Fjala “të dua” është një mënyrë e pagabueshme për t’i treguar partnerit se e do, por për fat, nuk është e vetmja.

Disa gjeste, përkëdhelje dhe prekje mund të shkaktojnë tek partneri butësi, dhembshuri, pasion, joshje ose dëshirë për të të mbrojtur dhe gjithçka pa thënë as edhe një fjalë të vetme.

Mjafton të vësh në praktikë një nga këto përkëdhelje që distanca mes teje dhe atij të zhduket.

Këtë nuk e themi ne, por specialistët. Sipas tyre, secila nga këto prekje vë në lëvizje një reaksion kimik dhe biologjik në trup, duke bërë që partneri të ndjehet më i lidhur me ty. Sigurisht secili nga këto gjeste provokon një përgjigje të ndryshme (romantike, seksuale, mbrojtëse, etj).

Në vazhdim po të shpjegojmë disa nga këto gjeste për t’i vënë në praktikë…

1. Vër kokën mbi supin e tij

Ky është një gjest mjaft i ëmbël dhe delikat, mbi të gjitha sepse afrimi tek supi i tij është një gjest që të sjell ndërmend ditët e para të lidhjes. Ky është një nga hapat e afrimit fizik të çifteve që sapo janë njohur. Për këtë arsye, nëse pas muajsh ose vitesh lidhjeje me partnerin afrohesh në këtë mënyrë me të, do ta bësh të ndjejë dashurinë e ditëve të para. Edhe diçka tjetër: Kur t’i afrohesh dhe të vësh kokën në supin e tij vër re nëse mbyll sytë. Nëse e bën, nuk ka dyshim që ndjenja e butësisë dhe ëmbëlsisë që ti i provokon ka mbetur e pandryshuar.

2. Përkëdheli dorën

Imagjino që ti dhe partneri jeni duke darkuar në një restorant dhe papritur të pushton dëshira për ta puthur. Mbase të ka ndodhur më shumë se një herë, por mendon se për fat të keq, ky nuk është vendi i duhur për këto skena erotike. Atëhere, mjafton t’i përkëdhelësh lehtë dorën, që ta kuptojë se po digjesh nga dëshira për të. Rrëshqit ngadalë dorën tënde mbi të tijën dhe thuaji se ai është i vetmi burrë i jetës tënde. Sipas gjuhës së trupit, nëse e vë dorën e tij mbi tënden do ta kuptojë se ti ke nevojë për mbrojtje.

3. Përkëdhele në qafë dhe flokë

Pas një dite të vështirë pune, sigurisht që të dashurit tënd i pëlqen një masazh i gjatë. Nëse ke mundësi mund t’ia bësh, por duhet të dish se vetëm për dy minuta mund t’ia lehtësosh lodhjen dhe stresin duke i përkëdhelur qafën dhe flokët nga pas kokës. Pjesa e poshtme e qafës është shumë e ndjeshme ndaj prekjes dhe ngrohtësisë. Për këtë arsye, një përkëdhelje e thjeshtë në këtë zonë mund të bëjë që partneri të relaksohet dhe ta pushtojë një ndjesi rehatie. Dhe ajo që është më e rëndësishmja: Kur një burrë harron lodhjen dhe tensionet, automatikisht zemra e tij hapet dhe, pa e kuptuar as vetë, është i aftë të shprehë emocione dhe dëshira. Përfito kur ai të jetë para kompjuterit ose televizorit për të vërtetuar se ato që të thamë janë të vërteta.

4. Përqafoje shumë fort

Kur ndahesh nga partneri, mos u mjafto me një puthje të shpejtë. Përqafoje me forcë për disa sekonda, me pëllëmbët e duarve të mbështetura në pjesën e sipërme të kurrizit dhe bashkoje gjoksin tënd me të tijin. Kur vë zemrën tënde pranë të tijës, po i dërgon një mesazh sublim që e do dhe kujdesesh për të. Përveç kësaj, ky gjest zgjon dëshirën e tij, sepse muskujt që ndodhen te pjesa e sipërme e kurrizit janë të lidhur drejtpërdrejt me qendrën e kënaqësisë në trurin e mashkullit. Presioni i duarve të tua mbi këtë zonë do të stimulojë pasionin e tij.

5. Masazhoji lehtë kokën

Të kujtohet skena e filmit “Kujtime nga Afrika”, në të cilën Meril Strip lan kokën e Robert Redfordit? Duket shumë erotike dhe romantike. Arsyeja është se çfarëdo prekjeje ose përkëdheljeje në lëkurën e kokës është një eksperiencë e këndshme që zgjon shumë ndjesi, sepse kjo zonë është e mbushur me mbaresa nervore. Nëse do t’i tregosh partnerit që di si të aktivizosh këtë burim kënaqësie, përfito nga një e dielë paradite kur të jeni në shtrat, për t’i bërë një masazh. Me pëllëmbët e dorës dhe majat e gishtave bëj lëvizje rrethore në të gjithë kokën. Kujto që, sa më shumë sipërfaqe të prekësh, aq më shumë zona do të stimulosh, pra, edhe më shumë kënaqësi do të ndjejë partneri. Mundohu t’u kushtosh vëmendje të veçantë zonave afër fytyrës dhe pjesës së poshtme të qafës, sepse janë më të ndjeshmet.

6. Tërhiqi butë veshin

Nganjëherë nuk është e nevojshme të bësh një skenë erotike në dhomën e gjumit që partneri të veprojë. Megjithëse nuk e beson, mjafton të dish të përkëdhelësh llapën e veshit që ai të ndizet. Kjo zonë, njësoj si pëllëmbët e duarve dhe këmbëve, ka pika të ndjeshme të lidhura me pjesë të tjera të trupit. Nëse i masazhon me lëvizje rrethore llapën e veshit, je duke i aktivizuar energjinë e një “pjese” (se cilës, e kuptoni vetë) tjetër të trupit brenda dy minutash.

7. Futi krahun

Kur shëtit me partnerin ti shpesh i fut krahun, megjithëse nuk e di pse e bën. Kur ndërthur krahun tënd me të tijin, ajo që bën është shtimi i sigurisë së tij, sepse në këtë mënyrë i thua se je krenare që je gruaja (ose e fejuara) e tij dhe të pëlqen që të të shohin përkrah tij. Përveç kësaj, mendo se kur dy persona janë të lidhur për krahu, sinkronizojnë edhe hapat. Kjo do të thotë se gjatë këtyre shëtitjeve romantike ai do të ndjejë se lidhja juaj është totale, e përkryer, që jeni një çift i mrekullueshëm dhe të dy ndjeheni krenarë.

8. Kape për beli

Për një burrë, beli është një nga zonat më të ndjeshme. Kur i rrethon belin me krah dhe vë dorën në pjesën e poshtme të kurrizit ai ndjen njëkohësisht një afrim fizik dhe emocional. Ekspertët e gjuhës trupore sigurojnë se kjo është zona më e ndjeshme dhe së cilës nuk i kushtojmë aq kujdes sa duhet. Për këtë arsye, herën tjetër kur të vendosësh të kapësh partnerin tënd nga beli, bëje me kujdes. Në mënyrë të pandërgjegjshme ai do të marrë mesazhin se nuk do ta lëndosh kurrë. Me fjalë të tjera, pa e kuptuar as vetë përse, ai do të ndjejë se mund të ketë besim te ti dhe do të afrohet me ty më shumë sesa e imagjinon. Nganjëherë, dashuria dhe sintonia me partnerin është më e thjeshtë nga ç’e imagjinojmë.

9. Prekja e faqes

Megjithëse keni vite bashkë, akoma mund të arrish ta bësh partnerin tënd që t’i dridhen gjunjët nga kënaqësia. Si? Mjafton t’i përkëdhelsh me butësi faqen, që të ndjehet përsëri i emocionuar si në fillim. Falë këtij gjesti delikat mbi fytyrë, partneri do ta ndjejë se dashuria juaj është akoma gjallë dhe ai vazhdon të jetë po aq romantik dhe eksitues sa në fillim. Herën tjetër, kur të jeni duke parë televizor, përkëdheli fytyrën pa thënë asnjë fjalë. Nëse e bën papritur, ai do të ndjehet si në takimet e para. Çfarë pret për ta vërtetuar?

Përkëdheljet që nuk u pëlqejnë

1. T’i pickosh fytyrën

Kujdes vajza… Tjetër gjë është t’i përkëdhelësh fytyrën ose t’i tërheqësh në mënyrë delikate flokët dhe tjetër gjë ta kapësh nga faqja ose nga hunda. Nëse bën këto të dytat do të kujtojë se po e qorton për diçka, siç bënte mamaja ose profesori i shkollës.

2. Ta kapësh nga tulet e belit

Kemi thënë që beli është një nga zonat më të ndjeshme, por ndërsa një përkëdhelje mund të jetë stimuluese, ta kapësh nga tulet me forcë do ta bëjë të humbasë besimin në vetvete dhe do ta marrë si një qortim për kilet e tepërta.

3. T’i shtrëngosh fort dorën

Nëse e kap përdore me butësi dhe ëmbëlsi i tregon se je e dashuruar me të, por nëse i shtrëngon dorën sikur po takon një shok, situata do t’i duket e ftohtë dhe agresive. Kjo mund ta bëjë të vihet në pozicionin e vetëmbrojtjes.

4. Ta gudulisësh

Megjithëse mendon se përkëdhelja e ngadaltë e shputës së këmbës mund të jetë shumë seksi, e vërteta është se shumë djemve u duket një torturë që u shuan dëshirën për seks. Mbase do t’i provokosh disa gudulisje të bezdisshme dhe në fund, dëshira e tij e vetme do të ishte të hiqje duart nga trupi i tij.  

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *