Thonë që pasioni e ka një fund, megjithatë, ne mbështesim një teori tjetër: Dashuria, ashtu si energjia nuk vdes, vetëm transformohet. Dashuria nuk vdes, vetëm fshihet pas rutinës. Më poshtë po të tregojmë disa shenja që tregojnë se lidhja juaj vazhdon të jetë intensive, pasionante dhe e plotë si në fillim, megjithëse në pamje të parë nuk duket kështu…

1. Ai të bën të ndihesh e aftë për gjithçka

Kur je me të dashurin tënd, ai të shton besimin në vetvete dhe ti ndihesh e zonja për gjithçka. Kjo ndodh sepse çiftet që duhen, stimulojnë cilësitë e mira reciproke: Ndihen më të lumtur, të fortë dhe inteligjentë nëse e dinë se partneri i mbështet. Ka një arsye fiziologjike që e shpjegon këtë: Kur dy persona janë të dashuruar, afërsia fizike rrit prodhimin e adrenalinës. Më pak fjalë, kur jeni afër njëri-tjetrit është njësoj sikur je duke marrë një stimulues të trurit që fuqizon cilësitë tuaja më të mira.

2. Nxeheni me njëri-tjetrin!

Pasioni shprehet në forma të ndryshme: Që nga seksi pa tabu, deri te nevoja për t’u kujdesur për tjetrin, por edhe duke diskutuar me zë të lartë. Kur i dashuri yt dhe ti kapeni për flokësh (në mënyrë figurative, sigurisht), nuk do të thotë që lidhja juaj po shkon drejt fundit. Është krejt e kundërta. Ndjen ndonjëhetë një zemërim të fortë? Edhe ai ka të bëjë me pasionin. Është ana e çmendur e emocionit që lind me dashurinë më të fortë.

3. Të rrahurat e zemrës përshpejtohen kur sheh numrin e tij në ekranin e celularit

Është normale që emocionet që ndjen kur e takon partnerin tënd të pakësohen me kalimin e kohës, por nëse lidhja juaj vazhdon të ekzistojë, ky emocion nuk zhduket krejtësisht, por nxjerr krye pikërisht atëherë kur nuk e pret. Për shembull, një mbasdite do jesh shumë e kënaqur kur të dëgjosh tingullin e çelësave të tij në bravën e derës. Zemra jote do të fillojë të rrahë fort në momentin kur ai të shtrëngon në krahët e tij, ndërsa ti mendoje se po flinte. Kjo është mënyra me të cilën trupi yt të tregon se lidhja juaj vazhdon të gëzojë shëndet të mirë.

4. Ti zbulon se të pëlqejnë shumë gjëra që më parë s’i duroje dot

Çdo të diel ulesh para televizionit dhe shikon me të një program televiziv që atij i pëlqen shumë. Edhe pse nuk ke shkuar kurrë në një stadium ku luhet futboll, ndihesh keq kur humb skuadra e tij e zemrës, vetëm sepse ndihet keq ai. Mos u tremb. Nuk po kthehesh në një lloj roboti shtëpiak. Thjesht, ke filluar të jesh në sintoni me gjendjen e tij shpirtërore. Pa e vënë re, ke filluar të zësh kohën tënde të lirë me aktivitete që, po të mos ishte për të, nuk do të ta tërhiqnin absolutisht vëmendjen.

5. Instiktivisht, i heq nga fytyra disa fije floku

Kur lidhja e një çifti është e fortë, ata e përkëdhelin njëri-tjetrin në mënyrë spontane, si në rastin kur, pa e vënë re, i heq balluket nga sytë ose ai të shtrëngon lehtësisht gjurin, ndërkohë që jeni ulur në poltronin e kinemasë. Këto gjeste, në pamje të parë të parëndësishme (kur një person hyn në hapësirën individuale të dikujt tjetër), tregojnë një besim të madh të ndërsjelltë. Dëshira për të pasur një kontakt të ngushtë është aq e fortë sa, nuk mund t’i hiqni duart nga njëri-tjetri. Këto afërsi ndihmojnë për të mbajtur gjallë shkëndijën mes jush. Një përkëdhelje nga ana e të dashurit tënd mund të stimulojë edhe dëshirën tënde.

6. Nëse ke një problem, kërkon gjithmonë ndihmën e tij

“Nëse kam ndonjë problem, gjithmonë kam nevojë për opinionin e të  dashurit tim, thotë një 29 vjeçare. Jo gjithmonë më jep një rrugëzgjidhje, por e di që më dëgjon me vëmendje”. Nëse për ty, në një situatë të vështirë është më e rëndësishme ndihma e partnerit tënd sesa ajo e miqve dhe familjes tënde, tregon që ju jeni në të njëjtën valë. Nëse ti shkon t’i kërkosh mbështetje, do të thotë se meriton besimin absolut dhe një respekt të madh, dy nga faktorët thelbësorë për të mbajtur gjallë dashurinë.

7. Kalon para tij me veshjet e tua më seksi

Të gjithëve na pëlqen të rrimë në shtëpi me veshje të rehatshme, por nëse partneri të intereson vërtet, ti e mban veten edhe kur je në shtëpi dhe vishesh me veshje seksi ose përdor ndonjë parfum special për t’i kujtuar sa tërheqëse je. Nëse i ia arrin ta përqendrosh vëmendjen e të dashurit tënd te ti, dashurisë suaj i mbetet akoma shumë jetë. Nëse asnjëri nga të dy nuk do ta eksperimentonte këtë dëshirë për t’i pëlqyer tjetrin, lidhja juaj mund të ishte ajo e dy kolegëve më të mirë, por niveli i pasionit do të prekte minimumin.

8. Mendon të dashurin tënd kur punon, kur del për pazar me shoqet…

Po shtyn karrocën tënde në korridoret e supermarketit dhe vjen në vendin ku shiten ato patatinat që atij i pëlqejnë aq shumë. Pa e menduar gjatë, merr disa për të. Ndërkohë që po dëgjon muzikë në internet, ndeshesh me disa nga këngët e tij të preferuara dhe menjëherë i regjistron në një disk sepse ti e di që atij do t’i pëlqente shumë t’i dëgjonte. Çiftet, lidhja e të cilave nuk është e fortë, nuk sillen kështu. Nëse ti dhe i dashuri yt mendoni për njëri-tjetrin kur nuk jeni bashkë, konsiderojeni këtë si një shenjë që pasioni juaj do të vazhdojë të mbetet i paprekur.

A ka filluar të zbehet dashuria juaj?

Lexo më poshtë dhe vërteto nëse gjërat mes jush shkojnë mirë ose keq

Situata: Nuk të pëlqejnë miqtë e partnerit tënd, ndaj nuk e shoqëron kurrë kur ai del me ta.

Shkoni mirë nëse: Bëni një pakt: Një natë dilni me shoqërinë e tij dhe një natë me tënden.

Shkoni keq nëse: Pranoni që nuk i duroni shokët e tjetrit dhe i kritikoni në praninë e partnerit. Tregon se jeni të ashpër me njëri-tjetrin dhe këtë armiqësi e keni gjithnjë e më të vështirë për ta fshehur.

Situata: Nuk i thua gjë kur të bezdis diçka.

Shkoni mirë nëse: Ia thua hapur atë që mendon. Kështu do të rivendosni paqen.

Shkoni keq nëse: Humbisni respektin dhe bëni qëllimisht komente të hidhura dhe lënduese. Nëse nuk mund ta evitoni këtë sjellje, për ju nuk kanë rëndësi pasojat që mund të kenë fjalët tuaja.

Situata: E bezdisni njëri–tjetrin me probleme pa rëndësi që dalin në lidhje.

Shkoni mirë nëse: E pranoni se të dy jeni fajtorë dhe e kërkoni zgjidhjen së bashku.

Shkoni keq nëse: Ua kritikon gjithnjë shoqeve të tua. Nëse imazhi që ato kanë për partnerin tuaj është larg nga ai i princit të kaltër, dashuria jote nuk është më ajo që ka qenë dhe ka ardhur momenti për të ndryshuar…

Blerta

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *