Besoni akoma te politikanët?!

Albanoja nuk i ndahet humorit për asnjë çast, ndërkohë që të martave i bën të gjithë të rehatohen në kolltukun e shtëpisë edhe të shijojnë “Apartamenti 2XL”. Natyrshmëria e batutave të tij vihet re edhe në këtë intervistë, por jo vetëm kaq… Do ta shikoni vetë se si Albanoja rrëfen mjaft gjëra interesante, ndoshta edhe për herë të parë.

Mia Buci: – Albano, me kë e pive kafen e parë sot?
Albano Bogdo: – Me mamin, siç e pi çdo mëngjes.
– A ndikon ndryshimi i motit në humorin e aktorëve të humorit?
– Nuk e di për të tjerët, por tek unë ndikon shumë. Vapën nuk e duroj dot! Kur është vapë, nuk bëj dot humor fare. Ndërsa moti i freskët, më frymëzon.
– U rikthyet përsëri tek “Apartamenti”… Çfarë po sillni ndryshe këtë sezon?
– Të njëjtat gjëra si tek “Apartamenti” i mëparshëm. Ndryshimi është se tani nuk i këndojmë një politikani që të vijë, por Jozefinës dhe Erionit, që të pajtohen. (Buzëqesh)
– Ku e gjen Albanon, nëse nuk është në “2XL”?
– Në shtëpi publike. (Qesh) Me shokët, ose në ndonjë kafe me të dashurën. Tirana, nuk është se të ofron shumë në këtë pikë.
– Cili është personazhi imagjinar që do të doje ta kishe bërë, por nuk të ka rënë akoma rasti?
– Nuk kam ndonjë personazh imagjinar.
– Po të mos ishe aktor, do të ishe…
– Mësues letërsie.
– Mësues letërsie?
– Seriozisht. E kam shumë pasion letërsinë.
– Një pjesë (film, teatër, libër) që të ka tërhequr vëmendjen këto kohë?
– Në teatër nuk para shkoj shumë. “Deadpool”, e pashë së fundmi dhe ishte shumë i bukur. Të sugjeroj ta shohësh.
– Çfarë do të ishe duke bërë tani nëse do të kishe lindur një trashëgimtar i kamur?
– Me siguri do të isha duke iu thënë këtyre këngëtareve femra: “Mos më merr më në telefon”.
– Cilat janë gjërat që kanë më shumë rëndësi në jetën e një mashkulli?
– Unë nuk mendoj se kam shumë të përbashkëta me meshkujt e tjerë. Në radhë të parë, për mua ka shumë rëndësi familja, edhe pse e thonë si shabllon këtë… Unë jam shumë i lidhur me familjen. Nëse kam një problem në familje, më rri mendja gjithë kohës aty, derisa ta zgjidh. Pastaj vijnë miqtë dhe besimi në Zot. Për mua, këto janë jetike. Pastaj, ka edhe gjëra të tjera, por që janë thjesht për të kaluar kohën.
– Të krahasojnë me ndokënd?
– Më thonë shpesh që “je si ky apo si ai aktor”, por të them të drejtën, nuk i marr seriozisht. Përsa i përket anës profesionale, çdo aktor ka të veçantat e tij. Pastaj, për aspektin fizik, nuk i marr fare, fare seriozisht.
– Çfarë ke lënë të shkojë dhe je penduar?
– S’po më kujtohet ndonjë gjë. Nuk i mbajmë dot gjërat me zor. As njerëzit jo. Ndërsa kujtimet seleksionohen vetvetiu.
– Misteri më i madh për ty?
– Si ka akoma njerëz që besojnë me mish dhe me shpirt e çirren për politikanët?! Njerëzit vazhdojnë të besojnë akoma për këto kërma që vjedhin e vjedhin a thua se janë të pavdekshëm dhe se do t’i prishin këto lekë. Ata nuk e dinë që të gjithë do vdesim, maksimumi edhe 10 vjet kanë, se do vdesin nga mallkimet e popullit. Njerëzit nuk janë ullinj; ullinjtë jetojnë 100 vjet.
– Çfarë bëre fundjavën që kaloi?
– Atë që bëra edhe fundjavën para kësaj. (Qesh)
– …dhe çfarë bëre fundjavën para kësaj?
– Asgjë të jashtëzakonshme.
– E ke kuptuar ç’lloj femrash tërheq?
– Po, e kam kuptuar. Më tërheq e dashura ime. (Buzëqesh)
– Je lidhur ndonjëherë me një fanse?
– Me të dashurën. Ajo ka qenë fansja ime. I kishte parë të gjitha videot e mia dhe kishte qeshur me lot.
– Çfarë do të ishe në gjendje të bëje për dashurinë?
– Dashuria, për mendimin tim, nuk ka nevojë për heroizma. Të gjithë mendojnë se janë gati të bëjnë çdo gjë, por a janë gati të kujdesen çdo ditë e ta mbajnë gjallë me përkujdesje? Lufta e vërtetë është të “luftosh” rutinën, të përditshmen, jo lufta me flakë apo ku di unë.
– Je çun palestre?
– Jo.
– Akuza më e rëndë që të kanë bërë?
– S’e kam bërë veten për ndonjë akuzë.
– Je duhanpirës?
– Po.
– Sa e do veten?
– Sa ç’e duan të gjithë.
– Për çfarë e do, mbi të gjitha?
– S’kam ndonjë atribut të veçantë që ta dua më shumë sesa atributet e tjera. E dua pa kaluar në mendjemadhësi, delir.
– Çfarë nuk dinë njerëzit për ty?
– Në këtë kohë që po jetojmë dhe me rrjetet sociale, s’besoj se ka mbetur gjë pa e ditur. S’ka fare privatësi.
– Për çfarë nuk e vret mendjen?
– Po të them se për çfarë e vras mendjen. Për punën, për miqtë e mi apo njerëzit që më rrethojnë, që të mos mendojnë se nuk i dua. E vras mendjen se si mund ta bëj veten njeri më të mirë. Nuk e vras mendjen se në cilin klub do shkoj sonte, apo nëse do të jem apo jo te zona VIP.
– Diçka për t’u patur frikë?
– Që me kalimin e viteve të bëhesh njeri i ftohtë, të ndryshosh për keq.
– A je i njëjti person si disa vite më parë?
– Po. I njëjti do jem derisa të vdes. Nuk ka fama dhe leku aq forcë sa të më ndryshojnë mua si njeri.
– Koha më e gjatë që ke qëndruar larg nga shtëpia?
– 8 muaj, për arsye emigrimi. (Qesh) Përtej shakasë, kjo që sapo thashë, është e vërtetë.
– Ku do të ikësh pastaj?
– Në shtëpi.
– Çfarë të bën të ndihesh i lirë?
– Muzika.
– Cila është e vërteta më e madhe?
– E vërteta më e madhe është e vërteta më e madhe.
– Çfarë do të doje të bëje në një ditë me diell?
– Do të doja që të binte shi. E thashë edhe pak më parë që e urrej diellin.
– Po në verë, si ia bën? Shkon në plazh?
– Jo, nuk shkoj fare në plazh. Kam 6 vjet dhe po plotësoj 7 që nuk kam vajtur. Edhe njëherë të vetme që isha, ishte pasdite dhe sapo vajta unë, filloi shiu. (Qesh)
– Çfarë mendon sa herë dëgjon të përmendet emri yt?
– Të bën të ndihesh mirë, sidomos kur përmendet për mirë.
– Beson në dashuri?
– Sigurisht që po.
– Si do të ishte bota pa dashuri?
– Si aneksi im, që pas tre javësh që ka ikur mamaja, është mbushur me enë të palara.
– Si ia del kur të duhet të jetosh vetëm?
– Për veten gatuaj goxha mirë. Sa për të jetuar vetë, ia dal mbanë. (Qesh)
– Çfarë ndjesish ke kur mendon të ardhmen?
– Nuk jam tip që mendoj shumë për të ardhmen sepse jeta na ka mësuar që nuk kemi gjë në dorë. Jetoj të tashmen, ato që kam tani. E respektoj të ardhmen, por s’e kam frikë.
– Çfarë quan të huaj?
– Një njeri që nuk është nga Shqipëra. (Qesh)
– Diçka që shpreson të mos kthehet?
– Hitleri, Enveri…
– Pse duhet besuar te ti?
– Njerëzit janë të lirë të besojnë çfarë të duan dhe kë të duan.
– Për çfarë nuk është vonë?
– Ora 20:25… Nuk është vonë për të ngrënë darkë. (Qesh)
– Kush është mik e kush armik?
– Mik është ai që edhe sikur të jesh njeriu më i thjeshtë në shoqëri, edhe sikur të jesh perandor, ta thotë të vërtetën dhe kritikat në sy. Ndërsa armiku, sa më shumë t’i rrit gradat sociale, aq më shumë e ul nivelin e dashurisë.
– Çfarë nuk e bën asnjë si ti?
– Asnjë nuk i sheh gjërat siç i shoh unë.
– Çfarë do të doje që njerëzit ta shihnin me sytë e tu?
– Urinë, varfërinë, pabarazinë, patetizmin e gjërave boshe siç është jeta e natës, harxhimi i kohës me asgjë që do t’u vlejë për nesër. Do të doja shumë që njerëzit t’i shihnin këto gjëra me sytë e tyre. Njerëzit kanë një perde nën hundë. Duhet t’i shohësh fukarenjtë e shtypur që t’i ndihmosh.
– Një kujtim që e mban gjithmonë me vete?
– Kam 2-3 e nuk mund të zgjedh njërin më shumë se tjetrin. Kam tre të rëndësishme që i mbaj gjithmonë me vete.
– Diçka që nuk do ta mbash për vete, por do ta ndash me të tjerë?
– Aftësinë për t’i bërë njerëzit të qeshin. (Qesh)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *