Shprehja e zonjës Monika Kryemadhit, se ajo nuk e rruan për askënd do të mbetet proverbale, ndoshta autobiografia e saj, aktakuza që ajo i bën vetes. Ky himn do të dëgjohet edhe nëse ajo do të jetojë e lirë në botën e miliardave të përfolura, por edhe edhe nëse mund të shkojë ca kohë në qelitë e errëta të burgut.

Mua, si qytetar, më vjen ndot t’a lexoj këtë në media publike apo edhe private, apo ta dëgjoj në mjediset shoqërore, administrative dhe ato familjare. Është e drejta e saj.

Shprehja e zonjës Monika, se nuk e rruan as për drejtësinë dhe nga askush në rruzullin tokësor, në brendinë e saj, ka disa të vërteta që duhet t’i njohim. Ajo e tha publikisht këtë shprehje ordinere dhe, në një farë mënyre, duhet vlerësuar për kurajon dhe guximin që shprehu një të vërtetë poshtëruese, të  turpshme dhe ofenduese për publikun shqiptar.

Shqetësimi im qytetar shkon përtej zonjës Monika. A është kjo shprehje e saj një kujtesë se si është qeverisur ky vend në këto 34 vjet, ku korrupsioni dhe vjedhja shtetërore kanë njohur rekorde të përmasave botëror?

Të drejtën e turpshme në përdorimin e një fjalori të tillë rrugaçëror e kanë vetëm parlamentarët, kryetarët e partive, njerëzit e zgjedhur nga populli, pra udhëheqësit e vëndit, sepse i mbron imuniteti.

Fenomeni i moskokçarjes se çfarë i ndodh Shqipërisë është një sëmundje shqiptare. Qeveritë dhe politikanët nuk e kanë “rruajtur” për popullin. Populli, nga ana e tij, nuk e ka “rruajtur” as për vete, as për qeveritë. Pushteti nuk e ka “rruajtur” për opozitën, por edhe opozita nuk e ka “rruajtur” për pozitën. Administrata shtetërore nuk e “rruan” për ligjin dhe popullin ndaj ka ushqyer korrupsionin në çdo qelizë të ngrehinës shtetërore, sikur prona dhe shërbimet publike të ishin vetiake.

Përpara krijimit të SPAK, drejtësia shqiptare, duke qënë një organ i lidhur me politikën dhe krimin, nuk e “rruante” të jepte drejtësi. Ajo thjesht konkuronte për fitime, epërsi dhe dominime, si pjesë e sistemit mafioz. Organet e sigurisë nuk e “rruanin” për mbrojtjen e qytetarit e të rendit, por bënin të kundërtën: i shërbenin korrupsionit dhe krimit, duke u kthyer në rrezik e kërcënim për institucionet dhe qytetarin. Siç po tregojnë zbulimet e fundit, mjaft punonjës të policisë, me kode të hapura e të maskuara, ishin vënë në shërbim të mafies, ku i siguronin mbrojtje e hapësira veprimi. Në mjaft raste, ata tjetërsonin me dashje provat e krimit në favor të kriminelit dhe në dëm të viktimës, dekonspironin operacionet e policisë, duke ndihmuar mafien, etj.

Lidhja e politikës me krimin dhe mafien ka qënë shtylla më e fortë kundër demokracisë dhe shtetit ligjor. Fazlliçi, shtetas i huaj, merrte pjesë në forumet më të larta të sigurisë dhe mbrojtjes shqiptare! Po ky person ishte blerësi i një rajoni të madh në Durrës, me shpikjen “Shqipëria një euro”. E bleu pronën paradite dhe ia shiti shtetit pasdite me një çmim të qindfishuar. Paralel me këtë, qeveria shqiptare thyente embargon ndërkombëtare ndaj Sërbisë, duke sabotuar kështu përpjekjet ndërkombëtare dhe kombëtare për çlirimin e Kosovës. Pra, tanket sërbe furrnizoheshin me naftën shqiptare për të vrarë popullin shqiptar të Kosovës, ndërsa përkëtej kufirit popullit shqiptar i përgatitej gjakaderdhja e ’97-ës me firmat fantazëm piramidale. Ishte pikërisht në atë kohë që vendi u bë strehë e terroristëve islamikë e xhihadistë të Bin Ladenit.

Pa e “rruar” fare, në 21 janar 2011, mjekët tjetërsuan provat e krimit dhe për këtë akt makabër shpërblehen nga politika. U fshinë serverat që kishin regjistruar atë masakër “demokratike” dhe autori i krimit ngrihet në përgjegjësi duke i’u hapur edhe rruga e politikës! Vidhen në mënyrë sistematike zgjedhjet dhe kryehajduti emërohet në poste ministrore. Biznesi privat në Gërdec, me hyqëm qeverie, vret një fshat të tërë dhe drejtuesit e institucionit të mbrojtjes e fshehin ende përgjegjësinë duke ia faturuar atë bombë atomike zbulimeve të huaja.

Thuhet se teknologjia e krimit në Shqipëri është më e avancuar se ajo e Forcave të Ruajtjes së rendit, por kapelja e një polici sipas politikave të tenderimeve alla shqiptarçe koston 80 apo 100 euro! Miratohen ligje në interes të përfitimeve korruptive të një personi të vetëm, me një kohëzgjatje ndoshta edhe 10 ditë, pastaj akti ligjor çfuqizohet. Është i njëjti mekanizëm korruptiv që i çon pothuajse të gjithë kryetarët për të jetuar në qytetin e Durrësit, ku kanë në pronësi vila dhe makina klasi. Është i njëjti mekanizëm korruptiv që me letrat e Ministrisë së Bujqësisë është investuar mbjellja e mijra hektarëve me pemë arrore, por në terren nuk gjendet asnjë pemë.

Parimi “Mos e rruaj për asgjë” duket se nuk është vetëm një shprehje e zonjës Monika, por një vijë sjelljeje e të gjitha institucioneve shtetërore.

Sigurisht që ky parim duhej shtrirë edhe te administratori, te inspektori e deri te militantët e verbër, një mafje më e vogël, ajo e thërrimeve dhe lëmoshave, të gatshëm të kryejnë çdo krim, mjafton t’i shërbejnë partisë. Në kohën “demokratike” të qeverisjes, këtyre u lejohej të mos paguanin faturat e dritave, të ujit, të grabisnin pronat publike dhe të ndërtonin pa leje, të emëroheshin në administratën shtetërore si ushtarë të partisë. Sepse meritokracinë ata nuk e dinin fare si fjalë.

Çuditërisht, por jo dhe aq shumë, sot në Shqipëri, flamurin e luftës ndaj korrupsionit e kanë rrëmbyer pikërisht të korruptuarit, vrasësit dhe rrënuesit e shtetit e të demokracisë. E vetëquajtura opozitë e vendit, edhe pse i ka duart me gjak nga krimet monstruoze të kryera në qeverisjen e saj, pa e rruar fare, kërkon përsëri pushtetin me mjete dhune. Ndoshta kjo opozitë është nga të rrallat në botë, e cila edhe kur është në pushtet, edhe në opozitë, nuk jeton dot pa dhunë. Pushtetin e humbur me vota kërkon ta rimarrë me dhunën e rrugës, me grusht shteti dhe me puçe institucionale.

Populli, zgjedhësi, “pa e rruar fare” që kjo opozitë e sotme përgjaku tërë vendin në vitin 1997, që ishte a-ja dhe zh-ja e shkakut të masakrës, pa u tharë mirë gjaku i viktimave, e ngriti përsëri në pushtet me vota, edhe pse e rrëzoi me kryengritje të ligjëshme.

Një opozitë e mbytur nga krimet dhe korrupsioni, i bën opozitë një qeverie me doza të forta korrupsioni! Veç në Shqipëri ndodh që, për të marrë produkte demokratike të ndeshen dy forca të kriminalizuara e të korruptuara. Produkti në këtë rast nuk mund të jetë tjetër veçse kompromis mbi baza kriminale, marrëveshje kulisash dhe pazare vrasëse për vendin dhe demokracinë. Por mafia politike që nxjerr këtë produkt “nuk e rruan fare” as kur e vjedhin e grabisin popullin, as kur i dhunojnë lirinë, as kur e përzenë nga Shqipëria, as kur e vrasin barbarisht. Përkundrazi, këto kompromise vrasëse ata i quajnë si arritje madhështore demokratike!

Qytetarit shqiptar nuk i ka mbetur veçse çlirimin nga kjo gjendje korruptive t’a kërkojë nga Zoti në qiell dhe SPAK-u në tokë. Mirë Zoti se është hyjnor, por ky SPAK-u është real, njerëzor prej mishi dhe gjaku, pjesë e shoqërisë. Në moshë SPAK-u nuk është i vogël, thuajse 10 vjeçar. Deri tani vetëm një peshkaqen i izoluar, i padënuar, i paburgosur, thjeshtë i mbyllur në kafaz nga ku vajton dhe bën politikë agresive kundër vetë SPAK-ut. Nëse do të duhen dhjetë vjet për të izoluar një ish-kryeministër peshkaqen, sa kohë do të duhet për të izoluar kryeministrat, ministrat apo nënministrat që janë të korruptuar?

Me këto ritëm që punon SPAK-u, nuk mjafton shekulli që ka nisur. Nëse mafja politike dhe ekonomike në vend deklaron se nuk e rruan për SPAK-un, kjo është një arsye më shumë që edhe SPAK-u nuk duhet ta rruajë për ata, por të nxitojë. Peshkaqenët dinë të fitojnë edhe nga koha e humbur e SPAK-ut.

Prandaj edhe shprehja e zonjës Monika se ajo nuk e rruan për askënd, mbetet ende himn i një shteti të korruptuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *