Përshëndetje gazeta “Intervista”! Unë që ju shkruaj quhem Sokol dhe jam tridhjetë vjeç. Sapo kam mbaruar shkollën e lartë dhe jam duke kërkuar punë. Për momentin, dua të vë rregull në jetën time dhe të rifilloj të jetoj si njeri normal.

Mezi arrita ta mbaroja shkollën e lartë, pasi gjatë kësaj kohe kam pasur shumë probleme. Unë kam lindur në një fshat të Durrësit dhe prindërit e mi ishin shumë keq ekonomikisht. Ata mezi arrinin të na siguronin bukën, le pastaj gjërat e tjera. Jam mësuar të kem ftohtë në dimër dhe të robtohem në verë. Për të pasur ndonjë lek, më duhej të ngrihesha që në mëngjes e të vija në Tiranë, ku punoja si kamarier. Në atë kohë isha vetëm pesëmbëdhjetë vjeç, por duhet ta bëja këtë sakrificë. Shkollën e kam pasur gjithnjë ëndërr. Doja të vija në Tiranë, të mbaroja universitetin dhe të isha dikushi në jetë. Gjithnjë e kam ditur se prindërit e mi nuk ma siguronin dot mbështetjen e duhur, sepse nuk kishin mundësi, me gjithë dëshirën e tyre të mirë.
Kështu, unë u mësova të punoja që i vogël. Përpiqesha të ruaja edhe ndonjë lek më tepër që t’ua jepja prindërve. Për veshje as që bëhej fjalë, pasi kishim gjëra të tjera më të rëndësishme për të bërë.
Kur mbarova gjimnazin, konkurova për Universitet dhe arrita të fitoja, madje të dilja i dyti. Isha shumë i lumtur dhe krenar për veten time. Kisha punuar edhe gjatë verës kështu që kisha kursyer lekë për t’u regjistruar dhe mezi po prisja ta bëja këtë.
Gjatë asaj kohe, në kulmin e gëzimit tim, mamaja ime u sëmur. Shkuam nëpër doktorë dhe të gjithë lekët që kisha hequr për universitetin, i harxhova për të. Fatkeqësisht, ajo doli me kancer. E kishim të pamundur t’i ofronim kura apo trajtime të shtrenjta. Mamaja u operua dhe nisi të përkeqësohej. Mua m’u desh ta lija shkollën atë vit. Jo vetëm që nuk kisha më lekë, por edhe më duhej të rrija afër saj. Mjekët ia hoqën shpresat.
Kam kaluar ndoshta periudhën më të keqe të jetës sime. Ndihesha i vrarë shpirtërisht… Kam qenë shumë i lidhur me mamanë. Kur mendoja sakfrificat që kishte bërë për mua, tërbohesha. Kisha ëndërruar gjithnjë që t’i siguroja një jetë më të mirë, qoftë edhe për pak, por unë ende nuk kisha një shkollë, një punë të mirë.
Ajo vdiq në shtëpinë tonë në fshat, e varfër dhe e vuajtur, siç kishte jetuar gjithnjë.
Edhe vitin tjetër nuk shkova dot në shkollë. Isha i mbytur nga dhimbja dhe hidhërimi. Nuk bëja dot asgjë. Më pas, vendosa të vija rregull në jetën time dhe të rinisja punën për të realizuar ëndrrat që kisha. I vura vetes qëllim që këtë do ta bëja për mamanë time.
Kështu, konkurova sërish, kësaj here në mjekësi. Doja që përveçse për mamanë time, ta bëja këtë për të gjithë njerëzit që do të sëmureshin. Doja vetëm të shpëtoja jetë njerëzish.
Kështu, nisa të mësoja. Deri në atë kohë, nuk kisha pasur asnjë lidhje. Kushtet e mia të vështira të jetesës kishin bërë që të mos interesohesha për vajzat, pasi nuk kisha mundësi. Në vitin e dytë të fakultetit, arrita të sistemohesha disi. Punoja, arrija t’i nxirrja vetë shpenzimt e mia dhe të isha i qetë për mësimet, por gjatë asaj kohe, njoha Julin. Ajo studionte bashkë me mua. Ishte një vajzë e urtë dhe shumë e mirë. Në fillim, vetëm mësonim bashkë. Shkëmbenim idetë dhe mendimet tona për mësimet. Më pas, nisëm të pinim kafe pas mësimit e të bisedonim edhe për gjëra të tjera. Nisëm të pëlqeheshim. Nga fundi i vitit të dytë, ne u lidhëm.
Jetonim të dy në konvikt, ishim në një klasë, kështu që më të shumtën e kohës ishim bashkë. Përveç meje, ajo dilte edhe me dy shoqe, të cilat i kishte në dhomë. Me ato hapej për çdo gjë. Kur nuk ishte me mua, pa diskutim, ishte me to.
Isha shumë i qetë dhe i lumtur me të. Në disa gjëra, ajo më kujtonte mamanë time. E doja gjithnjë e më shumë, aq sa po mendoja që të fejohesha me të. Isha i bindur që ajo ishte vajza që kisha ëndërruar, me të cilën doja të kaloja jetën time, por qe vetë Juli që ia vuri shkelmin kësaj ëndrre. Ajo u tregua shumë harbute dhe e ulët.
Atë ditë, unë kisha blerë një tufë me lule dhe po shkoja në dhomën e saj për t’i bërë një surprizë. Ende nuk isha i sigurtë nëse duhet t’i thoja për fejesën apo jo, por isha i sigurtë se e doja shumë atë vajzë.
Po ecja në korridor dhe ndalova përpara derës së saj. Nga aty, dëgjova zërin e saj karakteristik, ndërsa po fliste me shoqet.
“Hë mi se Sokoli se si është!”, tha njëra prej tyre.
Po flisnin për mua. Qesha dhe vazhdova të qëndroja aty, sepse doja të dëgjoja si do të më mbronte Juli, por në fakt, dëgjova prej gojës së saj gjëra të tmerrshme.
“Është njëçik si katundar, madje pak si shumë, tha ajo. Po çfarë t’i bëj?! Jam rehat me të, të paktën derisa të mbarojë shkolla. Kështu, asnjeri nuk më ngacmon. Si për të dashur të parë, mirë është! Pastaj, “ciao”!”.
Nuk po arrija ta besoja që ishte ajo që i nxirrte nga goja këto fjalë. I rashë derës. Kur ma hapi, nisi të buzëqeshte ëmbël, ndërsa vajzat e tjera po nënqeshnin. I hodha lulet përtokë, i thashë se isha krenar që isha fshatar, por të paktën unë kisha dinjitet dhe ndershmëri, dy gjëra që ajo nuk do t’i kishte kurrë. U largova dhe nuk i fola më.
E pata të vështirë të rikthehesha në shkollë dhe të përqendrohesha në mësim ndërsa e kisha atë aty rrotull, por i vura qëllim vetes ta neglizhoja dhe ia dola. Tani po pres që diploma të më hyjë në punë për të rindërtuar një jetë të qetë dhe të lumtur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *