Mes 14 pjesëmarrësve të spektaklit madhështor “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës”, spikati edhe figura e Ina Malhanit, e vetmja grua humaniste në këtë aktivitet kushtuar gruas që u bë simbol i dashurisë dhe shërbimit ndaj njerëzimit.

Për më shumë se 35 vite, Ina Malhani ka qenë pranë njerëzve në nevojë, duke e kthyer humanizmin në një mision jetësor. Ajo ka ndihmuar të sëmurët, familjet në vështirësi dhe njerëzit e pamundur, duke dëshmuar se solidariteti dhe përkushtimi ndaj tjetrit janë vlera që nuk njohin kufij.

Një moment i veçantë në jetën e saj mbetet takimi me Nënë Terezën në vitin 1995, një përjetim që la gjurmë të thella në rrugëtimin e saj human. E frymëzuar nga shembulli i shenjtores shqiptare, Ina ka shërbyer si vullnetare edhe në Kalkutë, aty ku Nënë Tereza ndërtoi misionin e saj të jashtëzakonshëm në ndihmë të më të varfërve.

Kontributi i saj nuk ndalet këtu. Për 35 vite me radhë ajo ka qenë dhuruese gjaku, duke shpëtuar dhe ndihmuar dhjetëra jetë njerëzish, ndërsa ka vijuar pa ndërprerje angazhimin në shërbim të të sëmurëve dhe personave në nevojë.

Pjesëmarrja e Ina Malhanit në spektaklin “Shën Tereza, shqiptarja e gjithë botës” ishte më shumë se një prezencë simbolike. Ajo përfaqëson një model të gjallë të humanizmit, një grua që për dekada ka ndjekur me përkushtim rrugën e shërbimit ndaj njeriut, duke mishëruar në jetën e saj vlerat që Nënë Tereza predikoi dhe jetoi çdo ditë.

Historia e saj mbetet një dëshmi frymëzuese se humanizmi nuk është vetëm një fjalë, por një mënyrë jetese që lë gjurmë në zemrat e njerëzve dhe në shoqëri.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here