Tashmë të gjithë e dimë sa e rëndësishme është të hamë ashtu si duhet, për të qenë të shëndetëshëm. Ushqimet që hamë shkojnë në çdo qelizë të trupit tonë dhe bëjnë të mundur që të funksionojnë më së miri mekanizmat e tij të ndërlikuar, duke mbajtur larg sëmundjet. Megjithatë, shpesh hamë ushqime që ndikojnë negativisht në ekuilibrin e trupit, pasi nuk kanë substanca ushqyese të rëndësishme dhe janë shumë kalorike. Le të shohim më poshtë se cilat janë ushqimet që duhen reduktuar nga dieta jonë…

 

Mielli i bardhë

Është e vërtetë që produktet e realizuara me miellin e bardhë të rafinuar janë të mira, të bardha dhe të buta, por janë pa fibra, kripëra minerale, aminoacide dhe vitamina që janë të pranishme në mënyrë të natyrshme në miellin integral. Mielli i rafinuar ka tendencë të shtojë shpejt gliceminë (nivelin e sheqerit në gjak, i cili ngrihet menjëherë dhe pastaj bie), ndryshe nga sa ndodh me miellërat integrale që arrijnë të mbajnë nën kontroll nivelin e glukozës, për pasojë, edhe insulinës në organizmin tonë, duke na dhënë një energji dhe vitalitet më të qëndrueshëm.

 

Orizi i rafinuar

E njëjta gjë vlen edhe për orizin e rafinuar, apo të bardhë, që gjendet në treg në variacione të ndryshme. Ky produkt ka të njëjtat dizavantazhe si mielli i bardhë, me të cilin bëhen buka, makaronat, ëmbëlsirat, etj. Më mirë të zgjidhni orizin integral, të cilit i kanë hequr vetëm lëvozhgën që nuk hahet, që është i pasur me fibra, kripëra minerale dhe vitamina. Është një ushqim i plotë, i shëndetshëm dhe i përshtatshëm për të gjithë. Nëse në fillim, stomaku juaj e ka të vështirë të tresë versionin integral, apo shija juaj nuk e pranon, zgjidhni një oriz gjysëm integral, domethënë, një përzierje gjysëm për gjysëm me orizin integral dhe atë të bardhë.

 

Sheqeri i bardhë

Sheqeri i bardhë është për ne një drogë e vërtetë, nga e cila është mirë të çlirohemi duke e reduktuar në minimum. Nëse nuk bëni dot pa të, zgjidhni të paktën sheqerin integral të kallamit të sheqerit, por edhe në këtë rast, nuk duhet të abuzoni. Dihet tashmë se sheqeri mund të shkaktojë sëmundje metabolike serioze, përveçse e dobëson organizmin, duke na bërë të sëmuremi më shpesh dhe më lehtë. Ekzistojnë ëmbëlsues natyralë që mund të përdoren për të evituar sheqerin si malti i elbit, ose i orizit, stevia, lëngu i mollës, apo sheqeri i kokosit.

 

Ëmbëlsuesit artificialë

Ëmbëlsuesit artificialë nuk na ofrojnë asgjë më shumë sesa sheqeri dhe, sipas një studimi të kohëve të fundit, krijojnë probleme në metabolizëm, bile mund të shkaktojnë edhe diabetin. Ndër më të përhapurit janë sigurisht aspartami dhe sakarina, të cilët sintetizohen artificialisht. Besoj se vetëm kjo arsye mjafton për t’i evituar. Pse duhet të përdorim ëmbëlsues të krijuar në laborator, kur kemi mundësi të përdorim ata natyralë? Mbi rrezikun e këtyre dy ëmbëlsuesve vazhdojnë ende diskutimet. Shumë i përhapur është edhe acesulfami K, ëmbëlsues artificial, që konsiderohet i sigurtë, por nëse merret me doza të mëdha, mund të shkaktojë efekte dytësore, si dhimbje koke, marrje mendsh, shqetësime neurologjike, etj.

 

Kripa

Në përgjithësi ne e përdorim shumë kripën, një substancë që mund të bëhet e rrezikshme, sidomos nëse është e rafinuar. Më mirë evitojeni kripën e zakonshme të kuzhinës dhe zëvendësojeni me kripën e detit integrale, ose kripën rozë të Himalajës (të parafinuar) dhe më pas të ndiqni këshillën e OBSH për të mos i tejkaluar 5 gramët në ditë, për të reduktuar rrezikun e tensionit të lartë dhe sëmundjeve kardiovaskulare. Për të reduktuar sasinë e kripës që përdorni në shtëpi, mund të shtoni në ushqim erëzat dhe bimët aromatike që u japin më shumë shije gatimeve tuaja të preferuara. Gjithashtu mund të përdorni një lloj “kripe” të përgatitur vetë në shtëpi, me fara susami të pjekura dhe kripë. Quhet gomashio (në japonisht goma-fara susami dhe shio-kripë) dhe është më e shëndetshme se kripa e zakonshme.

