Bianca, e bardhë në shpirt siç ka emrin por të bardhë e ka dhe karrierën. Me banim në Suedi por me shpirt e zemër pranë lëmit muzikor ajo sjell këngë shqip herë pas herë që nxjerrin atdhedashurinë dhe lidhjen e fortë me shqiptarinë. Megjithatë ajo këndon edhe suedisht, gjë që e ka bërë një këngëtare internacionale. Flasim më gjerë me Biancën…

-Bianca, është hera e parë që je pjesë e Intervista.al e konkretsht personazhi ynë i cover-it, por ti je një emër i njohur në botën e muzikës. Çfarë dëshiron Bianca të thotë diçka që nuk e ka thënë në media të tjera?

-Dua të them këtë gjë që se kam thënë më parë, të jesh një artiste mes dy kulturave nuk është aspak e lehtë si e kam kuptuar në kohët e fundit dhe këtë se kam paramenduar më parë.

Unë si artiste shqiptare dhe me këngë në gjuhën shqipe dhe gjuhë të huaja është një kombinim i bukur sipas mendimit tim, por shumë herë më komentojnë me kritika këtu nga vendi ku banoj, po ashtu dhe nga shqiptarët atje sepse tingulli i muzikës tingullon ndryshe këtu dhe po ashtu atje, pra në të 2 kulturat. E dua shumë muzikën  tonë e kam pasion dhe ndaj nuk mundem dot ti ndahem muzikës shqipe. Deri sa muzika më bën të lumtur do vazhdoj si një artiste internacionale edhe ne te ardhmen duke vazhduar te bëj këngë në dyja gjuhët. Dhe pse shumë herë më komentojnë për ta zgjedhur të këndoj vetëm këtu unë përsëri do të këndoj në gjuhën tonë të bukur pasi e kam më afër zemrës se çdo vend tjetër. Dëshira më e madhe do ishte që të më lënë në zgjedhjen time sepse çdo njeri zgjedh vetë për jetën e tij.

– “Një milion herë” është klipi yt i fundit, realizuar deri në detaj…më fol pak më shumë për të…!

-Ky klip është punuar me Florent Boshnjakun dhe kënga ka në bazë xhelozinë e partnerëve. Veshja është e disajnerit të famshëm suedez Peter Englund, fustani ka një ngjashmëri me veshjet tona kombëtare dhe me ngjyra të kuqe për të qenë dhe më afër. Po ashtu me kapele si një mbretëreshë shqiptare sepse në mendimin time femrat tona janë të gjitha mbretëresha. Është e menduar po ashtu që fustani im të jetë më i shkurtër për të bërë partnerin xheloz ashtu si dhe në tekst e këngës për tu përshtat me këngën. Klipi është xhiruar në Korçë sepse është një qytet i artit dhe një vend shumë i bukur.  Vëllezërit kanë qenë nga Korça dhe videoklipi është punuar nga Max Producion. Ideja e këngës ka qenë synimi i të shprehurit sa më shumë kulturën, muzikën dhe artin shqiptar.

-Cila mendon se është kënga që të bëri të njohur në publik? 

-Kënga që më ka bërë të njohur në publik është “Për veti të kam” kjo këngë ka marrë vëmëndje edhe në Suedi po ashtu edhe në të gjithë botën në fillim kur jam kthyer në muzikë prap. Kënga e dytë që ka dhënë vëmendje shumë nga gjithë bota është ”Dil te kroni cuco” kjo këngë më ka hapur të gjitha dyert për bashkëpunime dhe kontrata me label në Suedi po ashtu dhe vende tjera, si Turqia që do publikohet edhe pak kënga. 

– Cili është ndryshimi që ka sjellë muzika në jetën tënde?

-Ndryshimi që ka sjell muzika në jetën time është të jem afër vendlindjes dhe gjuhës tonë të bukur me këngët e mia.

-Shtylla jote mbështetëse më e madhe në këtë rrugëtim tëndin ka qenë dhe është gjithmonë…

-Fëmijët e mi, familja…!

– Muzika të jep sukses, famë, të ardhura, ndjekës dhe më tepër vëmendje. Çfarë të merr në këmbim? 

-Kënaqësinë e duartrokitjeve dhe vlerësimin e publikut tim.

-Je më shumë për bashkëpunime apo solo? 

-Gjithë jetën time kam kënduar solo, por jam krahë hapur të bëj më shumë bashkëpunime. 

Deri më tani kam bërë vetëm një bashkpunim me Kastro Zizo, por do të ishte kënaqësi në të ardhmen të kem edhe të tjera bashkëpunime. 

– Ku qëndron magjia e muzikës për ty? 

-Ka momente në jetë kur magjia e muzikës na ushqen më shumë sesa ushqimi apo diçka tjeter. 

Magjia brenda trupit tregon bukurinë e një zëri. 

– Sa arrin të ndjekësh trendet muzikore apo je origjinale në mënyrën tënde? 

-Përpiqem të jem sa më shumë origjinale. 

– Çfarë e ke patur të vështirë te njerëzit me të cilët ke bashkëpunuar deri tani? 

Po më të lehtë? 

-Kjo e cila e ceka edhe më parë kur dy kulturat përpiqen të ndikojnë negativisht për të zgjedhur një nga kulturat, por unë kam nevojë për një mix, në Suedi ndihem shumë suedeze sepse jam rritur këtu, qëndroj në një ambient suedie dhe  jam e martuar këtu, me partner suedez.  Gjithsesi, gjuha e nënës mbetet gjuha e nënës dhe ndihem shumë mirë kur këndoj në gjuhën shqipe sepse më fle në shpirt dhe është më afër zemër e cila është dhe më afër ndjenjës. 

– E konsideron veten një femër të fortë? Je e aftë të përballosh çdo lloj sfide që mund të të dalë përpara, në muzikë e jo vetëm sigurisht?

-Po patjetër e ndjej veten shumë të fortë dhe çdo herë e kam përballuar çdo sfidë që më ka dal përpara në muzikë po ashtu edhe sfida të tjera. 

– Kohët e fundit shohim një Bianca në formën e saj më të mirë…meritë e kujt është?

-Kam një suport nga një label shumë i mirë me motivim, po dhe meritat e mia. (Buzëqesh)

– Le të themi të vërtetën, je femër e bukur, sa të ka ndihmuar  pamja fizike në këtë profesion? 

-Po mund të them që më ka ndihmuar, bukuria fizike ndikon në çdo karrierë këtu dhe mbarë botën. 

– Çfarë të lodh nga intervistat? 

-Asgjë, sidomos intervistat shqiptare sepse më pëlqen ta përdor gjuhën shqipe, jam komunikuese dhe person pozitv.

– A ke thënë ndonjëherë, “O ç’më lodhën këta gazetarët? 

-Po disa herë e kam thënë dhe më parë, por tani jam mësuar dhe nuk kam asnjë problem.

– A lamë gjë pa thënë?! 

-Po doja të thoja që do vij një hit në gjuhën angleze, kënga i është dedikuar babait tim që ka ndërruar jetë para disa vitesh. Dhe po ashtu jam në Kosovë në xhirimet e vitit të ri.  Kam dhe një projekt turk që do edhe disa ditë të dalë dhe bashkëpunime të tjera këtu në gjuhën suedeze. 

– Si do të doje ta mbyllje intervistën, projekte në ardhje, një mesazh i yti për publikun?  

-Mesazhi për publikun është që nuk do ndalem asnjëherë të këndoj në gjuhën tonë të bukur shqipe. Muzika më bën të ndihem afër vendlindjes dhe do vazhdoj të këndoj deri në fund. Ju dua!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *