me diabet. Pasi lexova pyetjen, kuptova që ju ndiheni frustruar psikologjikisht dhe kjo lidhet me perceptimin dhe formimin mjekësor tuajin dhe të gjithë shoqërisë, në raport me insulinën. Në praktikën e gjatë mjekësore më ka ndodhur shumë shpesh që diabetikët të paraqesin rezistencë dhe të krijojnë artificialisht barrierë të pajustifikueshme për të mos e filluar mjekimin me insulinë. Në jo pak raste ata e kanë refuzuar insulinën, madje kanë refuzuar edhe mjekimet e diabetit në tërësi. Argumentet dhe ndjesitë që ata paraqesin në lidhje me insulinen janë totalisht subjektive. Shumica e pacientëve mendojnë se insulina ose fillimi i insulinës është “artileri e rëndë” ose mjekimi më i rëndë i diabetit. Një pjesë tjetër e përceptojnë si “drogë” që nëse fillohet, nuk mund të shkëputen dot. Ka të tjerë që kanë frikë se mos jep rënie të sheqerit, pa përjashtuar këtu dhe etiketime të ndryshme të këtij bari si shkaktar i mbipeshës, i sëmundjeve të tjera, kancerit etj. Pa u ndalur më tej në këtë trajtesë të shkurtër ju them se insulina është mjekimi i artë për diabetikët, por si çdo gjë e shtrenjtë, edhe kjo kërkon kujdesin e duhur në lidhje me fillimin e insulinës, me sasinë e insulinës që duhet bërë gjatë ditës, me tipin e insulinës që zgjidhet, me dozat e saj etj.
– Parë në këtë pikëpamje, meqenëse më thoni se keni patur vlera të larta dhe humbje të madhe në peshë, shto këtu edhe vitet që ju vuani me këtë sëmundje, mendoj se realisht te ju ka ardhur koha për fillimin e insulinës. Për ju dhe lexuesin e gjerë, kemi sqaruar se diabeti tip 2 është diabeti që mjekohet me kokrra ose barna nga goja, por s’duhet të harrojmë se mbi 50 % e diabetikëve tip 2 gjatë jetës së tyre përfundojnë në mjekim me insulinë. Koha se kur duhet filluar insulina te diabetikët tip 2 përcaktohet nga shumë faktorë dhe rrethana të lidhura jo vetëm me sëmundjen përkatëse, por edhe me problematika të tjera, siç mund të jenë sëmundjet bashkëshoqëruese, barnat që merren për sëmundje të tjera, prania e komplikacioneve të diabetit etj. Sot në botë po diskutohet dendur fenomeni i fillimit të hershëm të insulinës te diabetikët e tipit 2 dhe ka të dhëna premtuese që jetëgjatësia e këtyre të sëmurëve është më e lartë sesa në rastet kur është vonuar fillimi i insulinës. Insulina nuk është e thënë se nëse fillohet duhet të vazhdojë gjithë jetën. Në jo pak raste, ajo jepet me qëllim përmirësimin e menjëhershëm të një të sëmuri që mund të ketë nevojë për një ndërhyrje kirurgjikale, për kimioterapi apo çdo nevojë mjekësore që kërkon ekuilibrim të diabetit. Nga ana tjetër, insulina është një produkt krejt natyral që nuk paraqet asnjë ndryshim me insulinën normale të organizmit jo vetëm në strukturë, por edhe në efektet që ajo ka. Fillimi dhe monitorimi i fillimit të insulinës kërkon një përgatitje të lartë shkencore nga mjeku specialist, ndaj koha e fillimit të saj dhe planifikimi strategjik i fillimit te çdo diabetik ka rëndësi të madhe në suksesin apo mossuksesin e trajtimit. Si përfundim, mos e konceptoni insulinën si produkt që dëmton, por si “engjëllin mbrojtës” të jetës suaj. Kujdes! Fillimi i mjekimit me insulinë nuk nënkupton që ju duhet të hiqni dorë nga dieta, aktiviteti fizik, monitorimi i vlerave të sheqerit etj. përkundrazi, racionalizimi i këtij mjekimi ju kërkon të jeni më të informuar dhe më skrupulozë në ndjekjen e këshillave për diabetin. Të shkuara!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Vjollca Haci: Në mesin e familjes, gjithçka merr kuptim

Next Post

Kam frikë ta përdor viagrën

Advertisement