Dark Mode Light Mode

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Follow Us
Follow Us

E ndava shoqen nga burri i saj!

Shumë herë njerëzit ndodhen në situata të vështira dhe të pazgjidhshme. Në njërën prej këtyre situatave jam ndodhur edhe unë. Ndodhi pikërisht kur u lidha me të dashurin tim.

U takuam, u njohëm e më pas u lidhëm. Ai kishte një shok me të cilin rrinte gjithë kohën, e kishte si vëllanë e tij.

Edhe unë, kur e njoha, m’u duk djalë i mirë. Edhe pse ishte pak aventurier, mendova se e kishte si gjithë të rrinjtë. Dilnim shumë shpesh bashkë, madje kur dilja me ta, fillova të merrja me vete edhe shoqen time të ngushtë. Kështu, dilnim të katërt bashkë kudo.

Advertisement

Ndodhi që shoqja ime dhe shoku i të dashurit tim, pëlqeheshin dhe u lidhën. Të them të drejtën, kur e mora vesh, m’u bë shumë qejfi sepse kështu do të ishim të lidhura dy shoqe me dy shokë. Koha kalonte dhe të katërt ishim shumë të lumtur. Më pas, shokët tanë u fejuan dhe disa muaj pas fejesës, shoqja ime mbeti shtatzënë. Të dy nuk ishin në gjendje të krijonin e të mbanin një familje, pasi nuk ishin në punë, ndaj ai vendosi të shkonte jashtë për të punuar. I dashuri im jetonte jashtë dhe i ofroi atij që të shkonte të jetonte e të punonte me të. Të fejuarën ndërkohë e kishte lënë në shtëpi, me prindërit e tij, por ata, edhe pse kishte shumë pak kohë që jetonte me ta, nuk e respektonin dhe nuk e donin aspak. Nuk e pyesnin ndonjëherë a kishte nevojë për ndonjë gjë, duke qenë se ishte shtatzënë dhe fëmija që mbante në bark, do të ishte nipi i tyre. Më vinte shumë keq për shoqen time, ndaj përpiqesha ta ndihmoja në çdo mënyrë dhe e shoqëroja për të bërë vizita te mjeku, së bashku me motrën e saj. Koha kalonte dhe shtatzania avanconte. Sikur të mos mjaftonte vuajtja që ajo po e kalonte shtatzaninë e vetme, zbulova edhe diçka të tmerrshme prej të dashurit tim. Ai më tha se shoku i tij, domethënë, burri i saj, kishte disa muaj që bashkëjetonte me një vajzë tjetër atje ku ishte. Mbeta e shokuar dhe nuk dija ç’të bëja. Nga njëra anë më dhimbsej shoqja ime, por kisha frikë t’ia thoja të vërtetën, pasi mund të rrezikonte fëmijën që priste. Sa herë shkoja ta takoja, nuk e shihja dot në sy. Ajo më tregonte se ai e merrte çdo ditë në telefon dhe e pyeste se si ishte. Mendoja se nuk mund të kishte bota njerëz më cinikë se ai.

Shumë herë, matesha që t’ia tregoja të vërtetën, por më pas, e mbaja veten. Erdhi koha kur më në fund ai u kthye pas lindjes së të birit, sepse as në momentet më të rëndësishme të jetës, siç është lindja e një fëmije, nuk denjoi që të ishte. Kur e shihja, më ngjallte neveri. Shtirej sikur ishte i dashuruar me shoqen time. Ndenji thuajse dy muaj në Shqipëri dhe gjatë kësaj kohe, filloi të bëhej xheloz dhe shumë posesiv. Nuk donte që gruaja e tij të dilte nga shtëpia, të vishej e të lyhej. Shoqja ime ndjehej shumë keq, pasi nuk e kuptonte arsyen se përse ai kishte ndryshuar kaq shumë. Ai vendosi të shkonte sërish jashtë shtetit sepse tashmë po e priste “tjetra”.

I kërkoja shpesh shoqes sime të dilnim për të pirë kafe, por ajo më thoshte: “Hajde më tako në shtëpi më mirë”. Zbulova se ai nuk e linte as të dilte më nga shtëpia, ndërkohë që vetë bënte dy jetë. Mendova se tashmë nuk do të më ndalonte më asgjë që t’ia tregoja të vërtetën shoqes sime, pasi më dukej sikur po bashkëpunoja edhe unë në këtë tradhti. Bisedova me të dashurin tim dhe e pyeta nëse duhet t’ia tregoja të vërtetën shoqes sime apo jo, por ai më këshilloi që më mirë të mos përfshihesha fare në këtë muhabet dhe të bëja sikur nuk dija gjë. E kisha të pamundur, m’u bë jeta shumë e vështirë, pasi çdo gjë që bëja, mendja më rrinte vetëm aty. Më ishte bërë si makth, madje edhe në gjumë shihja ëndrra vetëm me ta. Më dukej sikur çdo gjë më thoshte që t’ia tregoja të vërtetën. E vendosa që do t’ia thoja dhe shkova ta takoja. Sapo hyra brenda në shtëpinë e saj, ajo filloi të më tregonte gjërat që i kishte dërguar ai dhe ishte shumë e lumtur. E pyeta se çfarë kishin ndërmend, do të shkonte edhe ajo që të jetonte me të jashtë? Ajo më tha se i shoqi i kishte thënë se kjo gjë ishte e pamundur tashmë që kishin djalin e vogël, kështu që ai do të vazhdonte të jetonte andej dhe kjo këtej. Mblodha forcat dhe u bëra e fortë për t’i thënë të vërtetën.

E pyeta: “Po a ke menduar ndonjëherë që nëse jeni gjithmonë larg, ai mund të të tradhtojë?”.

Ajo m’u përgjigj se nuk donte ta mendonte këtë gjë, pasi e dinte që ai e donte dhe nuk do ta bënte kurrë. Filloi të mërzitej me mua që hidhja dyshime të tilla, ndaj nuk durova dot më e ia tregova të vërtetën, i thashë duke bërtitur:

“Ndërkohë që t’i rrit fëmijën brenda katër mureve të shtëpisë, me prindërit e tij që të nxinë jetën gjithë kohën, ai ka muaj që jeton me një tjetër”.

Ajo nuk donte që ta besonte, por ditë më vonë zbulova se ajo kishte marrë fëmijën dhe kishte ikur nga shtëpia e tij. Bëra të pamundurën për ta kërkuar e më në fund e gjeta në shtëpinë e motrës së saj. Kur hyra brenda, mendoja se ajo ende do të ishte e mërzitur me mua, por ajo më përqafoi dhe më falënderoi që i kisha treguar gjithçka. E pyeta se çfarë kishte ndërmend të bënte me jetën e saj dhe më tha:

“Më mirë e vetme dhe me shumë vështirësi për t’u përballur me jetën, sesa të rri brenda atyre katër mureve, duke luajtur rolin e budallaqes”.

Kaluan kohë, ajo gjeti një punë, u rregullua shumë mirë ekonomikisht dhe tashmë jeton së bashku me djalin, në një vend shumë të largët, në Kanada, nga ku nuk do të kthehet më kurrë. Tani, bisedojmë shpesh në internet dhe unë jam i vetmi person me të cilin ajo mban kontakt. Më vjen mirë që lumturia e saj varej vetëm nga unë dhe që e arriti atë, falë meje. Tani, jam edhe unë shumë e lumtur që ajo është mirë dhe që arriti të bëjë më të mirën për jetën e saj dhe të djalit të vet.

Keep Up to Date with the Most Important News

By pressing the Subscribe button, you confirm that you have read and are agreeing to our Privacy Policy and Terms of Use
Add a comment Add a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Previous Post

5 sëmundje që ngatërrohen me artritin

Next Post

Më la se isha e adoptuar...

Advertisement