Çështja nëse duhet të jenë apo jo të pranishëm bashkëshortët në lindjen e fëmijëve të tyre, ka dalë tanimë nga kuadri i diskutimit teorik dhe është shtruar për zgjidhje konkrete edhe në vendin tonë. Me sa duket, votat kundër mbizotërojnë, por edhe ato pro, nuk janë të pakëta. Një fakt interesant: shumica e atyre që janë kundër, përbëhet kryesisht nga vajzat e fejuara apo gratë e sapomartuara, ndërsa ato që kanë qenë edhe herë të tjera në maternitet, thonë se lindjet që bëhen në praninë e baballarëve të fëmijës, janë shumë më të lehta se ato në mungesën e tyre. Shumë mjekë dhe mami pohojnë gjithashtu se deri tani, asnjë nga gratë që e ka patur bashkëshortin të pranishëm në procedurën e lindjes së fëmijës nuk është penduar për këtë… Le të shikojmë disa nga argumentet pro dhe kundër që paraqesin të dyja “palët”…
Argumentet kundër:
1. Nëna natyrë e ka ndarë që lindja e fëmijës të jetë “punë grash” e jo “punë burrash”. Ato dhimbje u takojnë grave, nënave. Pse të ngacmohet më kot psikika delikate e meshkujve me “dhimbje dhe telashe të tjera” si ato të lindjes së fëmijëve, kur ky është ekskluzivitet i femrave? Ka shumë raste kur burrave u ka rënë të fikët kur kanë parë nga afër se sa vuan gruaja në këtë rast.
2. Ndonjë prej tyre, pasi kishte asistuar në lindjen e bashkëshortes së vet, kishte humbur dëshirën për seks. Pasi kishte parë mundimet e së shoqes gjatë lindjes, atij i ishte fiksuar ideja se për këtë ishte fajtor pikërisht ai. Këto tronditje i kishin vrarë ndërgjegjen, kishin shkaktuar disbalancim shpirtëror…
3. Nga ana psikologjike, ekziston edhe një rrezik tjetër; fill pas lindjes, burri ka rrezik të shikojë tek e shoqja vetëm nënën e fëmijës së vet dhe jo femrën me të cilën mund të bëjë dashuri… Kjo dëshirë, pas zbulimit të enigmave, zbehet, madje edhe mund të fashitet fare…
4. Edhe për vetë gratë, nuk është e mirë. E kush ua ka ngenë burrave në ato çaste? Disa gra e kanë më të lehtë të përballen me dhimbjet dhe mundimet e lindjes vetëm sesa të shikojnë fytyrat e thartuara nga ndjenja e keqardhjes që shfaqet në fytyrat e shqetësuara të burrave të tyre.
Argumentet pro:
1. Përderisa fëmija është i përbashkët, pse të mos jenë edhe burrat të pranishëm në lindje? Nganjëherë, asistimi në lindje u bën mirë edhe burrave, që lidhen kështu më shumë me gruan dhe fëmijën e tyre.
2. “Ardhja e fëmijës është ngjarja më e rëndësishme në jetën e familjes, tha një grua e kaluar në moshë. Nuk shoh asgjë të keqe në faktin që kur del për herë të parë në këtë botë një fëmijë, ta presin të dy prindërit bashkë. Prania e bashkëshortëve e disiplinon më shumë personelin mjekësor, ngre tek ata ndjenjën e përgjegjesisë”, vazhdoi ajo.
3. Burri të ndihmon shumë gjatë lindjes. “Kur linda fëmijën para këtij, tregon një grua e shtruar në maternitet, ai më mbante për dore, duke më përkëdhelur me dashuri dhe dhimbshuri. Kjo më lehtësontë dhimbjet, më qetësonte me fjalë të ëmbla… Apo kur e pashë që me solli një gote ujë në krevat, pasi dola nga salla, sa s’fluturoja nga gëzimi”…
4. “Unë kam lindur dy herë deri tani, tregon një grua tjetër dhe të dyja herët, im shoq më është ndodhur pranë. Kjo e ka shtuar më shumë dashurinë tonë si dy gjysma të pandashme të një familjeje të vetme…
5. “Unë, të them të drejtën, as i kuptoj dot ato gra që nuk duan të kenë pranë bashkëshortët e tyre, njerëzit më të afërt dhe më të dashur, gjatë lindjes së fëmijëve, kur vërtet je në siklet për disa çaste, por lumturohesh për gjithë jetën. Aq më tepër, nuk i kuptoj dot ata që thonë: “Pse duhet ngacmuar kot psikika delikate e meshkujve me dhimbje dhe telashe si ato të lindjes së fëmijëve, kur lindja e fëmijëve është ekskluzivitet i femrave?”. Marrëzira! Pse i nënvleftësojnë kësisoj burrat e tyre këto gra? Të gjithë e dinë se meshkujt janë edhe shpirtërisht, edhe fizikisht, më të fortë se ne…”
6. Përsa u përket atyre enigmave që përmend një tjetër, unë them se burrat tanë, na duan edhe më shumë pas lindjes. Pse, kot e ka bërë natyra që i zbukuron dhe i rinon femrat pas çdo lindjeje? Për mashkullin, femra mbetet femër me hiret, delikatesën dhe feminitetin e saj në të gjitha situatat…
7. Mendimi se “ti duhet t’i dukesh tët shoqi gjithmonë koketkë dhe ledhatare ashtu si në krevat në ditët e para pas martesës, mua më duket një kokërr budallallëku që s’e ka shokun. Pse, injorantë janë meshkujt, nuk e dinë ata se ç’ndodh me femrat gjatë gjithë shtatzanisë dhe në procesin e lindjes?! Por në fund të fundit, në momentin më delikat, gruaja e mençur i lutet mamisë ta nxjerrë dy minuta në korridor të shoqin dhe ta ftojë me fëmijën e vogël në dorë, duke i thënë: “U mundua vërtet jot shoqe, po shiko, shiko se ç’bukurosh (ose bukuroshe) të ka falur”…
8. Përsa i përket mendimit se burrat, pas pjesëmarrjes në një lindje, humbasin dëshirën për seks, kjo, më falni, por është një marrëzi e vërtetë. Unë nuk besoj kurrë se prania e burrit në lindjen e fëmijës së tij mund të ketë pasoja të tilla. Përkundrazi njerëzit që e duan njëri-tjetrin skena si ajo e lindjes së fëmijës i bashkojnë akoma më shumë, i bashkojnë vuajtjet, pastaj edhe gëzimi i madh i lindjes së fëmijës, tha një grua. Po pjesëmarrja, shtoi ajo, duhet të jetë dëshirë e të dyve dhe përsa u përket rasteve kur burrat nuk kanë dëshirë të jenë të pranishëm, unë mendoj që ne, femrat, të mos tregohemi shumë këmbëngulëse. Zgjedhja duhet të jetë e lirë. Kush do, do, kush s’do, s’ka pse të detyrohet…
Burrat thonë:
1. Dëgjoni, në maternitet nuk lindin vetëm fëmijët, por edhe prindërit. Kur më dhanë në dorë fëmijën e porsalindur, e ndjeva veten baba me kuptimin e plotë të kësaj fjale dhe thashë: “Këtu në maternitet lindin fëmijët, por pagëzohen si prindër edhe baballarët…”. Jam i bindur se çdo mashkull që shikon se si lind fëmija e tij në maternitet, nuk e braktis kurrë atë; aty pagëzohesh si prind për gjithë jetën.
2. …Pasi kishte lindur vajza jonë e parë dhe gjithçka kishte mbetur pas, unë dola të pija një cigare duhan, mirëpo gjithandej kishte tabela ndalimi dhe m’u desh të futesha në një parabanjo. Thitha me nervozizëm nja dy-tri herë cigaren dhe dola nëpërsëri në korridor. Nga salla dëgjohej e qara e nje fëmije tetër, çudi po më duhej sikur edhe atë të qarë e shoqëronin fëmijet që tanimë ishin pranë nënave… Dhe, në këtë kor fëmijësh, unë dallova të qarët e vajzës sime. Ju mund të mos besoni, po e dëgjova dhe u derdha sakaq drejt dhomës ku futën fëmijën e porsalindur… Pashë vajzën që e kishin mbështjellë në shpërgënj dhe i kishin vendosur një maskë oksigjeni. Kujdestarja ngriti paksa dorën e djathtë: “Mjaft, mos u afro më!”, donte të thoshte ky gjest. Më pushtoi sakaq një ndjenjë inatçore, më shkrepi vetëtimthi një mendim: “Moj, zonjë, ç’më thua kështu?! Po ajo është vajza ime, moj! Eshtë gjaku i gjakut tim, është pjesë e trupit tim… Po unë jam babai i saj, moj!”, por s’fola. I buzëqesha. As vetë s’e di se si gjithë ai tension u shndërrua në buzëqeshje… Ju më pyesni nëse duhet të jetë i pranishëm babai në lindjen e femijës së vet? Kam dëgjuar të flitet shumë për këtë dhe s’dua të dënoj asnjë për mendimet e shprehura; dua të them vetëm se prania ime në lindjen e vajzës ishte e domosdoshme edhe për gruan, edhe për mua. Prania ime më ndihmoi të kuptoj se ne meshkujt vuajmë ende nga shumë paragjykime të vjetëruara, nga të cilat duhet të shkëputemi një orë e më parë. Të gjitha sa thuhen kundër pjesëmarrjes sonë në procesin e lindjes janë pjellë e këtyre paragjykimeve.
3. Thonë se po të shikojë një mashkull gruan e tij duke lindur i zbehen të gjitha dëshirat për të vazhduar jetën seksuale me të. Marrëzi më të madhe s’më kanë dëgjuar veshët! Unë kam asistuar vetë në lindjen e binjakëve tanë dhe më vjen keq vetëm për një gjë: Nuk e fiksuam në kamera daljen tonë me të dy fëmijët në gjoks, vajzën unë e djalin ime shoqe dhe të them të drejtën, mezi kam pritur plotësimin e ditëve të lehonisë… Kush e di se ç’dreq mashkulli ka qenë ai që sjellin si argument ata që nuk e pranojnë pjesëmarrjen e burrit në lindje, po jam i bindur se ai, edhe para asaj, nuk ka qenë normal… Unë, edhe po vendosëm për të tretin, do të shkoj…
Këto ishin me pak fjalë argumentet pro dhe kundër pranisë së babait në lindjen e fëmijës së vet. A arritën vallë ata që janë pro të bindin kundërshtarët e tyre? S’e dimë. Një gjë është e qartë: Edhe në këtë rast, fjalën e fundit do ta thotë vetëm çifti!