eksikë

Reliket e një kishe të shekullit të 16-të, të ndërtuar nga kolonizatorët spanjollë, kanë dalë nga një rezervuar në jug të Meksikës. Është hera e dytë që kisha, e cila është e zhytur nga ujërat e rezervuarit, del në dritë në shtetin e Çiapas, si pasojë e një thatësire të madhe. Niveli i ujit ka rënë të paktën 24 metra në lumin e Grihalbës, i cili ushqen rezervuarin, duke nxjerrë kështu në dritë ndërtesën fetare 400 vjeçare, që ka mure 10 metra të larta, 61 metra të gjata dhe 14 metra të gjera. Lumi ka qenë po kaq i ulët në vitin 2002, kur vizitorët mundën të vizitonin kishën. Sot, peshkatarët po u bëjnë shëtitje pasagjerëve kureshtarë rrotull rrënojave, që u zhytën nën ujë në vitin 1966, kur aty afër u ndërtua një digë dhe zona u përmbyt nga lumi.

Arkitekti Karlos Navarrete, që punoi me autoritetet në një studim për ndërtesën, tha: “Kisha u braktis për shkak të epidemive të murtajës të vitit 1773 dhe 1776”. Ajo është e lidhur me figurën e famshme të historisë spanjollë, fratit Bartolome de las Casas, që arriti në zonën e Keçalës në mes të shekullit të 16-të, me një grup murgjish që ndërtuan kishën. Bartolome da las Kazas ishte peshkopi i parë i Çiapasit dhe në fillim mbështeti kolonizimin dhe nënshtrimin e indianëve vendas të zonës. Megjithatë, në vitet e mëvonshme, ai luftoi shumë për heqjen e skllavërisë, si në vend, ashtu edhe në oborrin spanjoll të mbretit Karlos i 5-të. Në vitin 1542, ai ia doli mbanë të aprovoheshin Ligjet e Reja, të cilat lehtësuan shumë nga praktikat e skllavërisë në Peru. Kisha varej nga manastiri i Tekpatanit i ndërtuar aty pranë, në rrugën nga kalonte mbreti, ndërtuar nga kolonët spanjollë dhe që përdoret edhe sot në shekullin e 21-të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *