– Përshëndetje gazeta “Intervista”! Ju falënderojmë për informacionin që na jepni për shumë gjëra që nuk i dimë. Unë dua të di: A mund të realizoj një banjë termale (llixhë) në shtëpi? Nëse po, më thoni, ju lutem, çfarë duhet bërë për ta realizuar? Ujin e kemi të rrjedhshëm. Vuajmë nga shumë sëmundje që i shërojnë llixhat, por nuk vemi dot për arsye shpenzimesh. Respekte.
– I nderuar zotëri, e kuptoj dëshirën tuaj, por sipas mjekëve, me të cilët u konsultuam, është e pamundur të bësh një llixhë në shtëpi! Arsyen se pse, po jua shpjegojmë mëposhtë: Llixhat janë me ujëra termale dhe burimet e këtyre ujërave gjenden vetëm në disa zona të Shqipërisë, siç janë: Burimet e ujërave termale të Blijat pranë Fush-Krujës, llixhat e Elbasanit, llixhat e Peshkopisë. Ujërat e llixhave, ose siç quhen ndryshe, ujërat termale, janë të pasura me lëndë minerale si: Ca, Na, K, Fe, Mg etj. Temperatura e ujërave është 55 gradë C. Këto të fundit kanë efekte kurative mbi probleme të remautizmës, lëkurës dhe sistemit nervor. Në këto vende që përmendëm më lart, që përmbajnë lëndët minerale që janë apostafat për sëmundje të ndryshme reumatizmale, janë ngritur qendra rehabilitimi kurative dhe drejtohen nga mjekë të specializuar në këtë fushë. Pra, një pacient që trajtohet në llixha, duhet të ketë një mjek mbi kokë dhe ka rregull, orare të caktuara dhe minutazh të caktuar për sa kohë trajtohen në këto qendra. Këtu trajtohen sëmundje të shumta të rrugëve të frymëmarrjes, sistemit nervor, të lëkurës, stomakut, etj. Llixhat e Elbasanit kanë edhe vlera kozmetike. Edhe personat që shkojnë në llixha duhet të rekomandohen nga mjekët, nuk mund të shkojnë me dëshirën e tyre, pa rekomandim. Stinët më të mira për llixha janë pranvera dhe vjeshta. Nuk përjashtohet as stina e dimrit, por kjo bëhet vetëm kur ka kushte dhe infrastrukturë në vendndodhjen e llixhave. Sa i përket kohëzgjatjes së qëndrimit në llixha, ata që rekomandohen nga mjeku, duhet të bëjnë 12 deri në 15 seanca çdo vit. Kohëzgjatja e banjës duhet të fillojë gradualisht duke u rritur dhe në ditën e katërt apo të pestë, të arrijë në 15 minuta. Hyrja në ujin e llixhave duhet të jetë graduale dhe temperatura duhet të jetë e përafërt me temperaturën e trupit. Asnjë person nuk duhet të bëjë me kokën e vet, sepse ka pasur raste që nga temperatuara e lartë, pacientët kanë pasur probleme me tensionin e zemrën, gjer në infarkte apo hemorragji për vdekje. Prandaj, i nderuar letërshkrues, absolutisht nuk mund të krijohen llixhat në shtëpi, sepse kjo është e pamundur. Llixhat janë të ndërtuara në vendet që ju thamë më sipër, sepse kanë burime natyrore dhe janë të kontrolluara nga mjekët specialishtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *