Intervistoi: Fabjola Kuburi

Radiologjia ka një traditë relativisht të gjatë. Në këtë drejtim mjekësor orientohen pacientët për të vijuar procedurat diagnostikuese mjekësore dhe për të zbuluar sëmundjet e tyre.

Dr.Sh.M. Ilirian Laçi dashurinë për mjekësinë e bart që nga fëmijëria, ndërkaq sot e kultivon në praktikë me pasion e zell të pashoq.

Është kënaqësi të bisedosh me një mjek i cili reflekton pozitivitet duke dhuruar buzëqeshje me optimizëm në çdo moment.

Dr.Sh.M. Ilirian Laçi ka punuar dhe botuar shumë artikuj brenda dhe jashtë Shqipërisë, ka qenë pjesëmarrës dhe referues në shumë konferenca brenda dhe jashtë vendit, si dhe autor teksti monografie. 

Radiologjia si shkencë dhe profesion mjekësor ka zënë vend të rëndësishëm në aplikim dhe në diagnozë, por edhe në intervenime është bërë e pashmangshme, dhe këtë do e mësoni nga kjo intervistë në tetorin rozë, muajin kundër kancerit të gjirit, me Dr.Sh.M. Ilirian Laçi!

-Doktor Laçi, po e nisim këtë intervistë me një pyetje që ndoshta do t’ju kthejë edhe ju pas në kohë. Çfaë ju shtyu që të orientoheni drejt mjekësisë duke ditur se ky profesion aq sa është human, por i shoqëruar po aq edhe me rrezikshmëri? 

-Ka qenë një dëshirë e fëmijërisë të isha mjek, por nuk e mohoj që edhe shtysë e familjes sigurisht. 

Pas përfundimit të fakultetit të mjekësisë si mjek i përgjithshëm kam patur fatin të punoja si mjek urgjence. Kjo ishte një punë shumë e vështirë, por pata fatin për tu ndjerë shumë shpejt mjek në kuptimin që menjëherë fillon dhe ndihesh i dobishëm,e kështu fillon një rreth vicioz pozitiv ku fillon ta duash punën dhe profesionin.

Puna si mjek urgjence ishte universitet më vete, në një kohë të shkurtër duhej të diagnostikojë e të trajtojë, kërkonte shumë intuitë. Punë e cila të bënte multidisiplinar, të njihje kardiologjinë, sëmundjet interne, kirurgjinë, reanimimin, kirurgjinë etj.Fillimisht më dukej si periudhë rutine dhe jo shumë e dobishme por sot e ndjej të jetë pjesë e rëndësishme e formimit tim si mjek.

-…dhe pse pikërisht zgjodhët radiologjinë? Mendoni se keni patur sinjale që posedoni talent për këtë degë të mjekësisë?

-Pas disa vitesh fillova specializimin në radiologji, të cilin e kam zgjedhur pas influencave të kohës ku ndihej “atmosfera” e teknologjisë dhe roli i saj në sektorin mjekësor.Pas përfundimit të specializimit si mjek radiolog kam përfunduar studimet e doktoraturës.

-Puna juaj është dinamike dhe nënkupton një përgjegjësi të lartë. Sa arrini t’u vini në ndihmë pacientëve që kërkojnë trajtim? 

-Që gjatë kohës së specializimit jam përpjekur të marr eksperienca në qendra dhe spitale të tjera brenda dhe jashtë vendit si Austri, Turqi dhe Itali. Pas përfundimit të specializimit fillova punë si mjek radiolog në QSUT e më pas në disa struktura të tjera në Tiranë ndërkohë fillova të ndjek disa trajnime kryesisht në Itali dhe Austri.Trajnime në Radiologji Diagnostike, Mjekësi Nukleare etj. Më pas trajnim afatgjatë në Universita Cattolica Di Sacro Quore Gemelli, ku për herë të parë fillova një trajnim në Radiologji Intervencionuese gjë e cila më pëlqeu shumë. Vlen të përmend që kam qenë me fat që kam punuar me nje staf dhe mjekë të shkëlqyer.

Ishte një moment ku gjeta veten. Pas atij trajnimi jam kthyer dhe kam punuar vazhdimisht për ëndrrën time. Kam punuar fillimish me pak pacientë , pak raste ,me vështirësi si teknike, ku futen mungesë pajisjesh, por edhe mungesë përvoje e institucioneve ku unë punoja, por vazhdimisht kam ndjerë suportin e kolegëve dhe akoma më shumë të miqve për të më inkurajuar.

Pas disa rasteve të suksesshëm njerëzit fillojnë besojnë, e kështu vijnë pacientë të tjerë akoma më kompleks e lind nevoja për të tjera trajnime.Kam qenë në MD Anderson Texas, Houston, Vienë, Salzburg,Stamboll,Dusseldor,Beograd, Athinë, Bologna,Trapani etj

Më pas master në Policlinico Tor Vergata, në Radiologji Intervencionuse. Profesorët dhe mjekët nga të cilët kam mësuar janë të shumtë në numër disa prej tyre të njohur ndërkombëtarisht në forumet shkencore.

-A ofron puna e radiologut edhe kreativitet apo teknologjia ka procedura të ngurta të paracaktuara?

-Mjekësia sigurisht është e vështirë dhe punë me shumë përgjegjësi dhe radiologjia gjithashtu, por radiologjia intervencionuese është akoma më e rrezikshme, kërkon precizion, saktësi dhe suksesi e mossuksesi ndodh menjëherë në tavolinën operatore.

-Sigurisht për punën që bëni merrni falënderime nga pacientët, por edhe nga kolegët profesionistë. Çfarë ndjesish ju krijon kjo gjë?

-Është e jashtëzakonshme ndjenja e suksesit.

-Radiologjia si shkencë a ka hapësirë për zgjerim e zbulim të mundësive dhe metodave të reja, praktikidht ka arritur limitet e veta apo ka inovacione? Nëse po cilat janë ato?

-Radiologjia intervencionuese është një degë relativisht e re e mjekësisë krahasuar me mijëra e qindra vite që ekzistojnë disiplinat e tjera të mjekësisë. Radiologjia intervencionuese është shumë e re në vende të zhvilluara e akoma më e re në vendin tonë.

Por është e jashtëzakonshme dhe mendoj që është mjekësia e të ardhmes. Kështu mund t’ju them që radiologjia intervencionuese mund të trajtojë enët e bllokuara të gjakut, në këmbë duke parandaluar prerjen e këmbës në paciente diabetike. Mund të trajtohen në stente arteriet që furnizojnë trurin me gjak duke parandaluar infarktin e trurit por mund të hiqet trombi në një arterie të bllokuar të trurit gjithashtu. Mund të mbyllet me rrugë endovaskulare një arterie apo venë e organizmit e ca për arsye traumatike duke shpëtuar jetën e pacientit, por edhe organin jetësor. Të gjitha këto pa e operuar pacientin tradicionalisht (me kirurgji të hapur) por me një shpim minimal sa mund të kalohet një katater i hollë arrihet të kryhet ndërhyrja.

Vlejnë të përmenden trajtimi i tumoreve me metoda termike si (microwave ablation, cryoablation dhe radiofrequence ablation )me rrugë perkutane nëpërmjet një shpimi të vetëm. Procedura realizohet me një anestezi lokale, pacienti është i zgjuar, flet, dhe komunikon normalisht dhe në sajë të një elektrode e cila krijon efekt termik të kontrolluar mund të shkatërrojmë tumore të tiroides, gjirit, mëlçisë, mushkërisë, kockave etj. Pacienti qëndron disa orë në spital e më pas kthehet në shtëpi. Trajtim i tumorit me TACE Injektim i Kimioterapisë dhe substancës embolizuese në tumor. Efekt shkatërrimi i tumorit si dhe efekt i bllokimit të arterieve që furnizojnë tumorit njëkohësisht. Efekt i dyfishtë tumori nuk furnizohet më në gjak ndërkohë që kimioterapia vepron në brendësi të tumorit. Të gjitha këto metoda njihen me emrin si kirurgjia pa gjak. Ka plot procedura të tjera të radiologjisë intervencionuese si trajtimi i patologjive të kolonës spinale, varikocelat pelvike e testikulare, vendosja e Port A Cath, etj. Të gjitha procedura në ndihmë të pacientëve me metoda mininvazive.

-Ju jeni edhe pedagog, sipas mendimit tuaj, a ofron sot sistemi arsimor mundësi solide që studentët të arrijnë shkathtësitë dhe dijet për punë?

-Gjatë punës time si pedagog jam përpjekur të jem pranë studentëve më të rejat e shkencës.

Studentët gjithmonë paraqesin interes shumë të madh dhe përqafojnë shpejt këto informacione duke u bërë aleatët më të fortë.

-Doktor, duke qenë edhe në tetor, muajin e kancerit të gjiriz, një nga problemet më të shpeshta që haset tek femrat e më pak tek meshkujt është pikërisht ky lloj kanceri. Çfarë e shkakton kancerin e gjirit? Si diagnostikohet dhe cila është mënyra më e mirë për t’a parandaluar e trajtuar?

-Meqënëse jemi në muajin tetor lidhur me zbulimin e kancerit të gjirit radiologjia diagnostike ka rol të madh, por radiologjia intervencionuese me biopsinë nën eko, nën mamografi, rezonancë, luajnë një rol të jashtëzakonshëm. Vlen të përmendet që disa metoda inovative të radiologjisë intervencionuese si Cryoablation dhe Vacuum Assisted Biopsy luajnë rol të rol të rëndësishëm në trajtimin e sëmundjeve të gjirit.

-Në fund çfarë lamë pa thënë, një  mesazh në tetorin rozë…?

-Një mesazh për muajin tetor është diagnostikohuni sa më shpejt shpëtoni jetën.

Një mesazh në përgjithësi: Edhe sëmundjet malinje kurohet dhe është rritur shumë suksesi, por suksesi varet shumë nga saktësia diagnostike dhe mjekimi korrekt.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *