Themeluesi dhe presidenti 31 vjeçar, Mark Zakerberg deklaroi se Facebook-u do të shtojë butonin “dislike”, domethënë, “nuk më pëlqen”. Sipas BBC-së dhe gazetës “Times” të Nju Jorkut, rrjeti shoqëror po bëhet gati të fillojë provat me përdoruesit, të cilët, tani e tutje, do të mund ta shfaqin më mirë… shpirtligësinë e tyre. Shumë përdorues e kanë kërkuar me ngulm një zgjedhje të tillë, si kundërpeshë ndaj butonit “like”, të shpikur në vitin 2009.

Zakerbergu njohu faktin se ka kërkesa për butonin në fjalë, por ai u shpreh se do të donte që ai të mos përdoret për të vlerësuar mesazhet e përdorueve të tjerë. Ai e sheh atë më shumë si një zgjidhje në rast kur dikush do të shprehë trishtimin e tij (për shembull, në rastin e vdekjes së emigrantëve), sepse butoni “like”, në këtë rast, i duket si mungesë ndjeshmërie.

Megjithatë, mbetet në dilemë nëse përdoruesit do ta kufizojnë vërtet përdorimin e butonit “nuk më pëlqen” vetëm për atë që donte Zakerbergu, apo do ta përdorin në përgjithësi për të shprehur ndjesitë negative që kanë. Gjithashtu mbetet në dyshim, sipas analistëve, se sa reklamuesit dhe të reklamuarit do të donin të shihnin mesazhet e tyre të mbytura me mesazhet “nuk më pëlqen”. Zakerbergu theksoi se vetëm kur të testohet mjaftueshëm butoni në fjalë te një numër i kufizuar përdoruesish, do të lejohet përdorimi i tij në shkallë të gjerë. Mbase në të ardhmen, Facebook-u nuk do të jetë një vend aq miqësor për afro 1.5 miliardë përdoruesit e tij…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *