– Jam një nënë e re. Kam dy muaj që kam lindur, por më ka ngelur shumë bark. Në gjithë trupin jam e dobët, kurse barkun e kam shumë të fryrë, më duket si dhjamë, s’e kuptoj. Çfarë më sugjeroni për ta patur prapë të sheshtë, sepse s’e kam patur kurrë kështu?
Mario instruktor: – E nderuar lexuese, është normale që shumë femrave t’u ngelet pak barku i fryrë pas lindjes dhe ju duhet pak kohë që t’ju rikuperohet dhe të riktheheni në formën që keni qenë. Kuptohet, duhet edhe pak punë nga ana juaj. Më poshtë po ju jap disa këshilla të cilat janë të sugjeruara nga mjekët për raste të tilla. Shumë femrave u duket e pamundur të kenë sërish një bark të sheshtë pas lindjes, por në fakt kjo mund të arrihet. Mjafton pak vullnet, pak kujdes, regjimi i duhur ushqimor dhe do të arrini rezultatet e duhura. Nuk është nevoja të ndiqni ndonjë dietë drastike, sepse në këtë rast, nuk ka vend, aq më tepër ju që jeni nënë dhe fëmija juaj ka nevojë të ushqehet me qumësht gjiri.
– Së pari, duhet të filloni të hani shumë fruta dhe perime për të larguar ndjesinë e urisë. Kjo do t’ju bëjë të ndiheni e ngopur, por në të njëjtën kohë ndihmon në pastrimin e organizmit tuaj, si edhe në parandalimin e celulitit.
– Shmangni totalisht ushqimet e skuqura, fastfudet, ushqimet me shumë yndyrë. Hani me orare dhe 5 vakte: dy të vogla të ndërmjetme dhe tre të tjerat të plota, por jo duke u ngritur e mbingopur. Supa me të gjitha llojet e perimeve është shumë e mirë, si dhe pirja e 2-3 litrave ujë në ditë, në varësi të organizmit dhe moshës tuaj. Përdorni peshkun dhe frutat e detit, si dhe filetot e pulës, mundësisht, gjoksin e pulës.
– Pavarësisht se ndoshta nuk keni shumë kohë në dispozicion për veten, mundohuni ta gjeni kohën edhe për aktivitet fizik. Në fund të fundit, merrni beben tuaj dhe bëni shëtitje të gjata në natyrë, thjeshtë ecje, duke e rritur shpejtësinë e hapave, aq sa ta ndjeni që po ecni dhe po ushtroheni njëkohësisht. Ecja është një nga ushtrimet më të mira për të rigjetur formën e duhur. Më pas, duke qenë se është kohë plazhi, bëni sa më shumë not. Kjo është ideale si për të pasur një bark të sheshtë, ashtu edhe për gjithë muskujt e trupit. Në mëngjes mundohuni të fusni në dietën tuaj ushqimore tërshërën me kos.
– Gjumi duhet të jetë i mjaftueshëm, ndryshe do të ndiheni e lodhur dhe do të keni ndjesinë e fryrjes në bark. Në fund të fundit, kërkojini ndihmë bashkëshortit tuaj që, nëse nuk flini dot gjatë natës, të flini ndonjë orë gjatë ditës për të kompensuar orët e humbura. Sa më pak ëmbëlsira dhe brumëra, sidomos nga mielli i bardhë. Nëse ndiqni këtë ritëm, do të arrini në pak kohë të keni një bark të sheshtë, siç e dëshironi.