Dihet si bien gratë në dashuri: Orë të tëra para pasqyrës, mungesë oreksi… Po burrat? Lexoni më poshtë…

1. Ai ka sy vetëm për ju

Shikimi është shqisa e parë që vënë në punë burrat që bien në dashuri. Nëse ai nuk rri dot pa ju parë me një shikim të ëmbël, këtu po ndodh diçka…

Kujdes, ai nuk po sheh të prapmet tuaja; ai më në fund po ju SHEH juve! Ai nuk e kupton se pse të tjerët nuk mbesin me gojë hapur kur ju shohin: Ju jeni e mrekullueshme, një perëndeshë! Gjithashtu, një burrë që po bie në dashuri, ka nevojë t’ju shohë, ju kërkon me sy pa pushim (pak a shumë, si një qenush që sapo ka parë një mizë!). Ky fenomen mund të shfaqet edhe me vonesë, domethënë, një djalë që ju e njihnit prej kohësh, mund të mahnitet pas shkëlqimit të flokëve tuaj. Pra, jini vigjilente! Nëse vini re se llogaritari i ri ju sheh me sy prej merluci, buzëqeshini, ose ikni me vrap, si ta mendoni…

2. Ai është gjithë veshë

Një burrë që bie pre e sharmit tuaj, drejton drejt jush të gjitha shqisat që i ka dhënë Nëna Natyrë. Ekuacioni është i thjeshtë: Ai do t’ju njohë, pra, ju dëgjon! Tregojini për fëmijërinë tuaj dhe ai do të zbutet… Folini për një padrejtësi që ju është bërë dhe ai do të irritohet… Rrëfejini sa shumë keni vuajtur gjatë gripit të fundit dhe ai do të bjerë në ekstazë… Nëse ai interesohet për atë që po thoni dhe nuk mjaftohet vetëm me “po, po…” (duke menduar: “Po marr një pamje të përqendruar, po pres sa të mbarojë dhe mbase, në fund të mbrëmjes, arrij ta puth…”), nëse i dukeni pasionante, zbavitëse (ju jeni, sigurisht, vetëm se ai tani po e kupton, më në fund), atëhere është e sigurtë që ka rënë në dashuri me ju.

3. Ai ju mbron

Ndryshimi thelbësor në psikologjinë e një burri të dashuruar është se ju jeni bërë e rëndësishme për të dhe gjithçka që mund t’ju ndodhë, ndjehet prej tij gati në mënyrë personale. Ju jeni e lumtur; edhe ai është pak kështu… Ju jeni e trishtuar; ai është shumë… Me një fjalë, ai nuk do t’ju shohë të vuani dhe për këtë, do të mundohet t’ju mbrojë e të kujdeset për ju: “Do edhe patatet e mia? S’ke ngrënë pothuajse fare!” (ai është gati të ndajë ushqimin e vet me ty dhe kjo nuk është pak…), “Të ta fryj unë çajin? Është pak i nxehtë” (ndodh më rrallë, për fat të mirë). Ai bëhet gati t’i hidhet në fyt shefit tuaj që ju ka ngarkuar pak si shumë me punë kohët e fundit. Megjithatë, mos u shqetësoni, ai do të dijë ta mbajë veten. Ndjehesh mirë nëse ke pranë dikë që kujdeset për ty, apo jo?

4. Ai ka nevojë për ju

Një djalë që bie në dashuri, ka nevojë t’ju shohë, t’ju flasë. Në fakt, ai ka nevojë që ju të dini se ekziston dhe për këtë, nuk ju ndahet për një moment. “Çfarë do të bësh sot?”, “Me kë?”, “Do të të shoqëroj?”. Ah, gati harrova, duke filluar nga momenti që ai ngjitet pas jush, do të fillojë të jetë pak xheloz… Është normale kjo. Nëse, për shembull, një burri që nuk ndjen asgjë për ju, i thoni: “Sot do të darkoj me ish-in tim”, ai do t’ju përgjigjet: “Po, mirë, po pastaj?”. Nëse i thoni të njëjtën gjë atij që ju sheh si mrekullia e tetë e botës, ka mundësi të reagojë në mënyrë më emotive: Fytyrë e skuqur, megjithëse merr frymë (fort), dhëmbë të shtrënguar, të pasme të kontraktuara: “ÇFARË? Pse? Ke nevojë të takohesh me të, ndërkohë që unë jam këtu?”, ose diçka të tillë. Me një fjalë, një burrë i dashuruar ngjitet pas jush si midhja pas shkëmbit…

5. I dukeni e bukur (gjithë kohës…)

Këtë mbrëmje ju jeni krehur e veshur, sikur do të shkoni për të marrë çmimin Oskar dhe sigurisht, i dukeni e bukur. Por gjëja e bukur është se, sido që të jetë, atij do t’i dukeni e bukur ose të paktën, e lezetshme. Pas dehjes së një nate më parë, në mëngjes, ai do të deklarojë: “Je kaq e lezetshme! Dukesh si një rakun i vogël, me ata rrathët e zinj poshtë syve!” dhe e mendon vërtet… Frazë tjetër tipike: “Sinqerisht, të preferoj pa grim!”, ose: “Më duket shumë seksi barkaluci yt i fryrë”. Me një fjalë, është e qartë se ai ju sheh me sy të dashuruar. Sigurisht, kjo nuk është arsye për të ndenjur me tuta gjithë ditën, për të mos depiluar sqetullat apo për të përdorur fillin dentar në praninë e tij… Megjithëse dashuria nuk është e verbër, është e qartë se është shumë miope…

6. Ai bën lëshime

Ç’mund të thuash për një burrë që pranon t’ju shërbejë si varëse rrobash para kabinës së provës së një dyqani rrobash, apo pranon të pijë një çaj në shtëpinë e kushërirës suaj, ose të shohë 12 orë rresht “Shtëpiaket e dëshpëruara”, vetëm që të jetë pranë jush? Dhe, çfarë mund të thuash për një djalë të aftë të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës si burrë i lirë (dakord, beqar maniak…), vetëm që të jetë me ju? Në fakt, mendoj se ai ka vërtet shumë, shumë dëshirë të bëjë seks me ju, ama nëse tashmë ju njeh me dhëmbë e dhëmballë, është diçka krejt ndryshe. Ai është i aftë të sakrifikojë mirëqenien e tij personale vetëm për t’jua bërë qejfin juve dhe kjo është e rëndësishme për një burrë… Edhe ai vetë nuk u beson dot syve. Siç këndonte Elton Xhon te “Mbreti Luan”: “A e ndjeni dashurinë sonte?”… Grrrr…!

7. Ai bën Dashuri me ju

Pas një darke të mirë, ai ju fton në shtëpi. Disa minuta më vonë, ju bëni dashuri. Mësojeni se, në mendjen e tij, ky burrë ka kapërcyer një etapë vendimtare. Ai është duke bërë dashuri me D të madhe… Ai nuk e imagjinon më veten si yll të filmit të vet pornografik, ai kujdeset për ju, se çfarë ndjeni, çfarë prisni prej tij. Një përbërës i ri është futur në mënyrën e tij të sjelljes: Butësia. Në fakt, qëllimi i tij nuk është vetëm t’ju bëjë të këlthisni nga kënaqësia, për të pasur përshtypjen se është “orgazëm-man”, një burrë i vërtetë. Qëllimi i tij tani, është t’ju bëjë të këlthisni nga kënaqësia se po ndani së bashku një intimitet, që vetëm të bërit dashuri kur je i dashuruar, mund ta shkaktojë…

8. Ai do të banojë me ju

Më në fund, vjen një ditë kur ai është aq i çmendur, sa instikti i vetmitarit shkrihet aty për aty. Burri është gati të ndajë me ju “shpellën” e tij, ose një “shpellë” tjetër të re. Kështu, pra, mashkulli i dashuruar, që deri dje e kishte të vështirë të bënte një hap të tillë, e bën këtë me ju, në një moment romantizmi. Po aq e qartë është kjo nëse ju jep çelësat e apartamentit të tij. Kuptojeni si: “Nuk asgjë për të të fshehur, ti mund të zbarkosh këtu kur të duash. Këto që të dhashë janë çelësat e mbretërisë dhe ti je mbretëresha ime…”. E ekzagjerova pakëz, por një histori dashurie që lind është gjeniale, apo jo?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *