Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

Zonja e hekurt, Eni Çobani!

-Zonja Eni, mirësevjen në Intervista.al. Ju jeni figura më e dashur në ekranet shqiptare. Nuk ka njeri që nuk e njeh Zonjën Eni mediatikisht. Çfarë ndjesish të krijon ky kompleks vlerësimi dhe dashurie nga ana e publikut?

-Së pari, dua t’ju falenderoj thellësisht sa i përket vëmendjes suaj ndaj meje jo vetëm sot, por ndër vite. Dua ta filloj duke ju uruar sukses e mbarësi. Le të jetë një vit i suksesshëm, si çdo vit për ju. Uroj që sivjet të keni diçka më shumë. Jam shumë e vlerësuar, dhe është e vërtetë, keni gjetur fjalën e duhur, jo vetëm se marr shumë dashuri, por ngaqë njerëzit më kanë falur besim. Dashuria, sipas rrethanave apo kushteve, rritet, por edhe zvogëlohet. Besimi është i palëkundur. Njeriu ose beson, ose nuk beson. Popullit i jam shumë mirënjohëse për besimin që më ka falur gjithë këto vite, ndaj kam rritur edhe më shumë përgjegjësinë ndaj tij, profesionalizmin tim, etikën e komunikimit dhe dashurinë ndaj kujtdo që më ka falur këtë besim.

Advertisement

Viti 2023 ka nisur me shumë punë, por si e gjeni kohën për disa angazhime njëherësh?

-Viti 2023 ka nisur me shumë angazhime, me shumë përgjegjësi, sepse çdo vit që kalon njeriu mbyll një etapë dhe hap një tjetër. Çdo vit ka veçoritë e tij. Viti 2023 ka nisur me shumë raste, që kam dashur t’i përcjell nëpërmjet rubrikës “Shihemi në Gjyq”. Një pjesë prej tyre i ndjek dhe privatisht. Ndaj vërtet jua them me një ndjesi përgjegjësie, që angazhimi është shumë i madh jo vetëm profesional, shoqëror, por edhe ai vetjak. Prej shumë vitesh ndaj kohën midis profesionit, familjes dhe shoqërisë. Hera-herës në këtë ndarje marrin përparësi njëra apo tjetra. Vitet e fundit më shumë përparësi ka marrë profesioni, për arsye të ngarkesës, kërkesës, ndihmës dhe angazhimit që më është dashur ndaj çdo qytetari që ka trokitur në derën time. Duke i dhënë një vëmendje më të madhe punës dhe profesionit, kam lënë pas dore anët e tjera të jetës dhe angazhimeve, por asnjëherë për t’i harruar ato. Në kohën që kam në dispozicion, që nuk është dhe shumë e madhe, besoj se kam gjetur një ekuilibër që asnjë anë të mos mbetet pa praninë time.

-Cilat janë premisat tuaja për vitin e ri?

-Çdo vit është një etapë e re, një hap i ri. Ti hyn në vitin pasardhës, me pjekuri tjetër, bagazh dhe përvojë që ke marrë nga një vit më parë dhe nga shumë të tjerë që të kanë dhënë përmbajtjen dhe formën në të cilën ti duhet të paraqitesh, të flasësh e të komunikosh me njerëzit. Synimi kryesor që i kam vënë vetes në fillimin e këtij angazhimi të veçantë, prej vitit 2012, është që ndërmjetësimi të jetë kryefjala e zgjidhjes së shumë problematikave të shqiptarëve. Pas njëmbëdhjetë vitesh, jam e lumtur që kjo dëshirë, synim, dhe qëllim imi ka marrë një vëmendje të veçantë nga publiku, dhe sot ndërmjetësimi është bërë pjesë e komunikimit publik dhe privat.

-Cili ka qenë çasti më i bukur gjatë vitit që shkoi, personal apo profesional, që nuk do ta harrosh asnjëherë?

-Gjatë një viti, njeriu përjeton shumë çaste të bukura, edhe jo të mira. Ju më keni bërë pyetjen më të bukur, ndaj vëmendje do t’i jap këtij çasti. Ishte përfundimi i doktoraturës, që për shkak të shumë angazhimeve të tjera e kisha lënë pak “në kohë”. Kishte ardhur çasti ta përmbushja! Fundi i korrikut të shkuar ka qenë çasti më i bukur, që do ta mbaj mend gjatë, që shënoi për mua një hap cilësor në jetën time profesionale dhe intelektuale, plotësimin e një ane timen që e kisha lënë të papërmbushur. Doktoratura do jetë diçka që do ta kujtoj gjatë si një çast shumë të bukur të vitit të shkuar.

-“Zonja Eni” e “Shihemi në Gjyq” dhe anasjelltas, lidhje simbiotike që duket se do vazhdojë shumë gjatë. Cili është sekreti i kësaj marrëdhënieje të suksesshme?

-Zonja Eni dhe “Shihemi në Gjyq” janë vërtet një lidhje e tillë, vazhdimësia e së cilës varet nga shumë faktorë. Kjo është një rrugë e shtruar dhe për sa kohë të jetë, do jetë në shërbim të publikut. Nuk ka asnjë sekret në këtë marrëdhënie, të cilën ju falenderoj që e cilësoni kaq të suksesshme. Unë mendoj se suksesi nuk është arritur ende, pasi ndërmjetësimi duhet të bëhet pjesë e zgjidhjeve të shqiptarëve. Ky le të jetë suksesi i vërtetë i asaj që përcillet nëpërmjet rubrikës. Fakti që ju konsideroni se Zonja Eni me “Shihemi në Gjyq” ka këtë lidhje, sjell në vëmendje se ishte kjo rubrikë që emrit tim i dha simbolikën “Zonja Eni”. Fakti që mua njerëzit më drejtohen kudo, kurdo e sido kështu, për mua është një vlerësim dhe një përgjegjësi e jashtëzakonshme për të arritur dhe për ta mbajtur atë në nivelet më të larta të komunikimit dhe etikës.

-Sa është niveli i sensibilizimit nga ana e publikut dhe nga ndikimi i emisionit “Shihemi në Gjyq”?

-Unë si pjesë e rubrikës nuk mund ta jap një përgjigje më mirë se Ju që jeni pjesë e medias së shkruar, elektronike dhe asaj që përcjell publiku. Niveli i sensibilizimit nga ana e publikut besoj se matet më mirë nga Ju. Unë kuptoj që kudo ndalohem dhe pyetem, më lë të kuptoj se rubrika jo vetëm ndiqet dhe analizohet, por u lindin dhe pyetje që më drejtohen në rrjete sociale por edhe privatisht. Për mua ky është nivel sensibilizimi. Njerëzit e ndjekin dhe kanë mendimet e tyre.

-Shpesh jepni mesazhe përmes fotove që shpërndani në rrjete sociale. A keni marrë feedback e duhur? A ka ndikuar kjo tek ndjekësit tuaj?

-Shumë foto të miat janë pjesë e rrjeteve sociale, pasi më pëlqen natyra, lëvizja, të dal me miq, familjarë e pse jo t’u jap dhe atyre kënaqësi nëpërmjet fotove të ndryshme. Hera-herës i shoqëroj me thënie, dukuri e mendime të lindura jo vetëm rastësisht por pse jo nga ngjarje të miat personale, miqve apo qytetarëve me të cilët takohem. Nuk është e rëndësishme të vendosen emrat e historive, por të përcillen mesazhi dhe përmbajtja që jep historia, dhe njerëzit të kuptojnë për çfarë, e jo për kë shkruhet. Në mesazhet që vijnë, shumica janë pozitive. Ka mes tyre dhe mesazhe jo të mira, negative, që jo se më shqetësojnë, por më bezdisin. Unë e kam zgjidhjen time. Përgjigjem privatisht, e nëse marr përsëri përgjigje të kësaj natyre, i kam bllokuar dhe kam vijuar me miqtë e mi virtualë nëpërmjet pozitivitetit e komunikimit të pastër. Gjithmonë kam thënë e këshilluar që në faqen time nuk do të pranoj kurrë ofendime, fyerje, negativitet, gjykime, jo vetëm të personazheve të rubrikës, por ndaj askujt që kam vendosur të flas apo shkruaj. Zgjedhja dhe faqja janë të miat. Pavarësisht ndikimit publik që kemi, di të vlerësoj për çfarë është publikuar diçka. Do doja të kishte më pak gjykime dhe më shumë mendim. Respektoj mendimin e kujtdo, ndërsa gjykimi është një element që duhet menduar mirë. Nuk mund të gjykosh diçka apo dikë pa e njohur apo ditur rrethanat e një historie. Shpërndani dhe përcillni pozitivitet!

-Nëse do ju kërkoja të na thonit diçka ekskluzive për lexuesit e Intervista.al, të parrëfyer më parë, cila do ishte ajo?

-Nuk e di nëse ende nuk kam përcjellë për publikun gjëra të veçanta nga jeta ime brenda asaj që lejohet për t’u shprehur, pasi jeta është e mbushur me sfida, sprova, gjëra të mira ose jo, e jo gjithçka mund të përcillet publikisht. Atë që kam dashur të përcjell tek publiku, e kam bërë. Për ju, nuk e di nëse e kam thënë, por në vitin 2019 jam bërë pjesë e një aksidenti. Por, ka qenë një ditë e bekuar, pasi nga ai aksident pasojat ishin të lehta përballë asaj së cilës mund të ndodhte. Ndjesia që më ka dhënë ai çast ka bërë një ndryshim shumë të madh në mendjen dhe ndjesinë time. Në çastin që bashkë me miken time kemi dalë nga automjeti, i jam drejtuar ndërgjegjes dhe subkoshiencës sime, duke thënë: “Paska Zot!”. Aty kam kuptuar që vërtet vepron një forcë mbi ne, që di në çaste të caktuara t’i vendosë dorë së keqes për të mos shkuar deri në fund. Ky ka qenë një çast dhe një ndjesi, që vërtet ka bërë një ndryshim të madh në shpirtin, mendjen, ndjesinë time ndaj kujtdo dhe me këdo që komunikoj. E shoh jetën pak më ndryshe. Nëse deri në atë çast jeta më ishte dhuruar, pas atij çasti besoj se më është falur, nga një forcë të cilën askush nga ne nuk e sheh, por në çaste të tilla, e ndjen.

Si do ta mbyllim këtë intervistë? Çfarë do doje të vije në fokuës? Një mesazh, një merak, një këshillë…

-Në çdo intervistë, fundi ka një interes dhe vlerësim të veçantë, sepse kur përshkruan disa nga gjërat që më keni kërkuar dhe në to kam përfshirë edhe mesazhet e këshillat, tani dua ta përmbledh: Jini pozitivë! Vetë jeta, puna e profesioni më kanë bërë të eci vetëm me këtë mendim. Ndjej që ka shumë negativitet, shumë pak dashuri, shumë interes, ndaj këshilla ime e vetme është “Jini pozitivë, për të qenë mirë me veten dhe ata që ju rrethojnë”. Faleminderit!

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

Integrating Fitness into Your Daily Routine with Ease

Next Post

Anila Hetoja: Arti, dashuri në infinit

Advertisement