Doktor Evi, kam një pikëpyetje me veten time që më shqetëson shumë, por asnjëherë s’e kam marrë mundimin që të pyes ekzaktësisht.

Unë jam e martuar prej dy vjetësh dhe s’po ngel dot shtatzënë. Unë dhe im shoq, kemi bërë analizat e kemi dalë në rregull.

Rastësisht, dëgjova doktorin që ndiqte tim shoq, t’i thoshte: “Ju merrni hormone që të mos ngelë shtatzënë gruaja juaj”.

U habita dhe, kur e diskutova, im shoq më tha: “Në asnjë mënyrë”. Këtë gjë s’e dija, që edhe meshkujt mund të marrin hormone që të mos ngelemi ne shtatzëna. Ju lutem, a mund të ma sqaroni se çfarë është ky hormon? Faleminderit.

Dr. Evi Dani, seksolog-androlog, Poliklinika Qendrore, 0682213329:- – E nderuar zonjë, që shumë çifte të realizojnë një akt seksual të lirë e të qetë, pa pasur frikën e ndonjë shtatzanie të padëshirueshme, ka disa metoda duke filluar nga kontraceptivët që përdorin femrat, gjer tek ulja e aftësive fekonduese të spermatozoidit te meshkujt. Pra, edhe te meshkujt, përveç përdorimit të prezervativit, ekzistojnë disa mënyra të tjera për të ulur pjellorinë.

– Një metodë është ndërhyrja me një inçizion të lehtë dhe mbyllja e tubulit deferent, tub ky që ka të bëjë me kalimin e spermatozoideve nga testet, në vezikulen seminale. Në këtë rast, kjo ndërhyrje si metodë kontraceptive ka një të keqe, që ky mashkull nuk mund të realizojë në të ardhmen për gjithë jetën e tij, të pasurit fëmijë në rrugë biologjike.

– Një metodë tjetër është marrja e disa hormoneve të testosteronit në doza të tilla që do ta çojnë mashkullin në azospermi, pra, në mungesën e plotë të spermatozoidëve. Kjo metodë është e përkohshme, pra, mashkulli, gjatë kohës që merr mjekimin, është i paaftë për të realizuar një fëmijë dhe, me ndërprejrn e mjekimit, rivendos përsëri aftësinë e tij riprodhuese. Për t’u bërë konkret një veprim i tillë, duhet patjetër të konsultohet me një mjek që do të japë skemën e mjekimit për të realizuar një gjë të tillë.

– Veç këtyre që përmendëm më sipër, ekziston edhe një injeksion i cili bëhet një herë në muaj te meshkujt dhe, për disa kohë, ata mund të bëjnë marrëdhënie seksuale pa e lënë femrën shtatzënë. Për ta dalluar nëse partneri juaj ka përdorur ose jo një nga këto metoda për të mos ngelur ju shtatzënë, mjafton të shkoni bashkë për të bërë analizat e tij dhe nëse i del azospermi, atëhere ai ka marrë hormonet që përmendëm më lart, që ju mos të ngelni shtatzënë. Megjithatë, ju mjafton ta verifikoni këtë gjë, se mbase partneri juaj nuk është në dijeni fare të këtyre lloj metodave, ndaj mos dyshoni para kohe. Bëjani analizat partnerit duke qenë e pranishme, në mënyrë që të hiqni dyshimet që keni ndaj tij, pra, nëse ai vërtet ka dëshirë për të mos patur fëmijë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *