-Noel a mund të bësh një prezantim të vetes duke qenë se je i ftuar për herë të parë në Intervista.al…!

-Jam Noeli, një djalë me ëndrra e pasione të panumërta, një ndër to, bota e televizionit, të cilën pak nga pak po mundohem ta arrij që në moshën aktuale.

-Si ndikuan përvojat e tua me krijimin e videove në tabletin tënd dhe imitimin e gazetarëve shqiptarë në hapjen e një kanali në YouTube dhe për të ndjekur një karrierë në TV?

-Imitimi i gazetarëve shqiptarë ishte një hobby i imi, ku unë filmoja veten duke “aktruar” si një i tillë dhe imagjinoja të isha në një TV. Me kalimin e viteve, me “leksionet” dhe pasionin që kam shprehur ndaj të qenurit një i tillë, po mundohem të bëhem dhe pse jo akoma, të marr pak nga të gjithë që ta bëj më së miri, por sigurisht duke qëndruar Noeli. Pas ca vitesh nga ato videot me tabletin e madh, u kthyen në kamera televizive ku unë bashkëmoderoj një emision dhe më intervistojnë, ose celulari me të cilin filmoj veten dhe krijoj kontent në kanalin tim të YouTube për të qënë sa më afër me njerëzit që më duan dhe i dua shumë.

-Çfarë të frymëzoi të shfaqësh pjesë të jetës tënde të përditshme në kanalin tuaj në YouTube dhe si të ka ndihmuar kjo platformë të rritesh si krijues dhe ndikues i përmbajtjes?

-Të bëhesha një YouTube-r ishte një tjetër botë e imja të cilën doja ta bëja me patjetër pasi ndiqja në kohën e lirë njerëz që ndanin përditshmërinë e tyre në YouTube.

-Di që ke dy pasione të mëdha,  për mjekësinë dhe punën në televizion si drejtues emisionesh. Si mendon t’i balancosh këto pasione dhe t’i bashkosh ato në karrierën tënde të ardhshme?

-Mjekësia, televizioni dhe unë, nesë qëndrojmë në një vijë të drejtë, formojmë fenomen.. si puna e eklipsit. Dëshira është e madhe për të dyja, puna për t’i arritur është e madhe për të dyja, e ardhmja për secilën prej tyre mbetet për t’u parë, por mendoj që kam një shpirt të mirë udhëheqës, organizativ, drejtues dhe mund t’ia dal ndoshta për t’i arritur, jo për t’i bashkuar.

-Mund të ndash me ne përvojën si prezantues e konkursit të këngës “Bilbilat” në Shkodër? Si ndikoi kjo mundësi në rrugëtimin tënd si artist dhe moderator i ri?

-E barazoj përvojën si prezantues në konkursin e këngës “Bilbilat”, me një burrë që moderon Eurovision, vetëm se pak më të minimizuar.. Pse? Sepse me moshën, mundësinë, aftësinë dhe botëntime si Noel, “Bilbilat” ishin Eurovision-i moshës sime. Një eksperiencë e mrekullueshme dhe magjike të bashkë-drejtoja këtë konkurs në Teatri Migjeni, e cila mendoi se më dha akoma më shumë prirje për përpara dhe mundësi për t’u përmirësuar dhe formuar akoma më shumë.

-Menaxhimi i marketingut të dy qendrave në Shkodër është mjaft mbresëlënës duke pasur parasysh moshën që ke. Si i trajton strategjitë e marketingut dhe si i përdor aftësitë e tua në programim dhe teknologji për të promovuar bizneset në mënyrë efektive?

-Të “menaxhoj” marketingun për dy qendra në Shkodër është diçka që erdhi krejt rastësisht, ku mua m’u vlerësuan aftësitë e mia, pas disa tentativave në përdorimin e teknologjisë dhe aplikimim e aftësive krijuese për të krijuar kontent të bukur për dy qendrat, më bëri të jem i besuari i tyre dhe që edhe sot të vazhdoj të jem. Pastaj thonë: “Kush nuk provon, nuk fiton!”

-Përfundimi i kurseve të gjuhëve të huaja dhe kurseve të programimit në një moshë kaq të re është për t’u lavdëruar. Si mendon se do ndikojnë këto aftësi në synimet e tua të ardhshme, veçanërisht në botën e artit?

-Programimi është një tjetër pasion që unë praktikoj, kam përfunduar dy kurse të kësilloji, po kryej të tretin, më ka dhënë mundësinë më tepër të njoh teknologjinë, të ushtroj profesionet më të paguara sot për sot dhe të mos lë që koha e lirë të shkojë dëm. Për mua, nuk janë synimet të bëhem programues në të ardhmen, por, disa kuti më shumë në bagazhin e dijes, nuk shkojnë asnjëherë dëm. 

-Përfshirja jote për të ndihmuar mësuesit në një qendër trajnimi dhe kursi profesional tregon përkushtimin vetjak për të mësuar dhe për të ndihmuar të tjerët. A i ka formësuar kjo përvojë rritjen dhe ambiciet e tua?

-Ah, një tjetër gjë që e “dua”. Të ndihmoj mësues në qendër kursesh, është berë prej dy vitesh tashmë: hobby i pasdites. Me anë të ofruarit ndihmën time tek fëmijë të tjerë më të vegjël të cilët mësojnë, me bën të ndihem mirë dhe më ndihmon edhe mua të rriten e formohem nga ana njerëzore dhe profesionale. Më thonë shpesh “Je një mësues i shkëlqyer!”.

-Me talentet dhe arritjet e tua të shumëanshme, cilat janë synimet dhe aspiratat afatgjata në fushën e artit, teknologjisë dhe më gjerë?

-Synimet dhe aspiratat e mia siç e the janë afatgjata dhe shpresoj që një e nga një t’i arrij të gjitha. Ato që unë dua me ngulm ti arrij në të ardhmen dhe ëndrrat e mia qëndrojnë sigurisht, kryesisht në botën e televizionit, të cilat shpresoj t’i arrij… Faleminderit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *