E dashur gazetë, unë që po ju shkruaj jam një femër 50-vjeçare. Nuk thashë grua sepse nuk e ndjej veten të tillë, për arsye se jam beqare. Historia ime është pak ndryshe të tjerave që kam dëgjuar e lexuar në gazetë, ndaj nuk po zgjatem dhe menjëherë po filloj t’jua tregoj.

Kur isha e re, në moshën 14 vjeçare, nëna ime u sëmur nga një sëmundje e rëndë. Në atë kohë mjekësia nuk ishte si në ditët e sotme, prandaj edhe nuk zgjati shumë dhe ajo ndërroi jetë. Në atë kohë, dashuria që kishin bashkëshortët për njëri-tjetrin ishte e madhe, sidomos kjo e prindërve të mi, dashuri e cila pas gjashtë muajsh vrau babanë tim. Ai, nga mërzia e madhe, ra në shtrat dhe u dergj në të. Isha e vogël e megjithatë u mundova t’i rrija pranë. Përveç tij, kisha një preokupim tjetër, vëllain e vogël, Ilirin, i cili ishte vetëm 9 vjeç, por vdekja nuk deshi t’ia dinte për këto. Ajo erdhi dhe këtë radhë na la jetimë, pa nënë e pa baba.

Shtëpinë e kishim të vjetër dhe me shumë mangësira. Shteti donte të na çonte në shtëpinë e fëmijës, por halla ime nuk pranoi.

– Do t’i marr unë – tha – nuk i lë fëmijët e vëllait në dorë të lloj-lloj njeriu.

Edhe unë në fakt nuk doja të shkoja në jetimore, por për dëshirat e mia nuk pyeti njeri dhe unë nuk fola sepse po bëhej ajo që doja. Halla ishte e martuar dhe nuk kishte akoma fëmijë. Ishte martuar në moshë të madhe dhe po priste fëmijën e parë. Akoma nuk kishte marrë apartament, kështu që së bashku me burrin e saj erdhi të banonte në shtëpinë tonë. Pak ditë pas shpërnguljes së tyre aty, ajo nuk ngjante më me shtëpinë tonë. Ishte mbushur plot e përplot me gjërat e hallës dhe gjërat tona pak nga pak po spostoheshin në bodrum. Mami dhe babi ishin punëtorë të thjeshtë dhe ato pak gjëra që kishin ishin të vjetra, mirëpo mua më pëlqenin se më kujtonin prindërit e mi. Pas pak kohe halla lindi vajzë. Tashmë e kishte kthyer shtëpinë tonë sikur të ishte e vetja dhe asgjë nuk na përkiste mua dhe vëllait. Unë kisha mbaruar klasën e tetë dhe do të shkoja në gjimnaz, por halla vendosi pa më pyetur mua që të mos shkoja. Ajo tha se ishte për të mirën time, se gjasme gjimnazi ishte i “rrezikshëm” për vajzat dhe mund të bëja ndonjë gabim, se ajo do të kujdesej më mirë për mua po të më kishte para syve. Në të vërtetë, ajo më donte për ndihmë se tashmë ishte bërë nënë dhe kishte nevojë për një njeri që ta ndihmonte. Nuk kisha ç’të bëja tjetër vetëm se të bindesha. Vëllai shkonte në shkollë çdo ditë, ndërsa unë mbaja beben, e ushqeja, e tundja kur qante etj., pra, isha kthyer në një shërbëtore dhe këtë e kuptoja fare mirë, por s’kisha rrugë tjetër. Halla kujdesej shumë për vëllain tim. Ajo thoshte gjithmonë se i kishte ngjarë babait, prandaj e donte dhe me këtë nënkuptoja se mua, që i kisha ngjarë mamit, nuk më donte. Isha një fëmiijë i mbyllur në vetvete dhe këto gjëra më bënin të çmendesha. Koha kaloi dhe unë tashmë isha një vajzë e rritur. Kisha mbushur 18 vjeçe. Edhe vajza e tezes ishte rritur e shkonte në kopësht. Një ditë, halla më mori afër dhe më tha:

– Ti tashmë je rritur dhe ke nevojë për ndonjë njeri që të të dojë dhe të të mbajë mirë. Të ka kërkuar një djalë për martesë.

Nuk them se nuk më kishte shkuar mendja te martesa, por kisha ëndërruar ta njihja vetë e të dashurohesha me të. Përsëri nuk fola dhe u bë ashtu siç donte halla. Erdhën tre vetë për të pirë “kafet”, siç ishte zakoni atëhere dhe unë nuk dola fare e nuk pashë askënd. Për mua, vendoste gjithmonë halla.

Pas nja dy javësh, kishim drekën e fejesës. Aty njoha të fejuarin tim, një djalë jo shumë i vjetër, dhjetë vjet më i madh se unë. U martuam dhe unë u shpërngula në shtëpinë e tij. Ai banonte me nënën dhe një motër se babai i kishte vdekur. Ai më tha që në fillim se duhet të isha e kujdesshme me nënën se ishte pak nevrike, nga mungesa e babait. Në fillim ato të dyja silleshin mirë me mua, por shumë shpejt çdo gjë ndryshoi. Çdo gjë që bëja unë atyre nuk u pëlqente. Nuk ziheshin me mua, por më mbanin mëri e nuk flisnin sikur ç’të kisha bërë. Në darkë, kur burri im vinte në shtëpi, ia tregoja e ai më thoshte se duhet të duroja se ato nuk e kishin me të keq e se po më mësonin për të mirën time. Ai vetë ishte shumë i urtë e nuk nevrikosej. Gjithë ditën prisja darkën me padurim që të vinte ai, por çdo natë unë i ankohesha për vjehrrën dhe kunatën. U bë shumë kohë kështu dhe ai tashmë nuk ishte aq i qetë. Filoi të zihej me nënën e tij dhe motrën. Kur debatonte me to dilte e kur vinte, dukej se kishte filluar të pinte dhe kjo gjë u bë e zakonshme. Të them të drejtën, mua nuk më ngacmonte e nuk sillej keq, vetëm se po shkëputej pak nga pak nga unë. Te halla ime nuk shkoja shpesh, vëllanë e takoja te shkolla dhe ai ndjehej mirë me hallën. Ishte i vogël kur ne mbetëm jetimë dhe halla pothuajse kishte zëvendësuar nënën. Kënaqesha shumë kur e shihja se ishte mirë. Nga dita që isha martuar kishin kaluar dy vjet dhe tashmë, asgjë nuk ishte si në fillim. Prapë nuk ishte vendosur një barazpeshë në marrëdhëniet me vjehrrën e kunatën. Në fillim ato ziheshin me mua për punët që nuk dija t’i bëja e tani që ua kisha marrë dorën punëve, ishin “të mërzitura” që nuk kisha fëmijë. Kishte kohë që i kisha mbushur të njëzetat dhe për to, tani isha “e vjetër”. Këto konflikte çuan në kthimin e burrit tim në pijanec dhe pas disa vitesh, në ndarjen time prej tij. Shkaku; nuk bëja fëmijë. Kurrë nuk do t’i harroj lotët në sytë e burrit tim kur u ndamë. Ai më kishte dashur, por ato të dyja e shkatërruan këtë dashuri. Tashmë isha 24 vjeçe, ndërsa vëllai 19. Ai ishte në vit të parë të shkollës së lartë dhe pas disa vitesh, do të bëhej inxhinier. Atij i kishte ecur… Ndoshta këtu ndryshon edhe fati i femrës me atë të mashkullit. Halla nuk më pranoi në shtëpi sepse isha e divorcuar dhe më thoshte se e kisha turpëruar, kështu që shteti më dha një dhomë. Atëhere shteti strehonte tre familje në një apartament. Çdo familje një dhomë e banjoja, e përbashkët. Në dy dhomat e tjera të apartamentit ishte një çift i ri dhe një çift tjetër me një fëmijë të vogël. U rehatova në atë dhomë dhe u futa në punë si pastruese në një ndërmarrje. Tani jeta ishte më e bukur se më parë. Isha e lirë dhe kisha vetëm veten time për të mbajtur. Vëllai vinte shpesh tek unë dhe pak shkonte te halla. Ai mbaroi shkollën dhe e transferuan në një qytet verior. Ish-burrin tim nuk e kisha parë prej kohësh. Ai ishte martuar dhe ishte bërë me djalë. Nganjëherë e ndjeja veten fatkeqe se po të kisha bërë fëmijë do të isha përsëri me të, por më mirë kështu. Me ardhjen e demokracisë, më hoqën nga puna se ndërmarrja ime u shkri, kështu që mbeta pa punë. Pas një kohe të shkurtër, u futa pastruese në një firmë. Tashmë, halla ishte plakur dhe më kërkoi që të më thoshte se ishte penduar që s’më kishte përkrahur, por unë nuk pramova të flisja me të. Ajo ishte shkaktarja e shkatërrimit të jetës sime dhe nuk mund ta duroja më pranë. Kur isha e vogël, nuk mund të bëja asgjë që të shpëtoja nga ajo, por tashmë s`kisha pse të bëja ç’thoshte ajo, kështu që i vura një gur zemrës dhe e hoqa nga lista e njerëzve të mi të dasur. Vëllai u shpërngul nga qyteti ku ishte me punë dhe erdhi në Tiranë. Ai u martua atje ku e kishin emëruar me një vajzë vendase dhe ka dy fëmijë. Njëra nga familjet që jetonte në një çati me mua iku dhe unë bleva dhomën e tyre. Edhe familja tjetër u shpërngul, kështu që unë u bëra me shtëpi, mirëpo vëllai im jetonte në shtëpi me qira. Të vinte të banonte me mua, nuk na pëlqente të dyve sepse kemi eksperienca të hidhura të banimit të shumë vetave në një shtëpi, kështu që hodha në gjyq hallën time që të më kthente shtëpinë e babait tim. Gjyqi na e dha mua dhe vëllait shtëpinë, ndërsa hallës iu desh të shkonte të banonte te vajza e saj, me dhëndrrin. Kot nuk thonë se bota është e rrumbullakët e ç`t’i bësh tjetrit, ta bëjnë ty. Nganjëherë më vjen keq edhe për hallën, por sapo kujtoj se si ajo e shkatërroi jetën time, marr forcë. Tashmë, ajo është shumë e vjetër e ndoshta ndonjë ditë do më duhet të shkoj e ta takoj e t’i jap shansin që të mos vdesë pa më kërkuar falje. E di se duhet ta bëj këtë dhe do ta bëj sapo të më vijë rasti. Të shkuara të harruara! Më mjafton që tani jam e qetë dhe të dy; unë e vëllai, jemi mirë. Vetëm më vjen keq që nuk arrita të kem një familje e një fëmijë timin, por kam familjen e vëllait dhe fëmijët e tij, që i dua si fëmijët e mi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *