– Ju përgëzoj për rubrikën, por unë kam një problem të madh. Sapo e filloj palestrën, nuk kalojnë as tre javë dhe e lë. S’kam pikë durimi për t’u stërvitur dhe pastaj ndihem keq kur e lë sepse shoh që nuk jam mirë fizikisht. Jam mbipeshë dhe s’e kam pasur kështu konstruktin para se të lindja. Kam qenë elegante dhe me trup të bukur. Pas lindjes së vajzës, u shëndosha. Vajza tani është bërë 3 vjeçe dhe unë kam ngelur ashtu, e shëndoshë. A ka ndonjë mënyrë që mund të më mbushet mendja se duhet patjetër të shkoj në palestër?

Diego Hoxha, fitness instruktor, Fitness&Box Sport Albania, Rr Bajram Curri, pranë maternitetit të ri, tel +35544534743:- – E kuptoj që juve ju mungon motivimi për t’u stërvitur, por ky është një problem që mund të zgjidhet. Së pari, ju mjafton të bëni dallimin si keni qenë e si jeni dhe të filloni menjëherë stërvitjen. Shumë shpejt do të filloni të mësoheni, duke qenë se dëshirën e keni për të patur një trup të bukur ose thënë ndryshe, një fizik që t’ju pëlqejë dhe do t’ju bëjë të ndiheni mirë me veten. Unë do t’ju përshkruaj disa mënyra që do t’ju motivojnë shumë për t’u stërvitur. Stërvitja ka shumë anë pozitive, duke filluar që nga parandalimi i sëmundjeve kronike e deri te fitimi i vetëbesimit dhe i vetëvlerësimit. Të gjitha këto nuk janë pak për një femër.

– Nëse ju ndiheni keq shpirtërisht, stërvitja do t’ju ndihmojë që të përmirësohet gjendja juaj psikologjike. Mjafton të bëni një ecje të thjeshtë prej 30 minutash në pistën e palestrës ose edhe në natyrë e do të fillojnë t’ju shuhen streset. Ushtrimet stimulojnë trurin dhe të bëjnë të ndihesh më e lumtur, më e qetë e më e relaksuar sesa para stërvitjes. Ushtrimet e stërvitja ndihmojnë shumë në zvogëlimin e depresionit dhe të ankthit.

– Pastaj, përveç asaj që përmendëm më sipër, ju do të filloni të humbni kilet e tepërta sepse stërvitja ndihmon në djegien e kalorive. Sa më shumë të stërviteni, aq më shpejt do të arrini rezultatet e dëshiruara. Nëse e keni të vështirë të stërviteni në palestër, fare mirë mund ta zëvendësoni këtë me vrap në natyrë. Punët që keni për t’i bërë jashtë shtëpisë, mundohuni t’i bëni duke ecur sa më shumë në këmbë dhe jo me makinë apo autobus. Një mënyrë shumë e mirë për t’ju motivuar është që në palestër të regjistroheni në orën e aerobisë. Ku ka më bukur sesa të kërcesh nën ritmet e një muzike të gjallë dhe ndërkohë edhe të humbasësh peshë? Pra, mjafton të ecni, të kërceni, të kontrolloni ushqimet që merrni dhe do të arrini rezultate të kënaqshme.

– Stërvitja, siç e thamë dhe më sipër, të ndihmon të jesh më e shëndetshme, forcon zemrën dhe mushkëritë. Ushtrimet, ecja apo kërcimet ju bëjnë të keni frymëmarrje më të lehtë. Ndoshta fillimisht do të ndjeni lodhje, por sa më shumë kohë të kalojë, aq më shpejt do ta ndjeni veten gjithnjë e më të lehtë. Aktiviteti fizik ndihmon të gjithë sistemin kardiovaskular dhe qarkullimin e gjakut.

– Duke u stërvitur, ju do të bëni gjumë më të shëndetshëm dhe një jetë intime më intensive në çift. Mendoj se kur të shikoni gjithë këto të mira që sjell stërvitja, do të ndryshoni mendje dhe do ta shikoni me sy tjetër të shkuarit në fitnes, për vrap apo edhe në ndonjë kurs kërcimi. Ku ka më bukur sesa të ndihesh gjithnjë e gjallë, e shëndetshme dhe gjithë jetë? E pra, këtë ta jep stërvitja. Konsiderojeni stërvitjen si orën tuaj të lirë gjatë së cilës dëshironi të argëtoheni, por edhe të përfitoni të mira. Ju nuk duhet të shqetësoheni kaq shumë se ju mungon motivimi për të shkuar në stërvitje sepse po të mendohesh mirë dhe të lexosh me vëmendje këto që sapo ju shkruam, keni mjaft arsye të shëndosha për të shkuar me vrap në stërvitje. Shqetësim do ta quaja atëhere kur nuk dëshironi të përmirësoni pamjen tuaj fizike dhe shëndetësore, dëshirë që juve nuk ju mungon aspak. Stërvitja parandalon shumë sëmundje dhe përmirëson dukshëm shëndetin edhe te moshat më të vjetra. Jo më kot të gjithë moshave të thyera u këshillohet të stërviten sepse u bën mirë për zemrën. Gjithë të mirat, zonjë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *