Disa ushqime e “vrasin” dashurinë! Për shembull, për të joshur partnerin tuaj, nuk do të gatuanit kurrë… fasule. Ka ushqime të tjera pastaj që konsiderohen si afrodiziake, pra, që e shtojnë dëshirën seksuale. Nuk ju garantojmë se gjithçka do të shkojë ashtu siç e prisni, vetëm e vetëm sepse do të hani, për shembull, stridhe, por nëse bazohemi në teorinë e afrodiziakëve, është mirë të bëni ç‘është e mundur për të pasur sa më shumë shanse… Pastaj, nganjëherë, vetëm mendimi mjafton për të ndezur gjakrat…

1. Asparagët
Për të pasur një orgazmë të sigurtë, botaniku anglez, Nikolas Kulpeper, në shekullin XVII, shkroi se “asparagët shtojnë pasionin e një gruaje dhe të një burri”, ndërsa 2 shekuj më vonë, në Francë, asparagët ia shërbenin nuses dhe dhëndrrit në banketin e dasmës. Arsyeja është se ato janë një burim i mirë kaliumi, fibrash, vitaminash B6, A e C, si edhe teamine e acidi folik, i cili thuhet se shton prodhimin e istaminit, aminoacid i nevojshëm për arritjen e orgazmës nga të dyja sekset.

2. Bajamet
Ato janë quajtur edhe frutat e thata të pasionit. Aroma e bajameve thuhet se shton pasionin te gratë ose, të paktën, kështu besonin poetët dhe shkrimtarët e shekujve të kaluar. Shkrimtari francez, Aleksandër Dyma, për shembull, para se të takonte të dashurën e tij, hante çdo darkë një supë me bajame dhe thuhet se edhe Samsoni flirtonte me Dalidën duke i përdorur ato. Bajamet kanë mjaft vitaminë E, mangezium dhe fibra, gjë që ndikon në përmirësimin e shëndetit tuaj, që të jeni aktivë dhe të keni rezistencë atëherë kur duhet…

3. Avokadoja
Ai është quajtur edhe “fruti i ndaluar”. Me gjithë formën e tyre sensuale dhe femërore, ato janë bashkangjitur më shumë me seksualitetin mashkullor. Aztekët e quanin pemën e avokadove “Ahuacuatl», e cila në gjuhën e tyre do të thoshte, “pema e testeve”, me siguri, sepse forma e këtij fruti u kujtonte atyre këtë pjesë të anatomisë mashkullore. Në Spanjë, avokadon e konsideronin aq seksi, sa priftërinjtë katolikë e ndalonin konsumimin e tij. Në ditët e sotme, mund të mos konsiderohet kaq erotik sa më parë, por përmbajtja e tij me kalium, vitaminë B6, yndyrna omega-3 dhe acid folik, e bën prapë të nevojshëm në arritjen e orgazmës, ndërkohë që yndyrnat e tij janë të domosdoshme për prodhimin e testosteronit.

4. Trufat (lloj kërpudhe)
Aroma e tyre, thonë se të trullos… Ato janë konsideruar si ushqim afrodiziak që në kohën e romakëve të lashtë. Trufa duket se lëshon një aromë që është shumë joshëse për femrat, të paktën për dosat, të cilat i kërkojnë ato nën tokë. Arsyeja është androstenoni, që është zbuluar në aromën e tyre, një hormon që ndodhet edhe në djersën e burrave. Kjo aromë funksionon edhe te njerëzit, megjithëse për disa është shumë e fortë, ndërkohë që një sasi e vogël, mund edhe të mos mbajë erë. Nëse do ta provoni… temperatura erotike do të shtohet, me siguri!

5. Specat djegës
Specat djegës nxehin gjakun dhe çlirojnë në trup endorfinat, të cilat përmirësojnë gjendjen emocionale të njeriut dhe shtojnë energjinë, ndërkohë që kapsaina, substanca që ka efektin djegës, shkakton një enjtje të lehtë në buzë, duke i bërë ato më joshëse. Me pak fjalë… speci djegës ndez zjarre!

6. Çokollata
Ajo shton kiminë mes dy të dashuruarve. E keni pyetur veten pse konsumimi i çokollatës na bën më të lumtur? Është çështje kimie! “Ushqimi i perëndive” përmban teobrominë, një substancë alkaloide e ngjashme me kafeinën, që na jep energji, ndërkohë që ndihmon edhe trurin të prodhojë serotoninë, një neurotransmetues që na bën të ndjehemi mirë dhe përshtatet shumë mirë me një skenar erotik, duke kënaqur shumë lloje fantazish. Më mirë zgjidhni çokollatë të zezë, e cila është e pasur me antioksidantë dhe vonon kështu edhe plakjen e qelizave.

7. Stridhet
Këta janë afrodiziakë klasikë, mbase më të njohurit nga të gjithë, sepse përmbajnë një sasi të lartë zinku, i cili shton sasinë e spermës dhe prodhimin e testosteronit, pra, edhe të libidos. Përveç të tjerave, ai përmban edhe yndyrna omega 3, që na bëjnë të ndjehemi mirë dhe euforikë, ndërkohë që janë edhe burim dopaminash. Nuk është çudi pra që Kazanova konsumonte 50 stridhe të gjalla në ditë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *