Përmbledhje

Ku vendoset rezultati i luftës: në tokë apo në qiell?
Është një debat i hershëm, i lindur në Luftën e Parë Botërore dhe që po bëhet gjithnjë e më i pranishëm sa herë që flitet për luftëra. Me siguri, shkaqet dhe gjeografia e konflikteve të ardhshme do ta shtrojnë këtë pyetje me edhe më shumë forcë, pasi prania njerëzore në fushëbetejë do të vazhdojë të zvogëlohet, ndërsa makineritë dhe teknologjia — mbi të gjitha teknologjitë ajrore dhe hapësinore, do të marrin një rol gjithnjë e më të madh.

Luftërat nuk kanë qenë kurrë dhe nuk do të jenë kurrë të njëjta. Sepse ndryshojnë aktorët ndërluftues, e po ashtu edhe faktorët që i formësojnë. Gjeopolitika, motivet, teknologjia, shoqëria, politika, metodat e luftimit dhe etika e luftës nuk janë “të ngrira”. Njerëzimi sot nuk është ai i djeshmi dhe ai i të nesërmes do të jetë eksponencialisht i ndryshëm nga ai i sotmi, sidomos në teknika e teknologji. Pra, çdo luftë është pasqyra e kohës së saj, e mendimit strategjik e taktik, si edhe teknologjisë së saj.

E ardhmja e këtij dualiteti ka nisur tashmë të shpaloset, siç tregohet nga lufta në Ukrainë. A do të jenë luftërat që vijnë luftëra dronësh? Apo beteja të zhvilluara nga platforma ajrore dhe / ose hapësinore? A do të ruajë toka, në dallim nga ajri, peshën e saj në zhvillimin e luftës? Këto janë vetëm disa nga shumë pyetjet që po debatohen. Historianë dhe mendje ushtarake të shquara, të së kaluarës dhe të së tashmes, kanë dhënë përgjigjet e tyre. Megjithatë, analiza — dhe veçanërisht testimi në kushtet reale — vazhdojnë të prodhojnë përfundime të reja, edhe pse parimet e përjetshme të ekuilibrit klasik midis luftës tokësore dhe luftës në ajër e në hapësirë mbeten të palëkundura.

Fjalët kyçe:

luftë; gjeopolitikë; luftë tokësore; luftë ajrore; avionë; dronë; hapësira e jashtme; diplomaci; politikë; ekonomi; fuqi; forcë ushtarake; marrëdhënie strategjike

  1. Motivet e luftërave të ardhëshme si premisë për peshën e tyre në tokë apo në ajër

Një pyetje e lashtë ka qëndruar pezull ndër shekuj: a do ta shoqërojë njerëzimin në udhëtimin e tij paqja apo lufta? Cila prej të dyjave është e qëndrueshme dhe cila thjesht kalimtare?

Duke hedhur vështrimin pas përmes prizmit të historisë, shihet se qytetërimi njerëzor është formësuar dhe plagosur nga luftërat, me shtete dhe perandori që janë ngritur e rrëzuar në vatrën e konfliktit. Paqja, në të kundërt, zakonisht ka ardhur si pasojë e këtyre përplasjeve dhe shpesh është dëshmuar jetëshkurtër.

A do të thotë kjo se lufta është “gjendja natyrore” e njerëzimit? Thomas Hobbes, ndoshta filozofi më me ndikim mbi këtë çështje, argumentonte se në gjendjen natyrore jeta është “e vetmuar, e varfër, e shëmtuar, brutale dhe e shkurtër” ” [1] — një gjendje e përhershme konflikti, përveçse kur frenohet nga autoriteti i një pushteti të fortë. Në kontrast, Jean-Jacques Rousseau besonte se njerëzit janë në thelb paqësorë dhe se lufta lind vetëm si produkt i shoqërisë dhe i institucioneve të saj. [2]

Shekulli i njëzetë ofron një shembull domethënës: një Europë e rraskapitur nga luftëra të pafundme, më shumë se çdo kontinent tjetër, përjetoi pas Luftës së Dytë Botërore një periudhë të paprecedent paqeje relative mes fuqive të saj të mëdha. Kjo u bë e mundur falë diplomacisë, ndërvarësisë ekonomike dhe institucioneve të përbashkëta. Megjithatë, edhe kjo epokë mbarti hijen e tensionit, të ashtuquajturën “Luftë e Ftohtë”, një paqe larg së qeni e qetë, një ankth i vazhdueshëm konflikti që përndiqte mendjet dhe zemrat në mbarë globin, duke përfshirë kontinente, oqeane dhe, madje, duke u shtrirë edhe në hapësirën e jashtme.

Kombet, secili sipas masës së vet, garuan për të grumbulluar gjithnjë e më shumë fuqi ushtarake.

Pothuajse të gjithë ishin në luftë, edhe pse gjendja e luftës nuk u shpall kurrë zyrtarisht! Pikërisht për këtë arsye, studiues si Steven Pinker argumentojnë se dhuna dhe luftërat kanë rënë gradualisht, falë përparimeve në arsim, qeverisje dhe empati njerëzore. [3]

Ndoshta përgjigjja më pranë saktësisë është kjo: historikisht, lufta ka qenë më e shpeshtë dhe më e dukshme, ndërsa paqja ka kërkuar “betejën” përkatëse — një përpjekje e vazhdueshme për ta ruajtur atë.

Luftërat nuk janë kurrë të njëjta, sepse aktorët që i zhvillojnë kanë qenë gjithmonë të ndryshëm, janë të ndryshëm sot dhe do të vazhdojnë të jenë të ndryshëm edhe në të ardhmen. Po kështu, faktorët që formësojnë konfliktin: gjeopolitika, motivet, teknologjia, shoqëria, politika, metodat e luftimit dhe etika e luftës, kanë qenë gjithmonë në ndryshim të vazhdueshëm. Në fund, njerëzimi i sotëm nuk është ai i djeshmi dhe ai i së nesërmes nuk do të jetë i njëjtë me atë të sotmin. Çdo luftë pasqyron kohën e vet, mendësinë dhe teknologjinë e saj.

Brenda kuadrit të konceptit të shqyrtuar në këtë studim, është e nevojshme të identifikohen dallimet në motive, vendndodhjen gjeografike dhe shkallën e përfshirjes së fuqive të tjera.

Përsa iu përket motiveve, shumë luftëra ndodhin thjesht për të marrë, mbrojtur apo rikthyer territore ose zona detare, së bashku me burimet natyrore që ato ofrojnë. Kur toka dhe uji janë të pakët, lakmia dhe frika shtohen e kështu lufta është gjithmonë një kërcënim real. Të tilla luftëra mund të jenë lokale në natyrë: shtet kundër shteti, por në kontekstin e ambicieve globale për burime strategjike, ato gjithnjë e më shumë marrin një karakter kontinental ose madje global. Një shembull i tillë është lufta që Rusia vijon të zhvillojë në Ukrainë: rikthimi i Krimesë dhe marrja e bregdetit strategjik ukrainas të Detit të Zi, konkretisht korridori që lidh Krimenë me “republikat” e Donetskut dhe Luhanskut, zemra industriale e Ukrainës.

Konfliktet me natyrë lokale mund të përfshijnë mosmarrëveshje mbi ujin në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, si ajo midis Egjiptit dhe Etiopisë, ose mosmarrëveshje mbi tokën e punueshme midis Sudanit dhe Etiopisë, ku ende ekzistojnë zona të kontestuara me kufij të paqartë.

Konfliktet me shkallë kontinentale mund të përfshijnë mosmarrëveshjen për Kashmirin, që përfshin pretendime mbi tokën dhe burimet ujore nga India, Pakistani dhe pjesërisht Kina. Duke qenë se të trija janë fuqi bërthamore, konflikti ka potencialin të përshkallëzohet në një nivel global.

Duke parë drejt së ardhmes, Arktiku (veriu më i largët) po bëhet një skenë e re e pretendimeve të natyrave të ndryshme midis Rusisë, Kanadasë, Shteteve të Bashkuara, Norvegjisë dhe Danimarkës. Në këtë rajon më verior të globit përreth Polut të Veriut, ngrohja globale po shkrin akullin, duke hapur rrugë të reja dhe më të shkurtëra detare dhe akses në rezervat e mëdha të naftës, gazit dhe mineraleve. Rusia tashmë e ka militarizuar zonën, ndërsa vendet e tjera po rrisin praninë e tyre ushtarake, teknologjike dhe ekonomike. Konflikti për Groenlandën veçse shpalos këtë kuadër të ri konflikti.   

Një tjetër rajon potencial krizash është Deti i Kinës Jugore, i pasur me gaz, naftë dhe peshq. Ndërsa Kina pretendon pothuajse të gjithë zonën, Vietnami, Filipinet, Malajzia, Brunei dhe Tajvani gjithashtu kanë pretendime konkurruese. Deti i Kinës Jugore është një korridor strategjik detar, që bart rreth 30% të tregtisë globale detare me një vlerë prej 3–5 trilion dollarë në vit — një nyje kritike për interesat e SHBA-së dhe e përkthyer prej saj si “sfidë e lidhur me sigurinë.” [4]

Rajone të tjera afër lufte përfshijnë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Qendrore dhe Perëndimore, të cilat përmbajnë rezervat e mëdha të naftës, mineraleve të rralla, dhe gazit dhe përfshijnë shtete të mëdha si Irani, por edhe të brishta si Republika Demokratike e Kongos, Nigeria, Mali, Çadi dhe Burkina Faso — të gjitha të “ndërlidhura” me fuqitë kryesore si Rusia, Kina, Shtetet e Bashkuara, Franca dhe të tjerët.

Luftërat gjithashtu mund të lindin nga frika dhe pasiguria, kur njëra prej palëve, zakonisht një fuqi e konsoliduar nxit konflikt sepse ndihet e kërcënuar nga një fuqi në ngritje dhe kërkon të veprojë e para, për të parandaluar një goditje të mundshme nga kjo forcë në rritje. Këtu hyn “në lojë” dilema klasike e “Kurthit të Tukididit”, sipas të cilit “Ishte ngritja e Athinës dhe frika që kjo ngritje shkaktoi tek Sparta që e bëri luftën të pashmangshme.” Një formë më e qartë dhe relativisht bindëse e kësaj frike ose pasigurie shihet në perceptimin e Izraelit se Irani, duke refuzuar të njohë Izraelin si shtet dhe duke aspiruar të bëhet fuqi bërthamore, mund të përbëjë një kërcënim ekzistencial për shtetin hebré.

Kështu, lufta bëhet jo vetëm e mundshme, por ndonjëherë e pashmangshme, kur një fuqi në ngritje kërkon të imponojë dominim, duke sfiduar pozicionin e një fuqie të konsoliduar — një dinamikë që prodhon frikë, rivalitet dhe, në fund, konflikt.

Shembulli më i përshtatshëm modern i Kurthit të Tukididit është dinamika midis Kinës – një fuqi në ngritje dhe Shteteve të Bashkuara – një fuqi e konsoliduar. Që nga Lufta e Dytë Botërore, SHBA-ja ka qenë një superfuqi globale, duke dominuar institucionet ndërkombëtare (OKB, FMN, Banka Botërore), duke mbajtur prani ushtarake në mbarë botën, duke udhëhequr aleanca të fuqishme si NATO dhe duke promovuar rendin liberal demokratik dhe tregjet e lira. Në kontrast, Kina ka demonstruar rritje të shpejtë ekonomike në raport me SHBA-në, duke zgjeruar dhe konsoliduar ndikimin e saj global, veçanërisht përmes investimeve masive në iniciativën e ashtuquajtur “Belt and Road” nëpër Azi, Afrikë, Europë dhe madje Amerikën Latine. Kina synon të barazojë dhe tejkalojë SHBA-në në teknologji: inteligjencën artificiale, rrjetet 5G dhe më tej deri në në militarizimin e hapësirës dhe oqeaneve të thella. Kina po forcon ushtrinë e saj, veçanërisht në Detin e Kinës së Jugut dhe ngushticën e Tajvanit, ndërsa ofron një model qeverisjeje të ndryshëm nga modeli Perëndimor (kapitalizëm shtetëror i kombinuar me autoritarizëm politik), i cili po rezulton gjithnjë e më efektiv në ndjekjen e ambicieve globale.

Në të ardhmen, ndërsa globalizimi thellohet, aleancat ndërkombëtare jo vetëm që do të mbeten relevante, por do të bëhen të domosdoshme për mbijetesë. Për këtë arsye, një ose më shumë vende mund të hyjnë në luftë për të mbrojtur aleatët që kërcënohen ose sulmohen.

Së fundi, lufta do të vazhdojë të përdoret si instrument politik. Historia ofron shembuj të shumtë të shteteve relativisht të fuqishme që nisin konflikte për të shpërqendruar vëmendjen nga problemet e brendshme ose krizat e brendshme.

  • Evolucioni historik i marrëdhënieve midis luftës në tokë dhe luftës në ajër

Lufta tokësore është fusha madhore, me një traditë shekullore. Në krahasim me të, lufta ajrore është ende në fazat e saj fillestare, duke shërbyer fillimisht drejtpërdrejt për të mbështetur objektivat e operacioneve tokësore. Ky raport strategjik i ka detyruar të dyja të zhvillohen në mënyrë të ndërlidhur, edhe pse, në disa raste, secila ka qenë në gjendje të përmbushë në mënyrë të pavarur detyra të caktuara operative ose taktike. Për më tepër, përparimet në njërën fushë kanë ndikuar drejtpërdrejt zhvillimet në tjetrën, duke ndikuar njëkohësisht në taktika, teknologji dhe strategji.

Ndërveprimi midis luftës ajrore dhe asaj tokësore gjatë Luftës së Parë Botërore përfaqëson një pikë kthese vendimtare në historinë ushtarake. Megjithëse aviacioni ishte ende në fazat e tij të hershme, ai luajti një rol gjithnjë e më të rëndësishëm në mbështetjen e operacioneve tokësore.

Aeroplanët ishin shpikur rreth një dekadë përpara shpërthimit të Luftës së Parë Botërore dhe u zhvilluan nën presionet e këtij konflikti të madh gjeopolitik botëror. Fillimisht, avionët e zbulimit u krijuan për të vëzhguar lëvizjet e armikut nga ajri, për të fotografuar linjat e fortifikuara dhe për të mbledhur informacione. Të dhënat e mbledhura nga ajri ndikuan drejtpërdrejt në planifikimin e betejave tokësore, duke përmirësuar ndjeshëm koordinimin me artilerinë. Zbulimi ajror u përdor për të korrigjuar zjarrin e artilerisë me saktësi gjithnjë e më të madhe.

Më pas, u futën në përdorim avionët luftarakë të pajisur me mitraloza për të rrëzuar avionët armikë, duke krijuar nevojën për epërsi ajrore dhe duke shënuar lindjen e luftimit ajror. Me kalimin e kohës, u zhvilluan bombarduesit për të hedhur lëndë shpërthyese mbi objektiva ushtarake, pozicione armike, ura, depo furnizimi dhe linja komunikimi. Megjithatë, bombardimi ajror mbeti në fazat e tij fillestare dhe i kufizuar në shkallë.

Në mënyrë thelbësore, komandantët në nivel strategjik filluan të përfshinin elementin ajror në strategjinë e përgjithshme ushtarake, duke e trajtuar atë si pjesë përbërëse të operacioneve tokësore. Për shembull, gjatë Betejës së Somës në vitin 1916, avionët britanikë u përdorën në masë për të mbështetur ofensivën tokësore, duke ndihmuar në zbulimin e linjave gjermane, në korrigjimin e zjarrit të artilerisë dhe në bombardimin e pozicioneve gjermane përpara sulmeve të këmbësorisë. Në këtë mënyrë, Lufta e Parë Botërore shënoi rastin e parë të rëndësishëm të ndërveprimit midis luftës ajrore dhe asaj tokësore.

Lufta e Dytë Botërore (1939–1945) dëshmoi integrimin e plotë të operacioneve tokësore dhe ajrore. Në këtë konflikt, avionë luftarakë të shpejtë dhe manovrues u përdorën për të kontrolluar hapësirën ajrore dhe për t’u mbrojtur nga bombarduesit. Bombardues të rëndë strategjikë goditën qytete, industri dhe infrastrukturë ushtarake. Bombardues të lehtë siguruan mbështetje të drejtpërdrejtë nga afërsia në lartësi të vogël, duke goditur tanke, trupa, artileri në lëvizje dhe pozicione taktike armike. Avionët transportues dhe ata të parashutistëve lehtësuan zbarkimet e trupave, hedhjen e furnizimeve dhe operacionet ajrore. Koordinimi i ngushtë me artilerinë dhe tanket u arrit përmes komunikimit me radio dhe sinjalizimit ajror, duke u mundësuar pilotëve të merrnin informacion në kohë reale nga toka mbi objektivat e tyre. Shpesh, fushatat tokësore nuk fillonin pa u arritur më parë epërsia ajrore, pasi kontrolli i qiellit siguronte lëvizje më të sigurta për forcat tokësore, të lira nga bombardimet armike. Zbulimi ajror dhe fotografia ajrore zbuluan lëvizjet e armikut dhe prodhuan harta të sakta për goditje.

Nëpërmjet fuqisë së bombardimit ajror u synuan rezultate strategjike. Gjermania naziste u përpoq të nënshtronte Britaninë e Madhe përmes një fushate ajrore (korrik–tetor 1940), duke bombarduar Londrën dhe qytete të tjera të mëdha, me qëllim shkatërrimin e Forcave Ajrore Mbretërore, duke goditur bazat ajrore dhe stacionet e radarit, si dhe fitimin e epërsisë ajrore mbi Kanalin Anglez dhe Anglinë jugore. Qëllimi ishte thyerja e moralit civil, dobësimi i kapaciteteve ushtarake britanike dhe krijimi i kushteve të favorshme për një pushtim. Kështu, Gjermania kërkoi një fitore strategjike vetëm përmes fuqisë ajrore. Por dështoi. Synimi i saj ishte ta detyronte Britaninë të dorëzohej ose të hynte në negociata paqeje. Kjo ishte përpjekja e parë për të përdorur një fushatë ajrore për të nënshtruar një komb të tërë, por rezultati ishte i kundërt.

Më pas, radha i erdhi Britanisë dhe aleatëve të saj kryesorë, të cilët përdorën forcat ajrore për të shkatërruar kapacitetet industriale dhe logjistike të Gjermanisë, përfshirë hekurudhat, rafineritë dhe qytetet, duke dobësuar kështu forcat tokësore të armikut në afat të gjatë. Kjo ndikoi drejtpërdrejt në aftësinë e Gjermanisë për të kryer operacione tokësore. Epërsia ajrore ishte bërë kështu një parakusht për suksesin në tokë.

Megjithatë, nga një këndvështrim strategjik, edhe Lufta e Dytë Botërore mbeti kryesisht një luftë tokësore për sa i përket numrit të trupave, armatimit, shkallës, thellësisë dhe rezultateve të operacioneve. Fuqia ajrore kishte fituar një rëndësi të jashtëzakonshme krahasuar me Luftën e Parë Botërore, veçanërisht në nivel taktik, dhe madje kishte ndërmarrë edhe misione strategjike. Sidoqoftë, ajo mbeti një forcë mbështetëse dhe përforcuese. Ishin forcat tokësore ato që shfrytëzuan rezultatet e fuqisë ajrore, pushtuan dhe mbajtën, ose humbën territore dhe fituan, ose humbën beteja në tokë. Në fund të fundit, në Luftën e Dytë Botërore, luftimi ajror “përgatiti fushëbetejën” për fitoren, por ishte luftimi tokësor ai që e fitoi luftën.

Gjatë Luftës së Ftohtë, një shembull domethënës i integrimit midis luftimit tokësor dhe atij ajror ishte Lufta e Yom Kippur-it (tetor 1973) midis Egjiptit dhe Izraelit, me përfshirjen edhe të Sirisë. Ky konflikt shërben si një model klasik i koordinimit ajër–tokë, duke ofruar mësime të rëndësishme për doktrinën moderne ushtarake. Të dyja palët përdorën forcat tokësore dhe ajrore në mënyrë të ndërthurur, megjithëse me rezultate të ndryshme për shkak të dallimeve në nivelin e integrimit dhe teknologjive në dispozicion.

Egjiptianët arritën një koordinim të suksesshëm në fazën fillestare, gjatë Operacionit “Badr” më 6 tetor 1973, kur forcat e tyre kaluan Kanalin e Suezit dhe zhvilluan një ofensivë tokësore të mirëplanifikuar, të mbështetur nga mbulimi intensiv ajror. Duke përdorur raketa tokë–ajër SA-2 dhe SA-6, ata krijuan një “korridor ajror të sigurt” që mbronte trupat tokësore nga sulmet ajrore izraelite. Ndërkohë, avionët egjiptianë MiG-21 dhe Su-7 mbështetën forcat tokësore në avancim, duke goditur pozicionet izraelite në thellësi dhe duke lehtësuar avancime të mëtejshme territoriale.

Pas këtij tronditjeje fillestare, izraelitët rifituan epërsinë ajrore me avionët F-4 “Phantom” dhe A-4 “Skyhawk”, duke kryer sulme ajrore intensive kundër linjave egjiptiane të furnizimit, njësive të blinduara dhe pozicioneve të raketave. Pasi mbrojtja ajrore egjiptiane u shty prapa, forcat tokësore egjiptiane mbetën pa mbulim ajror, duke i dhënë Izraelit mundësinë të niste një kundërofensivë vendimtare. Me manovra të armëve të kombinuara nën mbështetje të fortë ajrore, forcat izraelite kaluan Kanalin e Suezit dhe e vunë ushtrinë egjiptiane përballë rrezikut të rrethimit operacional-strategjik. Në këtë mënyrë, të dyja palët dëshmuan se epërsia ajrore mund të shndërrohej në sukses tokësor, por në fund ishte Izraeli ai që e fitoi luftën, duke thyer integrimin egjiptian të fuqisë ajrore dhe tokësore.

Por, ndoshta zhvillimi më interesant lidhur me pyetjen nëse rezultati i një lufte vendoset në tokë apo në ajër është Lufta për Çlirimin e Kosovës kundër forcave ushtarake dhe policore serbe, të cilat po zhvillonin një fushatë spastrimi etnik masiv kundër popullsisë shqiptare të Kosovës. Ky konflikt përfshiu një sërë aktorësh dhe operacionesh, si më poshtë:

• Fushata diplomatike amerikane dhe e NATO-s për të ndalur spastrimin etnik masiv të popullsisë shqiptare të Kosovës.
• Vullneti dhe vendimi politik i fuqive perëndimore për të ndërmarrë fushatën ajrore kundër forcave dhe aseteve ushtarake serbe.
• Planifikimi ushtarak i NATO-s për zbatimin e fushatës ajrore kundër forcave dhe aseteve ushtarake serbe.
• Zbatimi i fushatës ajrore, i drejtuar dhe i komanduar nga toka (qendrat komanduese të NATO-s) dhe i koordinuar, për aq sa ishte e mundur, me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
• Dorëzimi politik dhe ushtarak i Serbisë, duke pranuar të tërhiqej nga Kosova dhe të pranonte të gjitha kushtet e NATO-s.
• Përgatitja dhe dislokimi i forcave tokësore të NATO-s në kryeqytet dhe në qytetet kryesore menjëherë pas dorëzimit politik dhe ushtarak të Serbisë dhe tërheqjes së forcave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova.
• Krijimi i KFOR-it (forcave paqeruajtëse) nën mandatin e OKB-së, përmes të cilit NATO mori kontrollin e sigurisë në Kosovë, duke parandaluar shpërthimin e një konflikti të ri.

Në këtë kontekst, nga një këndvështrim rreptësisht ushtarak, NATO nuk kishte dislokuar trupa tokësore në Kosovë. Ato ndodheshin në gatishmëri diku tjetër, por nuk ishin të angazhuara në luftime. Në vend të kësaj, NATO angazhoi rreth 1.000 avionë luftarakë, përfshirë bombardues strategjikë (B-52, B-1B), avionë gjuajtës (F-16, F-15, F/A-18), avionë të pajisur me radar për vëzhgim, zbulim, paralajmërim të hershëm, gjurmim të objektivave ajrore dhe tokësore, si dhe për operacione komandimi dhe kontrolli (AWACS), përveç avionëve të luftës elektronike të projektuar për të çrregulluar dhe neutralizuar radarët e armikut. Këto operacione u zhvilluan nga bazat ajrore në Itali, Gjermani, Mbretërinë e Bashkuar, si dhe nga anije luftarake në Detin Adriatik.

Nga ana tjetër, mbrojtja ajrore e Serbisë përbëhej nga rreth 30–40 avionë aktivë, 1.200 raketa tokë–ajër dhe 150–200 njësi radarike aktive — të gjitha sisteme të viteve 1960–70, të cilat mbështeteshin në teknika kamuflimi dhe lëvizshmëri të shpejtë për t’iu shmangur goditjeve të NATO-s. Megjithëse rrjeti i radarëve ishte i integruar, ai mbeti i cënueshëm ndaj sulmeve të luftës elektronike të NATO-s. Serbia ruajti një mbrojtje ajrore të qëndrueshme, duke e bërë fushatën më sfiduese sesa ishte parashikuar. Megjithatë, Aleanca Euro-Atlantike siguroi epërsi absolute në forcë numerike, teknologji dhe aftësi operacionale.

Si rezultat, NATO zhvilloi një fushatë ajrore 78-ditore, duke goditur objektiva ushtarake, infrastrukturore dhe strategjike serbe, e cila përfundimisht detyroi regjimin e Sllobodan Millosheviqit të pranonte tërheqjen nga Kosova.

Në terren, ishte Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) ajo që kishte një rol për të luajtur, përmes luftës aktive dhe rezistencës, duke ruajtur ndërgjegjen kombëtare dhe moralin. UÇK-ja u bë simbol i luftës çlirimtare, duke tërhequr vëmendjen ndërkombëtare dhe duke rritur presionin mbi komunitetin global për të ndërhyrë.

Megjithatë, është realiste të vlerësohet se UÇK-ja:

• Ndodhej në një disavantazh të madh numerik krahasuar me forcat ushtarake dhe policore serbe (afërsisht 1:4).
• U përball me dallime të thella, si në sasi, ashtu edhe në llojet e armatimit në dispozicion.
• Ishte një ushtri partizane, që vepronte kryesisht në një pjesë relativisht më të vogël rurale dhe malore të Kosovës, ndërsa ushtria dhe policia serbe kontrollonin pothuajse të gjitha rrugët kryesore, kryeqytetin dhe qytetet e tjerë.
• Nuk kishte përvojë të mëparshme luftarake. Në të kundërt, forcat serbe kishin grumbulluar rreth tetë vjet përvojë në konflikte etnike që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë.

UÇK-ja kreu disa operacione tokësore që ndihmuan në identifikimin e disa forcave serbe si objektiva për bombardimet e NATO-s, duke arritur një bashkëpunim taktik me NATO-n gjatë fushatës ajrore, ndërkohë që NATO luajti rol strategjik. Sidoqoftë, UÇK-ja përfaqësonte një kthesë strategjike për shqiptarët e Kosovës, nga rezistenca paqësore drejt rezistencës së armatosur, e radikalizuar nga fushata serbe e spastrimit etnik kundër popullsisë shqiptare të Kosovës. Kjo ishte një strategji e re që fitoi mbështetje të gjerë nga popullsia, duke ndryshuar dinamikat politike në Kosovë. Në fazat e saj të hershme, UÇK-ja u pa me dyshim nga komuniteti ndërkombëtar dhe madje u etiketua si “terroriste” në disa deklarata. Por, me kalimin e kohës ajo fitoi legjitimitet ndërkombëtar gjatë dhe veçanërisht pas luftës, duke u bërë pjesë e delegacionit shqiptar në Konferencën e Rambujesë (1999), dhe duke u njohur si përfaqësuesja legjitime e rezistencës së organizuar dhe aktive të popullit shqiptar në Kosovë. Pjesëmarrja e saj në negociatat ndërkombëtare e ngriti UÇK-në nga një grup gueril në një aktor politik moral dhe legjitim. Kështu, ndonëse fushata ajrore ishte vendimtare, veprimet operacionale të UÇK-së ishin mbështetëse.

Në analizë të fundit, rezultati i Luftës për Çlirimin e Kosovës nuk u vendos në ajër. Pse? Sepse vullneti politik, mbështetja dhe vendimmarrja, si dhe planifikimi, drejtimi dhe komandimi strategjik ushtarak — elemente thelbësore të luftës këto — u zhvilluan të gjitha në tokë nga NATO në radhë të parë dhe po kështu edhe nga UÇK-ja, si dhe nga forcat ushtarake e policore serbe. Prandaj, edhe rezultati përfundimtar i kësaj lufte (si fitorja, ashtu edhe humbja) u përcaktua në tokë.

  • Raporti midis luftës në tokë dhe luftës në ajër në të ardhmen

E ardhmja e këtij binomi ka filluar tashmë. Lufta në Ukrainë ka treguar dhe vazhdon të tregojë shumë për mënyrën se si do të duket kjo e ardhme. Në këtë konflikt po përdoren një sërë teknologjish të reja ajrore që nuk janë përdorur kurrë më parë. Ndër to spikasin dronët — sisteme ajrore luftarake pa pilot. Që nga fillimi i luftës, forcat ruse kanë lëshuar rreth 100.000-150.000 dronë kryesisht me rreze të gjatë dhe me pretendim operativ e strategjik, ndërsa forcat ukrainase kanë lëshuar dhjetra herë më shumë, por kryesisht për fushë-betejë, pra për rezultate taktike e operative. Nga ky këndvështrim, ky konflikt mund të quhet me të drejtë “lufta e dronëve”. Ky përdorim masiv i dronëve për herë të parë në historinë e luftrave, ka detyruar krijimin e një shërbimi/dege të veçantë, duke i pozicionuar dronët si rivalë të artilerisë tokësore, si për nga numri, ashtu edhe për nga vdekjeprurja, si dhe për aftësitë e inteligjencës, zbulimit dhe vëzhgimit. Megjithatë, pavarësisht këtsaj rritjeje mbresëlënëse, dronët mbeten kryesisht një mjet taktik: të fuqishëm, me rreze të madhe veprimi dhe gjithnjë e më efektivë, por jo një faktor strategjik që përmbys ekuilibrat e mëdhenj të luftës.

Forcat ruse kanë përdorur gjithashtu raketa hipersonike, që lëvizin me shpejtësi pesë herë më të madhe se ajo e zërit, të cilat janë jashtëzakonisht të vështira për t’u kapur nga mbrojtja ajrore konvencionale për shkak të shpejtësisë së tyre ekstreme, lartësisë së ulët të fluturimit dhe manovrueshmërisë së lartë. Megjithatë, sistemet perëndimore si bateritë “Patriot”, ndonëse në numër të kufizuar, kanë arritur të neutralizojnë disa prej këtyre kërcënimeve të avancuara.

Megjithatë, më në fund konflikti ka marrë formën e një modeli statik, të lidhur me transhetë, duke demonstruar se lufta tokësore vazhdon të jetë vendimtare, edhe pse fuqia ajrore po merr një rol gjithnjë e më të rëndësishëm. Linjat e frontit dhe pushtimi, ose mbrojtja e pozicioneve strategjike përcaktohen nga operacionet tokësore, ku këmbësoria mbështetet shumë te artileria, tanket, mjetet e blinduara, minat dhe fortifikimet e të gjitha llojeve. Ka patur ditë kur forcat ruse kanë shtënë 60.000–70.000 predha artilerie, ndërsa forcat ukrainase kanë shtënë 10.000–12.000. Shpenzimi vjetor i Ukrainës për artilerinë arrin rreth dy milionë predha, ndërsa ai i Rusisë është katër deri në pesë herë më i madh. [5]

Ka një fakt interesant, që duket si kontradiktor: humbjet ukrainase nga artileria ruse kanë qenë shumë më të mëdha sesa nga dronët rusë, ndërsa e kundërta ka ndodhur me humbjet ruse: ato kanë qenë më të mëdha (70-80% nga dronët ukrainas dhe pjesa tjetër nga artileria dhe armët e tjera të këmbësorisë). [6] Por, në këto raste droni është përdorur thjesht si një predhë artilerie, e cila edhe kjo fluturon në ajër. Pra droni, në këto raste, nuk mbetet të jetë mjet ajror. Pra, në fund të fundit, rezultati strategjik i luftës është përcaktuar në tokë.

Ky përfundim mbështetet edhe më tej nga fakti se të dy palët në konflikt janë shtete me thellësi kontinentale dhe fqinjë të drejtpërdrejtë tokësorë.

Operacioni i Izraelit kundër Iranit në qershor 2025 ilustroi një perspektivë tjetër mbi këtë çështje. Operacioni mbështetej në një rrjet të integruar inteligjence, duke siguruar mijëra imazhe satelitore. Izraeli kishte arritur më parë kontroll të plotë mbi hapësirën ajrore iraniane, duke neutralizuar rreth 70% të baterive ajrore mbrojtëse të Iranit. [7] Nga ana tjetër, Irani lëshoi rreth 550 raketa balistike dhe afërsisht 1,000 dronë drejt Izraelit, por shumica e raketave u ndërprenë nga mbrojtja ajrore izraelite dhe amerikane, duke arritur një shkallë suksesi prej rreth 90 për qind. [8]

Sidoqoftë, morën vend edhe operacione tokësore: vrasjet e figurave kyçe, përfshirë gjeneralët dhe shkencëtarët, shumica e të cilave u kryen përmes atentateve të drejtpërdrejta, bombave ose dronëve shpërthyes të kontrolluar nga distanca brenda territorit iranian, të ekzekutuara nga personeli i inteligjencës dhe të planifikuara muaj përpara operacionit ajror.

Në këtë operacion, roli vendimtar u luajt nga fushata ajrore, ndërsa veprimet tokësore kishin një funksion mbështetës. Megjithatë, edhe operacioni ajror nuk arriti një rezultat strategjik, por vetëm rezultate taktike dhe operative: ai vetëm e ngadalësoi programin bërthamor të Iranit, që do të thotë se objektivi strategjik për ta ndaluar atë, ose për ta detyruar të pranojë ndonjë marrëveshje në këtë drejtim, nuk u arrit. Politikisht, operacioni vetëm sa radikalizoi më tej fraksionin e linjës së ashpër në Iran. Operacioni izraelit, së bashku me sanksionet perëndimore, e shtynë Iranin më afër Rusisë, Kinës dhe shteteve të BRICS. Kështu, në vend që të shpërbëhej, Irani u integrua më tej në një rend alternativ global, duke zhvendosur edhe më tej ekuilibrat gjeopolitikë.

Pra, përmes operacionit të tij, Izraeli fitoi pak kohë, por nuk zgjidhi problemin strategjik. Ky rezultat justifikohet edhe nga fakti se të dy palët në konflikt janë shtete bregdetare pa kufij tokësorë të drejtpërdrejtë. Nën këto kushte, një sulm tokësor nga Izraeli është absolutisht i pamundur për shumë arsye. Prandaj, mund të thuhet se rezultati i operacionit nuk u vendos në ajër.

Ndërkohë, një zhvillim interesant lidhur me këtë dilemë thuhet se po ndodh në Kinë: përpjekje për një “aeroplanmbajtëse” ajrore! Kjo nuk është fantazi, edhe pse ndonjëherë trajtohet si një koncept ushtarak krejtësisht spekulativ. Bëhet fjalë për një fortesë fluturuese e fuqizuar me energji diellore dhe inteligjencë artificiale, e aftë të qëndrojë në atmosferën e sipërme pa ajër për muaj ose madje vite, pa kërkuar karburant, pistë apo kthim në tokë.

Sigurisht, platformat diellore nuk janë të reja. NASA i ka testuar. Boeing ka tentuar të ndërtojë një të tillë. Por, në rastin e supozuar të Kinës, fokusi nuk është te platforma, por te ngarkesa: brenda “aeroplanmbajtëses” kineze supozohet se do të ketë stacione komunikimi satelitore në kohë reale, duke lidhur qendrat e komandim-drejtimit përtej oqeaneve. Inteligjenca artificiale e integruar do të jetë e aftë të marrë vendime të menjëhershme në betejë, të zgjedhë objektivat, të caktojë misione dhe të riorganizojë dronët gjatë fluturimit pa ndonjë komandë njerëzore. Mund të lëshohen raketa hipersonike nga një sistem i tillë dhe nga një lartësi kaq e madhe, saqë gjysma e distancës deri te objektivi përshkohet para se ndonjë interceptim të jetë i mundur në tokë. Pra, është një sistem që kontrollon qiellin. Një sistem që mund të mbijetojë edhe në rastin e një lufte bërthamore.

Duket sikur nga ky moment e tutje, kushdo që kontrollon qiellin kontrollon rezultatin në tokë. Në këto kushte, aeroplanmbajtëset oqeanikë mund të mbeten si relike, sepse kanë shumë dobësi fatale: janë të shtrenjta, të cenueshme ndaj raketave, të lehta për t’u zbuluar dhe ndjekur nga satelitët dhe mund të fundosen. Të gjitha këto dobësi, përkundrazi, kthehen në forca për aeroplanmbajtësen hapësinore.

Kështu, mund të jemi dëshmitarë të një arme që nuk vjen për të luftuar ballë për ballë, por për të qëndruar mbi betejë, në hapësirë. Armët më frikësuese nuk janë ato që shohim, por ato që fluturojnë në qiellin e pafund, të padukshme, të paprekshme dhe të pandalshme.

Pra, duket sikur fusha e betejës po pëson një ridimensionim strategjik: një platformë e re armësh, një vendkomandim-drejtimi ajror që mund të mos ulet kurrë, duke monitoruar fushat e betejës në mënyrë të vazhdueshme.

Por, kryepyetja mbetet: a do të ndryshojnë këto zhvillime parimin e përjetshëm që rezultati i luftës vendoset në tokë dhe jo në ajër? Le të shohim përfundimet.

Përfundime

Është fakt: pesha e kontributit të fuqisë ajrore në luftë është rritur, po rritet dhe do të vazhdojë të rritet në raport me fuqinë tokësore, deri në atë masë sa po flitet gjithnjë e më shumë për një “Gjeopolitikë të Ajrit” [9] në zhvillim. Ky nocion ofron çelësin për të kuptuar se si hapësira ajrore, fuqia ajrore dhe teknologjitë e lidhura me to formësojnë strategjinë ushtarake në tërësi, politikën ndërkombëtare, sovranitetin shtetëror, kontrollin territorial dhe ndikimin global. Koncepti përfshin gjithashtu zhvillimet në hapësirën e jashtme dhe rolin gjithnjë në rritje të dronëve, satelitëve dhe aviacionit civil dhe ushtarak. Në strategjitë moderne nuk ka më një kufi të qartë mes ajrit dhe hapësirës pa ajër përtej tij.

“Gjeopolitika e Ajrit” mund të përmblidhet me aksiomën se kushdo që kontrollon ajrin dhe hapësirën drejton në mënyrë efektive ngjarjet në tokë.

Megjithatë, edhe duke njohur këtë rishikim të fuqisë në ajër dhe hapësirë, duhet të mbajmë shënim se çdo armë, duke përfshirë edhe sistemet e mbrojtjes ajrore, në fund të fundit gjen “antidotin” e vet. Për dy ose tre vjet, dronët u ngjitën pothuajse në legjendë: të vegjël, të lirë për t’u prodhuar, të vështirë për t’u zbuluar dhe të dislokuar në tufë që mund të mbingarkonin mbrojtjen ajrore tradicionale. Megjithatë, ja ku jemi: kompania australiane e mbrojtjes Electro Optic Systems (EOS) ka prezantuar armën e saj të re me lazer me energji të lartë, Apollo HELW, e cila gjeneron deri në 150 kË energji dhe është e aftë të neutralizojë 200 dronë me madhësi të mesme, duke përdorur vetëm furnizimin e saj të brendshëm të energjisë. Një përgjigje pothuajse e menjëhershme ndaj “legjendës së dronëve.”

Armët e bazuara në lazer po njihen gjithnjë e më shumë si një përgjigje moderne dhe efektive ndaj kërcënimit në rritje të dronëve të armatosur. Rrezet lazer udhëtojnë me shpejtësinë e dritës, mund të angazhojnë njëkohësisht disa objektiva dhe ofrojnë një kosto jashtëzakonisht të ulët për goditje — vetëm disa dollarë për secilën. Këto sisteme janë zhvilluar për dekada me radhë, por vitet e fundit janë afruar pranë pragut të dislokimit të plotë operacional. Sistemi lazer i prodhuar në Australi tashmë i është shitur një shteti anëtar të NATO-s (emri i të cilit nuk është bërë publik). Ai mund të shkatërrojë dronë në një distancë deri në 3 km (1,86 milje), të çaktivizojë sensorët optikë deri në 15 km (9 milje), të mbulojë një fushë të plotë 360°, të reagojë brenda 700 milisekondash në një hark prej 60°, dhe të angazhojë deri në 20 dronë në minutë. Sistemi mund të funksionojë si armë e pavarur, ose si pjesë e një rrjeti të integruar të mbrojtjes ajrore. Nëse kërkohet, ai mund të montohet edhe në mjete ushtarake. Furnizimi i brendshëm me energji i siguron pavarësi të plotë, duke i mundësuar të funksionojë edhe kur rrjeti elektrik është i dëmtuar. Sipas disa burimeve, me furnizimin e tij të brendshëm me energji, sistemi është në gjendje të neutralizojë deri në 200 dronë përpara se bateria të shterojë. [10] Dhe ky sistem do të përdoret fare kollaj nga toka ose nga deti!

Ndërkohë, nuk duhet të shkëputemi nga konteksti, sepse shkëputja nga konteksti çon në përfundime arbitrare. Sir Michael Howard, një nga historianët ushtarakë më të shquar të shekullit të 20-të, vëzhgoi se shkaktarët e vërtetë të fitoreve dhe humbjeve zakonisht gjenden larg teatrit të operacioneve, në fushat politike, ekonomike, sociale dhe industriale.

Ky ishte një deduktim që ishte “vulosur” më herët nga i famshmi Clausewitz, kur ai argumentoi se lufta nuk është gjë tjetër veçse vazhdimi i politikës me mjete të tjera, duke nënkuptuar se lufta nuk është një akt i pavarur, se ajo shërben si instrument politik për arritjen e objektivave shtetërorë, se vendimi për të hyrë në një luftë, mënyra se si ajo kryhet dhe si përfundon, janë të gjitha në thelb politike; se komanda ushtarake duhet t’i nënshtrohet udhëheqjes politike dhe jo të veprojë në mënyrë të pavarur; dhe se nëse ushtria vepron jashtë kuadrit politik, lufta mund të dalë jashtë kontrollit dhe të humbasë qëllimin e saj origjinal. Po ashtu, ai nënkuptonte se fuqia ekonomike e një shteti ndikon drejtpërdrejt në kapacitetin e tij për të mobilizuar ushtritë, furnizuar armatime dhe logjistikë dhe për të mbajtur vetveten në një konflikt të gjatë.

Në këtë kontekst, Clausewitz thekson se lufta nuk është vetëm çështje e qeverisë dhe ushtrisë, por edhe e popullit; se emocionet e shoqërisë, ndjenjat nacionaliste, urrejtja, ideologjia, luajnë një rol të madh në nxitjen dhe mbështetjen e luftës dhe se kjo ide parashikon konceptin e luftës totale, ku e gjithë shoqëria mobilizohet për konflikt. Këto parime, të pranuara gjerësisht, u zhvilluan më tej nga shumë teoricienë të luftës, përfshirë Friedrich Engels, i cili theksoi më fuqishëm rolin e ekonomisë në luftë.

Ndërkohë, strategët modernë si Edward Luttwak, Raymond Aron dhe të tjerë e lidhën mendimin e Clausewitz me botën moderne, ku politika, ekonomia dhe shoqëria janë ngushtë të ndërthurura në çdo konflikt.

Kështu, rezultati i luftërave të ardhshme do të jetë një produkt i përbashkët i fuqisë tokësore dhe asaj ajrore, por vulën e vendos toka. Luftërat fitohen ose humbasin kryesisht përmes burimeve ekonomike (financimi i luftës, kapaciteti industrial për të prodhuar pajisje ushtarake, aftësia për të përballuar një konflikt të gjatë); udhëheqjes politike dhe unitetit kombëtar (qëllimet e qarta të luftës, stabiliteti i qeverisë gjatë luftës, mbështetja e popullit për luftën); mbështetjes ose kundërshtimit ndërkombëtar (diplomacia ndërkombëtare, aleancat, sanksionet/embargot nga armiqtë, presioni ndërkombëtar dhe opinioni publik global); moralit dhe psikologjisë (besimi i ushtarëve në qëllimin e luftës, qëndrueshmëria psikologjike e popullsisë, propaganda dhe lufta psikologjike, lodhja nga lufta ose humbja e motivimit); fuqisë së përgjithshme ushtarake (jo vetëm fuqia ajrore) dhe strategjisë e taktikave, si dhe cilësisë së udhëheqjes ushtarake.

Siç shihet, të gjitha këto rrjedhin nga toka dhe ushtrohen mbi tokë. Fuqia ajrore mund të bëhet një çështje jetike, por toka mbetet dhe do të mbetet një çështje mbijetese.

References

  • Hobbes, Thomas, “Leviathan”, First Book, Chapter XIII — “Of the Natural Condition of Mankind, as concerning their Felicity, and Misery”, 1651
  • Rousseau, Jean-Jacques, “Discourse on the Origin and Basis of Inequality Among Men”, 1755;  “The Social Contract”, 1762
  • Pinker, Steven, “The Better Angels of Our Nature: Why Violence Has Declined”, 2011
  • Θουκυδίδης Ιστορία του Πελοποννησιακού Πολέμου, (Thukididi, “History of the Peloponnesian War”, Book 1, paragraph 23 (1.23), 2022
  • National Security Strategy of the United States of America, November 2025
  • The Voice of Ukraine, April 27, 2024; Forbes, Feb. 28, 2025
  • The New York Times, March, 3, 2025
  • The Times of Israel, 17 June 2025 and 24 June 2025
  • Sir Michael Howard, in his 1961 essay discussing how military professionals should develop a broader, multidisciplinary theory of war.
  • Engels, Friedrich, “The Role of Force in History” (German: Die Rolle der Gewalt in der eschichte)
  • Revue Défense Nationale, https://www.defnat.com

[1] Hobbes, Thomas, “Leviathan”, First Book, Chapter XIII “Of the Natural Condition of Mankind, as concerning their Felicity, and Misery”, 1651

[2] Rousseau, Jean-Jacques, “Discourse on the Origin and Basis of Inequality Among Men”, 1755; “The Social Contract”, 1762.

[3] Pinker, Steven, “The Better Angels of Our Nature: Why Violence Has Declined”, 2011

[4] National Security Strategy of the United States of America, November 2025

[5]  The Voice of Ukraine, April 27, 2024; Forbes, Feb 28, 2025

[6] The New York Times, March, 3, 2025

[7] The Times of Israel, 17 June 2025

[8] The Times of Israel, 24 June 2025

[9] Revue Défense Nationale, https://www.defnat.com

[10] David Szondy, “Apollo lazer takes down 200 drones unplugged”, September 18, 2025 (newatlas.com/military)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here