Nuk e di se pse mora guximin ta tregoja këtë histori paksa të komplikuar, por që ende nuk e di se pse u bë kaq lëmsh. Nuk e kuptoj pse njerëzit kanë degjeneruar kaq shumë dhe nuk dinë se çfarë bëjnë, nuk i kontrollojnë fare veprimet dhe pastaj gjithçka kthehet në maskarallëk e në imoralitet. Çuditesha kur dëgjoja vajzat që ishin në punë e ankoheshin që i ngacmonte shefi, thoja që ndoshta i jepnin shkas sepse askush nuk të ngacmon nëse nuk i jep arsye, ngaqë vetë unë nuk isha ndodhur në situatën e tyre. Tani, edhe unë si ato, gjendem në një situatë të tmershme që nuk e kisha menduar se do ta përjetoja ndonjëherë në ambientin ku punoj.

Këtë vit kam mbaruar shkollën dhe një shoqja ime arriti të më siguronte një vend pune në një kompani, ku ishte shef i dashuri i saj. Ajo nuk ma tregoi këtë të fundit, e prezantoi thjesht si mikun e saj. Disa kohë kishte punuar ajo atje, por ishte larguar nga puna ngaqë nuk kishte kohë dhe më propozoi mua të filloja në vend të saj. Shoqja ime më tregoi se ishte punë në zyrë dhe pa lodhje të tepërta dhe unë, që sapo kisha mbaruar shkollën për Komunikim, isha shumë e lumtur që arrita të gjeja menjëherë punë. Pranova ofertën e saj, pa e vrarë shumë mendjen se çfarë mund të ndodhte më pas. Disa kohë më vonë, si duket, mikesha ime u nda nga shefi im dhe gjërat filluan të përkeqësoheshin edhe për mua. Ajo iku jashtë shtetit dhe unë tashmë nuk mund t’i drejtohesha askujt për ndonjë pakënaqësi që kisha aty, gjë që më përpara e kisha bërë. Shefi im, nuk e mohoj që ishte shumë i këndshëm, i sjellshëm dhe i komunikueshëm. Kishte vetëm një të metë të madhe; i ndërronte femrat si mbreti gratë. Edhe nga bashkëshortja ishte ndarë për shkak të një tradhtie, pasi ajo e kishte kapur në flagrancë. Mua nuk më shqetësonte kjo gjë, kështu që mund të bëntë ç’të donte. Ish-gruaja e tij vinte shpesh në kompani sepse ishte aksionere, por mua nuk më shqetësonte aspak prania e saj. Problemet që kishte shefi im në familjen e tij dhe me marrëdhëniet e tij, nuk kishin pse të ndikonin në punën time, meqenëse unë punoja dhe ai ishte shprehur i kënaqur nga puna që bëja e nga korrektesa ime.

Në fakt, nuk ndikuan muajin e parë… Pas ndarjes nga bashkëshortja e tij, shefit tim filluan t’i lindnin disa ide që në fillim dukeshin si ngacmime të vogla, por me kalimin e kohës u bënë goxha të bezdisshme. Si mund të kërkojë lidhje një mashkull me një vartësen e tij, një muaj pas ndarjes nga bashkëshortja? Kjo pyetje qëndronte gjithë kohës në mendjen time, për aq kohë sa isha në punë. Në fillim, ngacmimet e tij i justifikoja me idenë se keqkuptohesha, por ai nuk donte t’ia dinte për këtë dhe me kalimin e kohës, filloi të më ngacmonte pa pikën e problemit. Edhe pse ndihesha keq, nuk dija si të reagoja, nuk doja ta humbisja vendin e punës, duke menduar se sa e vështirë është sot të gjesh një punë, por edhe nuk kisha mundësi kurrsesi t’u përgjigjesha ngacmimeve të tij, sepse dihej që, nëse i jepesha, punën e kisha të humbur. Bëja sikur nuk kuptoja asgjë, ndonjëherë i përgjigjesha me shaka, ndonjëherë e anashkaloja dhe ndonjëherë, nuk i përgjigjesha fare. Erdhi një moment kur ai më tha se duhet të qëndroja pas orarit, pasi kishte diçka për të diskutuar me mua. Duhet të qëndroja, edhe pse e dija se ajo çfarë ai donte të bisedonte nuk i takonte aspak punës sime. Më tha se më vlerësonte, se nuk dëshironte që unë të ikja nga puna dhe tërthorazi ma bëri të qartë se duhet të plotësoja disa kushte që kishte ai vend pune. U tmerrova, por nuk e dhashë veten. Ai priste pergjigje me patjetër, edhe pse unë nuk i dhashë asnjë të tillë. Ditën tjetër erdha si gjithë ditët e tjera në punë dhe u ula në vendin tim. Pas disa minutash, erdhi shefi im dhe më tha se kishte diçka për të biseduar me mua. Shkova të zyra e tij dhe, pa e mbyllur derën mirë, një dorë e fortë më mbërtheu. Nuk po e kuptoja se çfarë po ndodhte, doja të largohesha, por nuk mundesha. E kërcënova se do të ulërija, por si duket tek ai, një kërcënim i tillë nuk bënte asnjë efekt. Pas disa mundimesh, arrita të çlirohesha nga kthetrat e tij dhe, kur po dilja te dera, e kërcënova se nëse në gjyqin me të shoqen do t’i duhej një ndihmë të shoqes së tij, ajo do ta gjente tek unë. Që nga ajo ditë, ai nuk më ka ngacmuar më dhe vazhdoj punë rehat, madje as shikimin nuk e hedh. Kështu, shpëtova prej tij dhe mbajta edhe punën time. Kështu e duan këta maniakë seksi që nuk dinë ku të çojnë paratë dhe mendojnë se me para mund të blejnë gjithçka.

Me respekt, E Vuajtura

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *