– E dashur redaksi! U bënë ditë që në marrëdhënien time sentimentale has vetëm probleme dhe e kuptoj që një pjesë të fajit, për të mos thënë që pjesën më të madhe të fajit, e kam unë. Ndihem shumë keq. Jam bërë një e sëmurë për ta kontrolluar vazhdimisht të dashurin tim, edhe pse në dy vjet që ne jemi bashkë, ai më ka treguar dashuri të sinqertë. Familjet tona e dinë për ne dhe presin që shumë shpejt të fejohemi, por në vend që të diskutojmë e të flasim rreth fejsesës sonë, unë flas vetëm për pasiguritë që kam rreth tij. Çdo ditë e më shumë më mundon idea se ai një ditë do të më lërë e do të gjejë dikë tjetër më të mirë se unë. Tmerrohem kur më thotë që po del më shoqe për kafe a do të ikë diku. Më zë paniku e mendoj se po gënjen. Para disa netëve i bëra një skenë që nuk do ta harroj kurrë. Kam qarë para tij me sa kisha fuqi dhe vetëm i thoja: “ti nuk je i lumtur me mua e do të më lësh”. Nga ana tjetër, ai po përpiqej të më qetësonte e më thoshte që nuk është e vërtetë. Ndihem shumë keq… Më mbetet hatri për hiçgjë e mërzitem e qaj pa pasur ndonjë arsye. E di që këto gjëra nuk janë të mira, por kam një ndjeshmëri shumë të theksuar. Nuk dua ta humbas., por nuk dua te jem më as në këtë gjendje! Më ndihmo, të lutem… Anila!

Redaksia:- E dashur Anila, Nënë Tereza ka thënë që nëse i gjykon njerëzit, nuk do të të mbetet kohë për t’i dashuruar ata. Në njëfarë mënyre, ky është dhe sugjerimi im. Mos humb kohën tënde duke i krijuar dhimbje të kota vetes për diçka që MUND të ndodhë, duke gjykuar çdo lëvizje të të dashurit tënd, për diçka që mund të bëjë ai, por ndoshta edhe ti! Nëse ai të tradhton, çfarë do të bëje? A do të vinte fundi i botës? A do të vazhdoje jetën tënde edhe pse do të kaloje një zhgënjim të madh? Çfarë do të ndodhte Anila nëse kjo fantazi e jotja, që po të humbet kohën më të bukur për të shijuar dashurinë tënde, do bëhej realitet? Përfundoje këtë fantazi në mendjen tënde, mos ki frikë nga mendimet e tua dhe jepu përgjigje këtyre pyetjeve. Pasi ta kesh bërë këtë shpeshherë, mundohu të injorosh këto mendime, të bëhesh thjesht spektatore e tyre, t’i lësh të kalojnë në mendje pa u dhënë këtë rëndësi që u jep dhe me kohën, ato do të zhduken. Fundja fare, lër që gjendja jote shpirtrore të prekë fundin kur të ndodhë tradhtia, nëse ndodh, një ditë e jo përditë. Ne nuk dimë asgjë se çfarë do të na ndodhë nesër, por ç’kuptim do kishte të vdisnim sot, ngaqë mendojmë që nesër mund të vdesim? Puno me mendimet e tua dhe kupto që problemi ndodhet diku te ti dhe jo te dashuria e të dashurit tënd për ty. Mendo pozitivisht e me arsye dhe gjithçka do të shkojë më mirë. Të mirëpres të më shkruash sërish. Gjithë të mirat, e dashur.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *