1.
Gjuha është vepra më e madhe e përbashkët e një kombi. Më shumë se mjet ndërkuptimi: është bartëse e mendimit, kujtesës, kulturës, identitetit dhe vijimësisë së tij. “Gjuha është arkivi i historisë” – shkruante Ralph Waldo Emerson, madje “poezi e fosilizuar” teksa çdo fjalë ka qenë dikur një poezi, përderisa edhe fjalët më të zakonshme krijojnë metaforat më të fuqishme.
“Për atë diell që vete lodhur”! Nga nëna e kam dëgjuar këtë betim, e të gjitha nënat që kam njohur. Dielli si dëshmitar hyjnor, i pathyeshëm, i përjetshëm, po aq edhe njerëzor, që lindet, ndriçon, ngroh, jep jetë, sheh gjithçka dhe, në fund të ditës, lodhet dhe perëndon (bie për të pushuar). Betimi është solemn: ke hyrë në besë e në mirënjohje me lodhjen e Diellit, me një krijim të natyrës, domethënë me një poezi, teksa ka një ritëm të brendshëm, një trishtim të lehtë kozmik. Sjell ndërmend se vetë fjala “poezi”, në rrënjën e saj, do të thotë “krijim.”
Johann Gottfried Herder shkruante se “Gjuha e një populli është pasqyra e shpirtit të tij.” Martin Heidegger shkruante se “Gjuha është shtëpia e qenies.” Në fund të fundit, një komb jeton në gjuhën e tij.
2.
Gjuhët me alfabet kanë respektivisht: Shqipja 36 shkronja, Anglishtja 26, Frëngjishtja 26, Italishtja 21, Gjermanishtja 26 (+ ä, ö, ü, ß), Spanjishtja 27, Rusishtja 33, Greqishtja 24, Arabishtja 28 dhe Hebraishtja 22 shkronja.
Numri i shkronjave të alfabetit nuk tregon që një gjuhë është “më e pasur” apo “më e varfër”, “më e zhvilluar” apo “më pak e zhvilluar”. Thjesht, flet për mënyrën se si një gjuhë vendos të përfaqësojë tingujt e saj në shkrim. Shqipja, duke ndjekur parimin “një tingull – një shkronjë”, ka më shumë shkronja, sepse edhe sh, dh, th, xh, gj, nj, rr, ll janë shkronja më vete. Pra, Shqipja lexohet siç shkruhet. Ndryshe, ta zemë nga Italishtja, në të cilën ch lexohet k, gn lexohet nj, e të tjera. Vërtet Italishtja ka më pak shkronja, por përdor më shumë kombinime. Pra, numri i shkronjave nuk tregon pasurinë e fjalorit, as nivelin e qytetërimit, as kompleksitetin e mendimit.
Pra, arsyeja pse shumë gjuhëtarë e konsiderojnë shqipen si një nga gjuhët më fonetike të Europës është sepse ekziston një përputhje relativisht e fortë midis tingullit dhe shkrimit. Anglishtja, për shembull, është më pak fonetike ngase shumë grupzanoresh të njëjta, lexohen ndryshe. P.sh. through lexohet thru, though lexohet dho, tough lexohet taf. Pra, Shqipja është një gjuhë ku fjala shkruhet pothuajse siç dëgjohet dhe dëgjohet siç shkruhet. Në këtë kuptim, alfabeti shqiptar është pothuajse një hartë e zërit njerëzor shqiptar.
3.
Është shkencërisht e pranuar se Shqipja, degë më vete e familjes Indoeuropiane, është gjuhë shumë e vjetër, ndoshta më e vjetra në Europë.
Unë bashkohem me antropologjinë, gjenetikën dhe historinë serioze se shumica e popujve janë produkte të emigrimeve shumë të hershme dhe, në vijim, ndoshta edhe të mbishtresave e të formimeve kulturore. Një popull nuk përcaktohet vetëm nga gjaku apo origjina biologjike, por edhe nga kombinimi i gjuhës, kujtesës historike, territorit, vuajtjeve të përbashkëta, kulturës, institucioneve dhe vetëdijes së përbashkët. Prandaj edhe historianët konkludojnë se popujt nuk lindin. Ata formohen. Një identitet kolektiv kristalizohet kur një grup njerëzish qëndron për një kohë të gjatë në një territor, zhvillon gjuhë dhe mite të përbashkëta, krijon kujtesë historike.
Por bashkohem edhe me Bernd J. Fischer dhe Oliver Jens Schmitt, historianë modernë gjermanë, të specializuar në universitete të disa vendeve perëndimore për albanologji, e kështu mjaftueshmërisht të çliruar nga të menduarit mitik, të cilët shkruajnë: “Shqiptarët janë një prej grupeve më të moçme etnike autoktone në Ballkan dhe në Evropë në përgjithësi.”
Studiuesi Robert Elsie, i doktoruar në gjashtë universitete kanadeze, gjermane, angleze dhe franceze, i specializuar në letërsinë dhe folklorin shqiptar, i cili i kushtoi kulturës, gjuhës, letërsisë dhe historisë së shqiptarëve gjithë jetën e tij, nuk le mëdyshje: “Ajo çka mund të themi me një siguri të arsyeshme, është se nuk ka provë që tregon se shqiptarët imigruan në Ballkanin jugperëndimor nga diku tjetër. Si të tillë, mund të pranohet me siguri si e vërtetë se ata janë origjinalisht vendas në rajon.”
Një emër i madh në fushën e anthropologjisë dhe arkeologjisë, Aris A. Poulianos, i arsimuar në Athinë dhe doktoruar në dy universitete, New York e Moskë, autor i dhjetra veprave shkencore kushtuar civilizimit të lashtë grek, shkruan: “Në Ballkan, njeriu ka ekzistuar së paku prej 500.000 vjetësh, ndoshta edhe më shumë….Një gjë mund të thuhet që në fillim se, bazuar në të dhënat anthropologjike të vendeve fqinjë, masa e madhe e popullsisë shqiptare është me origjinë autoktone që nga kohët e hershme parahistorike.”
Këtij përfundimi i bashkohet edhe akademiku britanik, Malcolm: “Në rastin e shqiptarëve…ata janë populli i vetëm në Ballkan që ka prejardhje të qartë nga civilizimi para-romak, nga shoqëritë para-romake.”
Pa gjuhën, gjakun, tokat, vuajtjet dhe arritjet e përbashkëta, zor se shqiptarët do të kishin mbijetuar midis qytetërimeve nga më të hershmit dhe nga më të fuqishmit e njerëzimit.
4.
Në kushtet e izolimit relativ historik për shekuj të tërë të jetës në zona malore, pa administratë të përbashkët shkrimore dhe me traditë të ruajtur vetëm me gojë, ndodh diçka interesante në gjuhë: autoriteti kryesor bëhet tingulli, jo shkrimi. Shqipja u shkrua vonë, por është dëgjuar shumë gjatë. Kur një gjuhë ruan me kujdes tingujt e saj, ajo ruan edhe mënyrën e të folurit, kujtesën kolektive, vazhdimësinë kulturore. Kështu, alfabeti i shqipes nuk është thjesht akt vetëm teknik, por kryesisht akt identitar.
Wilhelm von Humboldt – një themelues i gjuhësisë moderne, shprehej se çdo gjuhë përfaqëson një botëkuptim unik. Kjo do të thotë se popujt nuk ndryshojnë vetëm nga historia, por nga mënyra si gjuha e tyre organizon mendimin. Ideja kyçe e tij ështe se njeriu krijon botën përmes gjuhës. Njerëzimi është një, por botën e sheh në mënyra të ndryshme përmes gjuhëve të ndryshme.
Identiteti është proces historik, jo trashëgimi e ngrirë. Një popull mund të ndryshojë përbërjen biologjike shumë herë, por mbetet i njëjtë për sa kohë vazhdon gjuha dhe tradita mendore e tij.
Krijon gjuha popullin, apo populli krijon gjuhën? Përgjigja më e arsyetuar është se të dyja krijojnë njëra-tjetrën në mënyrë të vazhdueshme, në një proces rrethor dhe të gjallë, jo si marrëdhënie njëkahëshe. Në fillim populli krijon gjuhën, pastaj gjuha fillon të krijojë popullin, sepse, pasi gjuha stabilizohet, ajo formon mënyrën e të menduarit, përcakton kategoritë mendore, krijon kujtesë kolektive. Pra: populli dhe gjuha janë bashkëkrijues. Formula e plotë e Humboldt është se njerëzit krijojnë gjuhën, gjuha formëson mendimin, mendimi i përbashkët krijon popullin, populli ndryshon përsëri gjuhën.
Një popull nuk flet vetëm gjuhën. Ai mendon nëpërmjet saj. Prej këtej ideja e filozofit Ludwig Wittgenstein: “Kufijtë e gjuhës sime janë kufijtë e botës sime.” Pra, gjuha nuk është vetëm mjet shprehjeje. Ajo është horizonti brenda të cilit një komb e kupton botën.
Disa studiues kanë vënë re se tiparet strukturore të shqipes lidhen me mënyrën karakteristike të të shprehurit dhe të menduarit shqiptar. Kjo nuk është një ligj absolut, por një vëzhgim kulturor-gjuhësor. Shqipja, duke qenë gjuhë shumë fonetike dhe konkrete, në të cilën fjala shqiptohet siç shkruhet, forma gramatikore e saj është shpesh e drejtpërdrejtë, fjalitë tradicionale janë të shkurtra dhe të forta. Prej këtej edhe stili i komunikimit në shqip: i drejtpërdrejtë, i prerë, me ngarkesë kuptimore të përqendruar. Tradita e gjatë gojore dhe mendimi figurativ kanë krijuar metafora shumë të forta me figuracion konkret (gur, rrënjë, dritë, diell, gjak, tokë, etj.).
Një popull nuk banon vetëm në tokën e tij, por edhe në gjuhën e tij. Prej këtej, Shqipja është rrënja e padukshme që mban gjallë trungun e kombit shqiptar. Shqipja është shtëpia e kujtesës dhe horizonti i mendimit të kombit shqiptar.
5.
Në Gjuhën Shqipe, një fjalë shpreh shumë kuptime, për të cilat, le të themi, Anglishtja, ka fjalë të ndryshme. A do të thotë kjo se Shqipja ëshë e varfër apo e pasur, që nuk begenis të merret me hollësira, përtace, aristokrate?
Për shembull, për fjalën “i/e mirë”, Shqipja përcakton ushqim i mirë (cilësi), mot i mirë (gjendje), ide e mirë (vlerësim intelektual), punë e mirë (rezultat), jam mirë (gjendje personale), burrë / grua i/e mirë (vlerësim karakteri).
Përndryshe, përcaktimin “i/e mirë”, Anglishtja e specifikon për fusha të ndryshme: ushqim i mirë (tasty), mot i mirë (nice weather), ide e mirë (smart, clever, good idea), jam mirë (well, fine), cilësi e mirë (high-quality), burrë / grua i/e mirë (kind).
Por kjo nuk do të thotë se Anglishtja është më e pasur. Sepse gjuhësia moderne ka një parim pothuaj universal: të gjitha gjuhët natyrore janë po aq të afta për të shprehur çdo ide njerëzore. Pra, pasuria nuk matet me numrin e fjalëve, numrin e sinonimeve, apo ndarjet leksikore. Ndryshimi nuk është varfëri apo pasuri. Thjesht kemi gjuhë analitike (si Anglishtja) dhe gjuhë sintetike (si Shqipja). Gjuhët analitike i ndajnë konceptet, ndërsa gjuhët sintetike i bashkojnë konceptet.
Në grupin e saj, shqipja i bashkon më shpesh konceptet. Por kjo nuk do të thotë se shqipja është “përtace”. Në të kundërt, kur një fjalë ka shumë kuptime, folësi duhet të lexojë kontekstin, tonin, marrëdhënien sociale, siuatën. Kjo kërkon më shumë interpretim, jo më pak. Pra, është ekonomi shprehjeje, jo dembelizëm. Madje, mund të argumentohet e kundërta: fjala “i/e mirë” krijon hapësirë interpretimi, jo kufizim. Kështu, në rastin e Shqipes kemi një koncept, një bërthamë kuptimi. Shumë gjuhë të lashta kishin një fjalë të vetme që bashkonte të mirën morale, të bukurën, të dobishmen, të përshtatshmen. Në këtë mënyrë shqipja ruan diçka shumë të hershme, të lashtë dhe filozofike: idenë që, e mira, e bukura dhe e dobishmja nuk janë plotësisht të ndara.
Në shumë gjuhë moderne, e moralshmja (“good” në Anglisht), u nda nga e bukura (“beautiful”), ndërsa në gjuhë më të vjetra ato ishin pothuaj një koncept i vetëm. “Njeri i mirë” në Shqip mund të nënkuptojë i drejtë, i butë, bujar, i ndershëm, i pafajshëm.
Kemi, pra, dy stile të civilizimit gjuhësor: stil analitik (Anglisht, Frëngjisht) në të ciin ka ndarje të imët kategorish dhe stil sintetik / konceptual (më tipike te Shqipja), një bërthamë e cila shpreh kuptime të gjera. Kjo nuk lidhet me inteligjencë apo kulturë, por me histori zhvillimi: disa gjuhë e analizojnë botën, të tjera e sintetizojnë atë. Një gjuhë që sintetizon nuk është më pak e saktë. Thjesht ajo sheh lidhjet përpara ndarjeve. Në rastin e Shqipes mund të krijohet ndjesia “aristokratike”, sepse me spektrin e gjerë që ajo përdor, krijon më pak klasifikim, por më shumë gjykim të përgjithshëm, një lloj distance nga detaji teknik. Ngjan me stilin klasik filozofik ose poetik: thua pak, nënkupton shumë. Prandaj shqipja shpesh tingëllon më proverbiale, më e përmbledhur, por me më shumë peshë, më e shkurtër, por më e thellë në mendim. Shkurt: shqipja është “aristokrate” sepse preferon konceptin e fjalës në vend të listimit të kuptimeve.
Pse, për shembull, fjala shqiptare “besë” është pothuajse e papërkthyeshme plotësisht në gjuhë të tjera? Kjo nuk do të thotë që gjuhët e tjera nuk kanë koncepte të ngjashme, por që asnjë fjalë e vetme nuk mbulon të gjithë fushën kuptimore dhe përmasat që kjo fjalë ka në shqip. Në kuptimin shqip, fjala “besë” përfshin njëkohësisht premtim, besim, nder moral, garanci personale, përgjegjësi ndaj tjetrit, siguri sociale. Pra, fjala e dhënë bëhet ligj moral, në atë shkallë sa, tradicionalisht, ndër shqiptarë, nëse është dhënë “besa” me fjalë, nuk ka patur nevojë për dokument të shkruar për ta lidhur detyrimin juridikisht. Kësisoj, nuk është vetëm ndjenjë. Është institucion moral, sepse vendos nderin dhe identitetin si garanci.
Sipas frymës së Wilhelm von Humboldt: kur një koncept është jetik për organizimin e jetës shoqërore, gjuha krijon një fjalë bërthamë për të. Në shoqëritë ku ligji shtetëror ishte i dobët ose i largët, marrëdhëniet mbështeteshin te reputacioni personal dhe, për këtë, duhej një mekanizëm besimi, “besa”, e cila në kushtet e mungesës së shtetit, funksiononte si kontratë morale.
Përse në Shqipen, etimologjia e fjalës “Faleminderit” është krejt e ndryshme nga pothuajse të gjitha gjuhet, edhe pse kuptimi është i njëjtë?
Koncepti “faleminderit” përbëhet nga fjala “falem” dhe “nderit”, që shkon për “I falem nderit që më bëre.” Pra, falënderimi në shqip është akt moral, jo thjesht reagim emocional. Pothuajse të gjitha gjuhët e tjera, për të shprehur falënderimin nuk përdorin strukturë gjuhësore morale, por modele thuajse teknike, pak a shumë si punë borxhi: në Frëngjisht “merci” (nga Latinishtja “merces” që do të thotë shpërblim, pagesë); në Italisht “grazie” e Spanjisht “gracias” (nga fjala Latine “gratia” që do të thotë hir, favor); në Gjermanisht “danke” që lidhet me fjalën “denken” (që do të thotë “të mendosh”, pra një vlerësim mendor).
Përndryshe, Shqipja nuk thotë “po mendoj mirë për ty”, apo “kam marrë hir, favor nga ty”, apo “po të paguaj simbolikisht”. Ajo thotë: “I falem nderit që më bëre”, çka është krejtësisht hyjnore (falja, lutja). Pra, shumë gjuhë europiane duket se pasqyrojnë marrëdhëniet tregtare të lindura e zhvilluara në qytete të mëdha, në administrata e sisteme juridike, ku falënderimi u konceptua si mirënjohje, favor, shkëmbim simbolik. Ndërsa struktura shqiptare pasqyron një botë ku nderi personal ishte kapitali kryesor social dhe prestigji zëvendësonte kontratën.
6.
Është kjo arsyeja që gjuhët me fjalë shumë të përgjithshme shpesh prodhojnë më shumë poezi dhe proverba, ndërsa gjuhët me shumë ndarje prodhojnë më lehtë ligjërim shkencor. Siç shkruam më sipër, Shqipja hyn në gjuhët sintetike-konceptuale që, me pak fjalë, shpreh shumë kuptime. Anglishtja dhe disa të tjera priren për nga gjuha analitike-specializuese që përdorin fjalë specifike për kuptime të ngushta. Prej këtej, Shqipja favorizon poezinë sepse kanë të përbashkët shumëkuptimësinë, dykuptimësinë e kontrolluar dhe rezonancën emocionale. Për shembull, një fjalë me diapazon të gjerë si “mirë” nuk e mbyll kuptimin, lë hapësirë imagjinative dhe aktivizon përvojën personale të lexuesit. Për shembull, te “Fjala e mirë hap derën”, “e mira” nuk specifikohet nëse është morale, e butë, e mençur apo e drejtë. Pikërisht ky diapazon i gjerë e bën më shprehëse deri edhe poetike. Është kjo arsyeja që edhe proverbat lindin lehtë në këtë strukturë, sepse proverbi kërkon përgjithësim universal, ekonomi fjalësh, elasticitet interpretimi. Fjalët me kuptim të gjerë funksionojnë si simbole, jo si etiketa teknike.
Shkenca kërkon të kundërtën: një term është baraz një kuptim, është eliminim i dykuptimësisë, ndarje precize konceptuale. Shkenca kërkon qartësi absolute, jo rezonancë. Kjo ndodh sepse historikisht, shoqëritë që zhvillojnë administratë të madhe, teknologji, shtet (burokraci), universitete, etj., iu duhet të krijojnë terminologji të specializuar. Është kjo arësyeja që Anglishtja moderne u mbush me fjalë Latine dhe Greke.
Prej këtej, gjuhët me traditë të fortë orale (me gojë) ruajnë konceptet bërthamë, shprehjen figurative dhe densitetin poetik. Kjo nuk do të thotë se gjuhët poetike janë më pak të sakta. Thjesht ato janë më të sakta konceptualisht në bërthamë, por më pak të sakta për klasifikimin teknik. Përkundër, gjuhët shkencore janë shumë të sakta për objektet, por më pak elastike për ndjenjat.