 

Margarina

Për shumë kohë mendohej se margarina është një produkt më i mirë se gjalpi, më e lehtë dhe më e shëndetshme, por ky produkt dikur bëhej me yndyrna të hidrogjenuara, pra, jo të shëndetshme. Tani kanë dalë në treg margarinat me etiketën “pa yndyrna të hidrogjenuara”, por përsëri nuk është një produkt natural. Në fakt, margarina prodhohet me vajra vegjetale dhe ujë, të cilëve u shtohen substanca aditive dhe produkti final mund të ketë një nivel të lartë të yndyrnave të ngopura. Yndyrnat e përdorura për të bërë margarinën në përgjithësi janë me origjinë bimore, por shpesh bëhet fjalë për të shumëdiskutuarin vajin e palmës, i cili ka efekte të dyshimta në shëndet dhe që, siç e dimë, shkakton shpyllëzimin dhe çekuilibër të mjedisit në zonat që prodhohet. Meqë është një produkt artificial, këshillojmë pra të konsumohet sa më pak margarina dhe të zëvendësohet ajo me vaj ulliri, luledielli, ose gjalpë.

 

Qumështi i lopës

Është një produkt për të cilin janë ngjallur shumë diskutime. A është qumështi një ushqim i shëndetshëm, që duhet të bëjë pjesë në një dietë të ekuilibruar? Është në shtim numri i nutricionistëve që këshillojnë të pakësohet përdorimi i tij, sepse janë duke u shtuar edhe intolerancat dhe alergjitë ndaj këtij ushqimi. Kohët e fundit, edhe Universiteti i Harvardit, në piramidën e tij ushqimore e ka spostuar qumështin ndër ushqimet që duhen ngrënë me kursim. Arsyet për këtë janë disa: Sipas atyre që u kushtojnë vëmendje gjërave të natyrshme, asnjë gjitar pasi e lë gjirin nuk vazhdon të pijë qumësht, për më tepër, të një specieje tjetër. Thuhet se kazeina e qumështit është për ne një proteinë e patretshme. Disa thonë se kalçiumi i pranishëm në këtë pije është në realitet pak i dobishëm, gjithashtu substancat ushqyese dhe hormonet e pranishme në qumësht janë të përshtatshme për viçat që duhet të rriten dhe jo për njerëzit dhe mund të shkaktojnë një rritje më të shpejtë të tumoreve. Megjithatë, çështja e qumështit është ende në diskutim e sipër, sepse ka shumë pro dhe kundra në lidhje me konsumimin e tij.

 

Të reja

Mjekra është fole bakteresh

Tendenca për të mbajtur mjekër vazhdon të lulëzojë. Megjithëse disa burra e pëlqejnë mjekrën e gjatë, ka gjasa që qimet në këtë zonë të jenë të dëmshme për shëndetin. Mjekra e ashtuquajtur e «druvarit», sigurisht, është seksi dhe gjithmonë në modë. Burrat ndjehen shumë mashkullorë me të, ndërsa grave u pëlqen ta puthin. Problemi është se një mjekër, edhe e mbajtur mirë, mund të jetë e pistë, gjë e provuar kjo nga ana shkencore. Në fakt, një studim i kryer nga studiuesit e Birmingamit, ka treguar se tendenca e mjekrës së gjatë mund të ishte e rrezikshme për personin që e kishte dhe për ata rrotull tij, për shkak se ajo kthehet në një fole bakteresh. Sipas studimit britanik, edhe një mjekër që lahet rregullisht, shkakton infeksione të lëkurës. Bile studimi shkon edhe më tej, duke thënë se mjekra është më e pistë se ndenjësja e nevojtores! “Nëse duart janë të pista, ky pisllëk kalon në fytyrë dhe gojë”. Konsumumi i nënprodukteve të qumështit mund të lërë mbeturina në mjekër, të cilat më pas dekompozohen. Në mjekër mund të ketë edhe stafilokokë. Mjekra, pra, shkakton disa infeksione lëkure tek ai që e mban dhe te të tjerët që kanë kontakt me të. Për më tepër, ajo është burim ekzeme. Kështu, pra, do të ishte mirë që burrat të evitonin mbajtjen e mjekrës, por në rastin e kundërt, këshillohet larja e rregullt e duarve dhe e fytyrës. Kjo gjë është për të mirën e burrave me mjekër… por edhe të grave të tyre!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *