Jo të gjithë prindërit janë të kënaqur nga puna që bëjnë me fëmijët e tyre në rolin e edukatorit. Vështirësitë që hasin ata në raportet me fëmijët e tyre, i detyrojnë të alarmohen dhe të dyshojnë edhe në vetë aftësitë e tyre për ta kryer sa më mirë rolin e prindit. Për t’u ardhur në ndihmë këtyre prindërve, ne vendosëm t’u tregojmë atyre 7 hapat që duhet të bëjnë për të hyrë në botën e fëmijëve dhe për ta ndjerë veten më të aftë dhe më kompetentë si prindër.

1. Forconi ndjenjën e respektit të fëmijës suaj për veten

Fëmija fillon të krijojë raporte të caktuara me vetveten që në vitet e para të jetës. Dhe ja se si: Ai bën, përpiqet të bëjë diçka, por pa sukses. Përpiqet të hapë kapakun e një kutie, ta zëmë. Provon edhe një herë, por përsëri nuk arrin dot. Provon për të tretën herë dhe ia arrin. Si shpërblim për këmbënguljen dhe përpjekjet e tij e pushton një ndjenjë e thellë gëzimi dhe kënaqësie. Kështu fillon të hedhë rrënjë ndjenja e besimit të tij në vetvete: “Unë jam i zoti, unë hap kapakun e kutisë!”. Ky është guri i parë në themelin e besimit të tij në forcat e veta. O prindër të dashur! Ndiqeni veprimtarinë e fëmijës suaj dhe jepini atij mundësi ta ndjejë sa më shpesh gjatë ditës këtë ndjenjë gëzimi, si ajo që provoi kur hapi kapakun e kutisë. Besimi i shëndoshë në vetvete është baza e ekuilibrit shpirtëror, e harmonisë fillestare me vetveten sepse ajo është lidhur me diçka tjetër më të rëndësishme, me besimin: “Mua më duan njerëzit e mi më të afërt”. Ndiqeni veprimtarinë e pjellës suaj dhe në rast se ju duket diçka e kotë, mos ia shprehni këtë fëmijës me shprehjet e zakonshme: “Uf, ç’budallallëqe!”, por nënvizoni rëndësinë e përpjekjeve të fëmijës për të arritur qëllimin e tij. Edhe në rastet kur nuk ia arrin qëllimit, në vend që t’i thoni: “E shikon? Të thashë që s’e hap dot!”,  madje edhe të shprehjes: “Hë, s’ka gjë, pastaj ke për ta hapur”, thuajini: “Megjithëse ti nuk e hape dot sot, unë krenohem me përpjekjet dhe këmbënguljen tënde dhe jam e bindur se po ta provosh edhe një herë, do ta hapësh”. Kësisoj, te fëmija zhvillohen njëkohësisht dy veti të domosdoshme për të gjatë jetës: “Unë jam i zoti të zgjidh çdo problem që do të më dalë në jetë” dhe “ndjenja e respektit për atë që e inkurajon”, por kryesorja, tek ai rritet respekti për veten e tij. Fëmijët me ndjenjë të zhvilluar autorespekti janë të disponuar për bashkëpunim, janë më miqësorë dhe optimistë. Ata i kapërcejnë më lehtë vështirësite e jetës.

2. Përcaktoni në punën tuaj prioritet…

Jepuni prioritet dy vetive bazë: guximit dhe altruizmit (aftësisë ndjesore, pasurisë së botës së ndjenjave, merakut dhe shqetësimit për të tjerët), pasi këto dy veti nuk pajtohen dot kurrë me “devijimet” në karakterin e fëmijës, si, bie fjala, egoizmi, kopracia, hipokrizia, frika, etj. dhe janë, si të thuash, profilaksia më e mirë për të shpëtuar nga këto sëmundje. Përveç pasurimit cilësor të karakterit, ndihmojeni fëmijën tuaj të bëhet i shoqërueshëm; kjo do ta ndihmojë atë në jetë. Jepini prioritet punës suaj për ta mësuar fëmijën se si të njihet, bëni lojna të ndryshme për këtë qëllim me kukulla ose inskenime të vogla. Veç kësaj, në listën e prioriteteve shënoni aftësinë që duhet të fitojë fëmija që në muajt e parë të jetës së tij për të dëgjuar të tjerët me vëmendje dhe për të përmbajtur ndjenjën e zemërimit, inatin.

3. Jepni shembullin tuaj dhe lavdërojeni “papritmas”

Në vend që të rrini me orë të tëra dhe t’i shpjegoni fëmijës suaj se si duhet të sillet ose të bëjë një gjë, sidomos duke e kritikuar ose e ofenduar atë, është njëqind herë më mirë t’i tregoni me shembullin tuaj personal veprimet konkrete dhe të mjaftoheni vetëm me një buzëqeshje që mund të dëshifrohet: “Ja, shiko, kështu bëhet!”. Fëmija, në mos që në atë çast, pakëz më vonë do të ndjekë shembullin tuaj dhe po kështu, me një buzëqeshje, do të thotë: Ja, e shikon, jam edhe unë mjeshtër si ti, apo jo?

Sepse po të doni, bie fjala, t’i futni fëmijës dashurinë për librin dhe vetë do të rrini për orë të tëra para ekranit të televizorit, është e kotë të mbani shpresa se do të keni sukses. Lexojini atij gjera interesante para gjumit, lexoni edhe për veten tuaj ne praninë e tij, tregojini me fakte se sa i rëndësishëm është për ju leximi dhe do të shikoni se si do të ndikoni tek ai.

Efekt të madh kanë te fëmijët edhe lavdërimet e prindërve, sidomos, kur ato janë “të papritura” dhe spontane.

4. Jepini fëmijës liri dhe mundësi për t’u dëfryer

Fëmijës i duhet patjetër liria për zhvillimin e tij harmonik. Ai duhet të ketë liri për të eksperimentuar dhe për të përfituar përvojë të re, për të bërë gabime dhe për t’i korrigjuar ato. E si do ta kuptojë fëmija, ta zëmë se ç’është nxehtësia, pa e provuar vetë? Mos vallë është më mirë t’i bërtasësh fëmijës kur djeg dorën mbi çajnikun e nxehtë sesa ta lejosh ose më mirë ta nxitësh që ta provojë vetë me majat e gishtrinjve? Jepini mundësi fëmijës të provojë vetë gjithçka që është e mundur, natyrisht, duke e ndjekur me kujdes veprimin e tij. Për të mësuar notin, thotë një fjalë e urtë popullore, duhet të futesh në ujë. Veç kësaj, që në ditët e para të jetës, fëmija ka nevojë për përshtypje të reja. Kërkimet shkencore kanë treguar se në trurin e fëmijëve të vegjël, të cilët janë ushqyer vazhdimisht me përshtypje të reja, kanë parë shumë lodra dhe tablo me ngjyra, krijohen shumë më tepër lidhje neuronike dhe neuronet janë më të “pjekura” sesa tek ata që shumicën dërrmuese të kohës e kalojnë vetëm duke parë tavanin e dhomës së tyre të gjumit. Po kështu ndodh edhe me fëmijët e moshave të rritura. Përshtypjet dhe eksperiencat e ndryshme (librat, vizitat në muzeume, udhëtimet, muzika, sporti, vizatimet, etj.) ngrenë shumë lart nivelin intelektual të fëmijëve dhe zhvillojnë veprimtarinë e tyre krijuese. Çështja është që të mos u imponojmë atyre asgjë. Propozojini fëmijës variante të ndryshme dhe ata le të zgjedhin vetë atë që dëshirojnë. Vetë zgjedhja do të jetë për prindin një testim për prirjet e fëmijës së vet.

5. Përcaktoni mirë për ta kufijtë midis të mirës dhe të keqes

Kufizimet, natyrisht, janë të kushtëzuara nga mosha dhe përgatitja e fëmijës, çështja në këtë mes është se çfarë do t’i ndalojmë dhe si do t’ia ndalojmë… Së pari, duhet të kemi parasysh qe kufizimet të mos bëhen pengesë për eksperimentet dhe të mos i privojnë ata nga gabimet e mundshme… Natyrisht, në radhë të parë atyre do t’u ndalohet çdo veprimtari që kërcënon shendetin dhe jetën e tyre. Së dyti, do t’u ndalohet përdorimi i mjeteve që mund të ushqejnë tek ata agresivitetin… S’ka prind që ta inkurajojë fëmijën e tij të vërë në gojë çdo gjë që i bie në dorë, lodrat, lapsat, monedhat metalike, etj. Po kështu, s’ka prind që të mos vërë kufizime kur është fjala për lodra që e shmangin nga detyrat shkollore. Nuk duhet të vëmë kurrë kënaqësinë e lodrave mbi mësimet dhe detyrat e shkollës. Motoja e çdo fëmije duhet të jetë: Në fillim mësimet, pastaj lodrat dhe dëfrimet.

Rëndësi ka që ndalimet dhe kufizimet të argumentohen mirë nga prindërit, duke marrë pëlqimin e tij. Sidoqoftë, është mirë që fëmija të ketë një regjim ditor të përcaktuar, me të cilin të jetë dakord edhe vetë. Kështu, bie fjala, fëmija duhet të plotësojë orët e gjumit.

6. Në vend të britmave, privojeni nga ndonjë privilegj

Në rast se fëmija është në moshë që kupton, mbi tre vjeç, atëhere mund të aplikohet kundër tij edhe ndonjë dënim. Për shembull, në rast se qëllon, ta zemë vëllai i madh motrën e vogël me grusht, medoemos duhet ta dënojmë me izolim të përkohsem në një dhomë. Po të mos qëndrojë, mund t’i kyçim edhe derën (derën, por jo dritën). Vendimin tonë e zbatojmë qetë, të vendosur, por pa britma dhe mëri.

Nga shumica e specialistëve pranohet dënimi me heqjen e privilegjeve edhe për mosha më të mëdha. Kështu, një 10-12-vjeçari mund t’i ndalohen shëtitjet me biçikletë për një kohë të caktuar. Përjashtohet si mjet dënimi dhuna fizike. Kjo sepse, në radhë të parë, nga ky lloj dënimi fëmija fillon të ketë frikë nga prindi i vet, humbet besimin tek ai, pengohet komunikimi. Së dyti, në inat e sipër, prindi mund të humbasë kontrollin dhe t’i shkaktojë fëmijës së vet trauma të ndryshme. Njihen raste kur në inat e sipër, prindërit i kanë lënë fëmijët e tyre invalidë përjetë. Së treti, me këtë mënyrë e mësojmë fëmijën t’i zgjidhë konfliktet me forcë dhe jo me dialog e marrëveshje. Pikërisht për këto arsye kryesore (po edhe shumë të tjera), prindërit këshillohen të ruajnë gjakftohtësinë dhe qëndrimin dashamirës me fëmijët e tyre, edhe në rastet kur ata gabojnë rëndë.

7. Gjeni patjetër kohën për të dëfryer vazhdimisht me fëmijët tuaj

Dihet se çastet më të lumtura të ditës për një fëmijë janë ato kur ai luan dhe dëfrehet me prindërit e vet. Ne prindërit mund t’ua shtojmë dhe zgjatim fëmijëve tanë këto çaste. Sado i zënë të jetë një prind, do ta gjejë patjetër një orë të përshtatshme për të dëfryer së bashku me fëmijën e vet. Duke dëfryer dhe luajtur me fëmijët tuaj, ata do të lidhen më ngushtë me ju, ndikimi juaj tek ata do të rritet shumë dhe, pas afërsisë në lojna e dëfrime, me një vështrim të qetë dhe një luajtje të kokës, sigurisht, paksa qortuese, ju mund të zgjidhni në raportet tuaja me fëmijët probleme që nuk keni mundur t’i zgjidhni as me qortime, as me dënime.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *